Topi: Berisha, sulm pa moral, Kreu i qeverisë: Presidenti në xhepin e Ramës

0
505

Topi replikon me Berishën: Sulm i padenjë e i pamoral

Kreu i shtetit Bamir Topi iu kundërpërgjigj dje akuzave të kryeministrit Sali Berisha duke deklaruar se po sulmohet pa të drejtë prej tij dhe në mënyrë të pareshtur. Bamir Topi përmes zëdhënëses Mimoza Koçiu, foli mbi pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës. Ajo vuri në dukje se “Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike. Çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme.
Znj.Koçiu evidentoi se përgjatë muajve të fundit, Presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade. Sipas saj, për Presidentin “gjithnjë ka mbizotëruar prioriteti publik; – nevoja që politika shqiptare të reflektojë nga gabimet e saj të përsëritura dhe me pasoja direkte për interesat kushtetuese dhe kombëtare të qytetarëve tanë. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë reagimin e kreut të shtetit.
Fjala e plote
Lidhur me komentet e sotme politike të bëra nga ana e kryeministrit Berisha në konferencën e shtypit për ngjarjet në Kosovë, mbi pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës, drejtoria e informimit publik e Presidentit bën me dije se “Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike. Çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme. Përgjatë muajve të fundit Presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade. Për Presidentin gjithnjë ka mbizotëruar prioriteti publik; – nevoja që politika shqiptare të reflektojë nga gabimet e saj të përsëritura dhe me pasoja direkte për interesat kushtetuese dhe kombëtare të qytetarëve tanë. Për këtë qëllim, përmes apeleve publike, takimeve dhe korrespondencës zyrtare me institucionet politike e kushtetuese Presidenti ka nxitur aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qytetarët dhe vendin.
Në kohën kur Presidenti, ashtu si shumica e qytetarëve tanë dhe vetë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë e janë në pritje të këtij reflektimi politik dhe masave konkrete, fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë. Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqena, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi ka refuzuar dhe refuzon të bëhet pjesë e këtij debati shterpë e të inskenuar, dhe siç e ka deklaruar edhe më parë, votimi i tij më 8 maj ka qenë korrekt. Çdo tentativë për interpretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve. Lidhur me debatin mbi qëndrimin e Presidentit për nevojën ose jo të ndryshimeve kushtetuese, Presidenti Topi deklaron se nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij debati dhe se qëndrimet e tij i ka bërë të njohura në kohë, ditë përpara votimit parlamentar të 21 prillit 2008, kur interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione funksionale e të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues të ndarjes dhe të balancës së pushteteve.”

Berisha sulmon Topin: Në xhepin e Edi Ramës
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se Presidenti i ri i vendit në 2012-ën do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e vendit, duke hedhur poshtë çdo mundësi për ndërhyrjen në dokumentin themeltar të shtetit. Berisha përsëriti se oferta e tij është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës dhe se këtë nuk e bën për interesin e maxhorancës apo qeverisë, por për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar. Por, Berisha shkoi më tej kur u shpreh se Topi votoi për të majtën, duke shtuar faktin se nuk ndjehet i tradhtuar, por interesi i vetëm i tij është vota e lirë. Gjatë një konference për shtyp mesditën e djeshme, kryeministri Berisha sulmoi kreun e shtetit duke deklaruar se “Presidenti ishte në xhepin e Ramës dhe këtë e faktoi me votën e tij në zgjedhjet e 8 majit”. Kreu i qeverisë tha se PS-ja nuk mund të kërkojë ndryshimet kushtetuese për të pasur Presidentin në xhep, ndërsa bëri të qartë z.Topi deri tani ka qenë në krah të Ramës dhe këtë, sipas tij e vërtetoi me votën e hedhur më 8 maj. Shefi i qeverisë komentoi iniciativën e shtabit të juristëve dhe ish-presidentëve për ndryshimet kushtetuese, duke u përcjellë atyre një mesazh që të merren me statusin e PS-së dhe jo me Kushtetutën. “Zoti Rama e pati Presidentin, votoi Presidenti për të, u faktua me votë, dua të theksoj se nuk janë të pakët ato që më thonë, a ndihesh i tradhtuar. Absolutisht aspak, aspak, sepse të jeni të bindur ju se thelbi i përpjekjeve të jetës time ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Tani të kërkosh ndryshime kushtetuese sepse duhet ta fusësh presidentin në gjysmë xhepi, ndërkohë që e ke plotësisht në xhep dhe nuk të dha asgjë më thuaj ti mua sa racionale është kjo” – deklaroi kryeministri Berisha. Në këtë mënyrë Kryeministri Sali Berisha i ka thënë ‘Jo’ ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Shefi i qeverisë theksoi se pas pretendimeve të Partisë Socialiste synohet që opozita të marrë në dorë kartën me emrin e Presidentit të Republikës. Për këtë, kryeministri u tregua i qartë duke dhënë edhe argumentin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu