Topi: Berisha, komunisti që gënjen ish-të përndjekurit

0
715

Partia Demokratike ka reaguar mbi sulmin që Presidenti i Republikës Bamir Topi ndërmori sot ndaj kryeministrit dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha. Reagimi ka ardhur pikërisht nga deputeti Edi Paloka, i cili në vitin 2007 pasi Topi u zgjodh president mori mandatin e deputetit në zonën 31 në Tiranë.

Lufta mes Berishës dhe Topi duket se ka filluar para kohë për PD-në, pasi deklarata e tyre tregon qartë se ajo është hartuar nxitimthi. Në të thuhet se “Topi duhet ti japë shpjegim votuesve të PD-së që e zgjodhën president” në një kohë kur Topi është zgjedhur president nga vota e përfaqësuesve të popullit dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë populli.

PD duke i kthyer përgjigje lidhur me akuzën se Berisha mashtron të përndjekurit prej 22-vitesh, i ka cilësuar veprimet e Topi si presidenti “kamxhik për ish-të përndjekurit”.

Presidenti Topi iu përgjigj me tone të forta kryeministrit Berisha,  i cili një ditë më parë deklaroi se kreu i shtetit refuzon të firmosë ligjin për lustracionin. “Njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës”, u shpreh Topi.

Presidenti më tej u shpreh se Berisha “është bërë iluzionist” pasi “ka njëzet e dy vjet që u thotë shqiptarëve se do t’u kthejë pronat dhe nuk ua kthen. U thotë të përndjekurve politikë që do të kompensoheni dhe për njëzet e dy vjet me radhë nuk e bën”. Topi e mbyll deklaratën duke thënë se Berisha “nga vitit 1968 është anëtar i Partisë së Punës, Sekretar Partie”.

Marrëdhëniet Berisha-Topi u krisën me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 por vitin e fundit pas deklaratës së Topit se nuk do të rikandidojë për president por do të krijojë një parti të djathtë ka nxehur gjakrat mes dy kampeve.

Vetëm pak ditë më parë nga grupi parlamentar i PD-së u largua Gazmend Oketa, i cili ka dalë hapur në mbështetje të Topit. Në partinë e re që Topi pritet të krijojë do të jenë pjesë shumë figura të larguara nga PD, si Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Gjergj Bojaxhiu etj. /F.Stafa/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu