Tmerr në anijen e përfshirë nga flakët, 400 persona në rrezik, zbardhen emrat e 22 shqiptarëve

0
886

Ania Greke ne flake

Anija “Norman Atlantic” kishte destinacion Ankonën dhe në të udhëtonin 411 pasagjerë, 55 anëtarë të ekuipazhit dhe 222 mjete

KORFUZ12:10 – Pasagjerët e tragetit italian të përfshirë nga flakët po përjetojnë tmerr me sy, ndërkohë që mundohen të shpëtojnë të gjallë nga kjo tragjedi. Mes 478 personave që ndodheshin në bord, mësohet se mes tyre janë edhe 22 shtetas shqiptarë. Prej ngjarjes së ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, 170 pasagjerë mundën të shpëtonin prej saj, ndërkohë që pjesa tjetër lutet për ndihmë.

13: 40– Mediet greke kanë arritur të zbardhin emrat e 22 shtetasve shqiptarë që ndodheshin në bordin e anijes, fati i të cilëve nuk dihet ende.
Në bordin e anijes ndodheshin shqiptarët: Aleksandër, Enkeled, Leonard Beqiraj, K. Zhuri, P. Zhuri, A. Zhuri, A. Skendaj, J.Qerama, X. Parangoni, L. Ndreu, R. Mane, S. Kolekaj, B. Kazo, V. Kane, G. Gega., F. Çuçi dhe H. Çuçi, S. Aliko, R. Aliko dhe D. Aliko.

Pasagjerët luten për ndihmë

Anijet e shpëtimit kanë hasur vështirësi të mëdha për t’iu afruar tragetit që po digjet, për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të detit. Ende është e paqartë nëse ka viktima apo nëse ndonjë pasagjer është hedhur në ujë, gjë që nëse ndodh vështirë që ndonjë t’u mbijetojë temperaturave të ulëta të ujit nëse ndihma nuk vjen shpejt.

“Jemi duke u djegur, ose nëse nuk digjemi do të mbytemi. Askush nuk mundet të na ndihmojë”, tha Nikos Papatheodosiou për një televizion grek nëpërmjet telefonit. “Ju lutem na ndihmoni! Mos na lini vetëm”, tha ai përpara se t’i mbyllej telefonata. “Ata po përpiqen të ulin disa varka shpëtimi, por jo të gjithë pasagjerët mund të hipin mbi to. Nuk ka aspak koordinim”, tha një prej të rrezikuarve më herët. “Është errësirë, ndërsa fundi i tragetit është përfshirë nga flakët. Ne jemi në pjesën e përparme, pamë një varkë që po afrohet… hapëm disa kuti të ndihmës së shpejtë dhe morëm disa jelekë shpëtimi, po përpiqemi të shpëtojmë veten”, janë disa nga komentet e raportuara në lidhje të drejtpërdrejtë me televizionet greke.

Mes pasagjerëve dhe 22 shqiptarë

Ministri i Tregtisë Detare, Miltiadis Varvitsiotis, tha se kombinimi i motit tepër të keq me erëra deri në 88 km/h dhe zjarrit e ka bërë operacionin e shpëtimit shumë të komplikuar.

“Po bëjmë gjithçka mundemi për t’i shpëtuar pasagjerët në bord dhe askush nuk do të mbetet i pa ndihmuar në këtë situatë të vështirë”, tha ai për reporterët. “Ky është një nga operacionet më të vështira që kemi pasur ndonjëherë”.

Varvitsiotis tha se ishin 478 pasagjerë në bord, së bashku me ekuipazhin, më shumë nga sa ishte raportuar fillimisht (466). Sipas medieve greke bëhet e ditur se kombësitë e pasagjerëve të rrezikuar janë si në vijim: 1 rumun, 2 rusë, 6 austriakë, 2 hungarezë, 10 zvicerianë, 1 kroat, 8 gjeorgjianë, 5 sirianë, 1 suedez, 1 kanadez, 2 ukrainas, 1 egjiptian, 18 gjermanë, 54 turq, 2 afganistanas, 22 shqiptarë, 1 maltez, 7 bullgarë, 3 nga Maqedonia, 2 britanikë, 22 italianë, 3 holandezë, 3 belgë, 9 francezë, 2 irakenë, 234 grekë.  Ndërsa sa i përket ekuipazhit: 22 italianë dhe 34 grekë. Ndërkohë që anije shpëtimi dhe avionë janë dërguar për në vendngjarje, si nga pala italiane edhe ajo shqiptare.

11:20 – 170 pasagjerët e anijes së përfshirë nga flakët, mundën të shpëtonin prej saj. Mediet greke bëjnë me dije se 7 anije po punojnë për evakuimin e të gjithë pasagjerëve. Ndërkohë po bëhet i mundur edhe shuarja e flakëve të anijes “Norman Atlantic”, e cila u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të diele. Kapiteni i anijes dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë italianë, ndërsa mësohet se 268 nga pasagjerët janë grekë.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes informon se, gjatë vendngjarjes është nisur edhe një anije shqiptare, në ndihmë të personave që ndodhen në rrezik.

“Drejt “Norman Atlantic” është nisur anija shqiptare “Butrinti”. Shefi i Shtabit grek në komunikim me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura. Anija “Butrinti” pjese e operacionit të evakuimit të pasagjerëve”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

09:35 – Shpëtohen rreth 150 pasagjerë, ndërsa mësohet se në anijen italiane “Norman Atlantic” ka mbetur ende pjesa tjetër e pasagjerëve, përfshirë këtu edhe disa nga pjesëtarët e ekuipazhit të saj. Në ndihmë të 478 personave që ndodheshin në bord shkoi edhe pala shqiptare, e cila dërgoi një anije për shpëtimin e pasagjerëve.

08:05 – Një anije e linjës Patra – Ankona është përfshirë nga flakët, duke vënë në rrezik jetën e 478 personave që ndodheshin në bord.

Lajmi raportohet nga mediet greke, nga të cilat mësohet se në anije ndodhen 411 pasagjerë, 55 anëtarë të ekuipazhit dhe 222 mjete. Mësohet se anija u përfshi nga zjarri pranë Korfuzit në 05:30 të mëngjesit në Igumenicë, por sipas të dhënave të para nuk raportohet për të lënduar.

Deri rreth orës 08:40 mësohet se 150 persona janë evakuuar në varkat e shpëtimit, ndërsa pasagjerët e tjerë janë strehuar në katet e tjera të anijes.
Anija “Norman Atlantic” kishte destinacion Anconën dhe në të udhëtonin 411 pasagjerë, 55 anëtarë të ekuipazhit dhe 222 makina. Saktësisht anija ndodhet 20 milje në veri perëndim të Sazanit.

Flakët besohet se kanë nisur në depon e anijes duke shkaktuar alarm tek pasagjerët. Ekuipazhi i anijes pas dhënies së alarmit filloi procedurat e evakuimit, ndërsa disa nga pasagjerët sipas agjencive greke raportohet se janë hedhur në det nga frika.

Por deri më tani ende nuk dihet se cilat kanë qenë shkaqet e rënies së zjarrit në bordin e anijes. Në ndihmë të pasagjerëve që ndodheshin në bord kanë shkuar forcat nga Italia dhe Greqia për të bërë evakuimin e të gjithë pasagjerëve.

Sipas agjnecisë greke “Zougla”, mësohet se anija u përfshi nga flakët rreth orës 04:00 të mëngjesit me orën lokale të Greqisë, në zonën detare 32 milje nga veriperëndimi i Ottos, pasi kjo ishte dhe ora kur ra alarmi.

Ministri i Mbrojtjes, Dendias Nikos, deklaroi se drejt vendit të ngjarjes janë dërguar 5 helikopterë të forcave ajrore.
Sipas drejtuesve ekzekutiv të anijes situata nën kontroll dhe vazhdon evakuimi.

/Shekulli Online/ J.C./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu