Tolaj 18 muaj burg, Bukoshi i pafajshëm

0
413

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtor tre persona në të ashtuquajturin rasti i Ministrisë së Shëndetësisë.

Siç njofton EULEX-i, ish-sekretari permanent në MSH, Ilir Tolaj u shpall fajtor për veprën penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje dhe për shmangie të tatimit, ndërkaq është liruar nga akuzat e tjera.

“Tolaj u dënua me një dënim të përgjithshëm prej 18 muajsh dhe gjobë prej 1000 euro. Atij i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet. Arresti shtëpiak i Ilir Tolajt ka përfunduar ndërsa pritet nxjerrja e një vendimi të ri”, njofton EULEX-i.

Ndërkaq, ish-zyrtarja farmaceutike Arbenita Pajaziti, u shpall fajtore për dy pika të aktakuzës për falsifikimin e dokumenteve, njërën prej tyre në bashkëkryerje.

“Pajaziti u dënua me një dënim të përgjithshëm prej 8 muajsh me kusht për një periudhë prej 2 vjet. Asaj i ndalohet ushtrimi i funksioneve në në administratën publike apo shërbimin publik për 2 vjet”, njofton më tej EULEX.

Hajrullah Fejza, ish-shef i Divizionit për Cilësi të Shërbimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, u shpall fajtor për dy pika të aktakuzës për marrje të mitos ndërsa është liruar nga pikat e tjera të akuzës.

“Fejza ka marrë një dënim të përgjithshëm me burgim prej 8 muajsh. Të pandehurit i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet”, theksohet më tej në njoftimin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

E ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha janë liruar nga të gjitha akuzat.

Rasti ishte ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu