Toptanasit të përçarë, gjysma agjentë të sulltanit, gjysma patriotë

0
908

Njëri prej tyre ishte alfabeti i vetëm që duhej të përdorej për shkrimin e gjuhës shqipe. Samiu ishte partizan i palëkundur i alfabetit të Shoqërisë së Shkronjëzave Shqipe të Stambollit, e cila mbështetej në parimin fonetik: për çdo zë një gërmë, parim që e kishte detyruar shoqërinë të huazonte për zërat e veçantë të shqipes gërma nga alfabeti grek dhe sllav. Përkundrazi, alfabeti që përdori Faiku në “Albania-n” mbështetej krejtësisht mbi gërmat latine, kurse për zërat e tepërta të shqipes përdori kombinime brenda për brenda alfabetit latin. Hapin që Faiku ndërmori dy vjet më vonë, kur alfabetin e tij të veçantë e zëvendësoi me atë të shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, – i ndërtuar gjithashtu krejtësisht mbi gërmat latine, kurse për zërat e veçantë të shqipes përdoreshin bashkime gërmash të gjuhës latine, të ndryshme nga ato që përdorte Faiku – nuk e zgjidhi përçarjen që ekzistonte në fushën e alfabetit.
Ndryshe nga Sami Frashëri, i cili shpalli në “Komitetin Shqiptar” se kërkonte mëkëmbjen e një organizate të re, si atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila kishte lënë gjurmë të fuqishme brenda dhe jashtë vendit – Faik Konica fliste për krijime klubesh kulturore dhe as që e zinte në gojë veprën e Lidhjes së Prizrenit. Ai as që u shpreh nëse mendonte të krijohej nën shembullin e saj një organizatë e ngjashme me të, në një kohë kur Samiu mbante lidhje me patriotët kosovarë, të cilët përpiqeshin të mëkëmbnin nën shembullin e Lidhjes së Prizrenit një organizatë të re, e cila kur u krijua më 1899 mori emrin Lidhja e Pejës.
Një faktor tjetër që dallonte dy personalitetet e kësaj periudhe ishte konsiderata që ata kishin për aftësitë vetëqeverisëse të shqiptarëve. Ndërsa Sami Frashëri duke marrë si shembull Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kishte besim se shqiptarët ishin të aftë të ndërtonin një shtet të lirë e të pavarur, Faik Konica e kishte humbur krejtësisht besimin mbi aftësinë e shqiptarëve për të organizuar vetë me forcat e veta një shtet të pavarur. Këtë mosbesim ai e ka shprehur më qartë se kudo në letrën që i drejtonte Visar Dodanit në Bukuresht më 21 nëntor 1897:
“Me të vërtetë kujtoj tani se të huajt kanë të drejtë: shqiptarët nuk janë të zotërit të marrin lirimin e tyre. Robër të poshtër nga 500 vjet, e më shumë, robër për jetë do të mbeten. Unë faqëza them: nuk kam shpresë të bëhet kurrë gjëkafshë dhe jam i sigurt se të gjithë ata që mendohen pakëz, me mendjen time janë. Që të kishim shpresa, duhej shqiptarët sot të kishin në një mijë vende komitete të shëndosha, të kishin propagandistë për të vajtur fshat më fshat nëpër tërë Shqipërinë, të kishin ditëtore (revista – K.F.) dhe fleta (gazeta – K.F.) në tërë viset e Evropës, por nuk kanë asgjë. 500 vjet robërim i tundi fare. Të pasurit nuk ndihen, të papasurit nuk punojnë. Ç’presin atëherë?”.
Me gjithë simpatinë që kishte ndaj Anglisë dhe Francës, për ndihmën që ato u kishin dhënë shqiptarëve me botimet e tyre për Shqipërinë – midis Italisë dhe Austro-Hungarisë, dy fuqitë e mëdha që tregonin interes të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë, Faiku zgjodhi Vje-nën, e cila si perandori shumëkombëshe që ishte, ua kishte njohur të drejtat kombëtare të gjitha kombësive të saj.
Nga ky përç-mim i aftësive të shqiptarëve për të ndërtuar një Shqipëri të lirë e të pavarur buronte bindja që pati Faik Konica se Shqipëria nuk mund të dilte në dritë në qoftë se krijimin e saj nuk e merrte në sqetull një fuqi e huaj, siç ishte Perandoria Austro-hungare. Përkundrazi, Sami Frashëri, e shpallte botërisht bindjen se nuk duhej të shpresonin te fuqitë e huaja, mbasi ato kishin dhënë prova se shikonin më tepër interesat e tyre se ato të shqiptarëve. Ai kishte besim të patundur te shqiptarët për të qeverisur vetveten pa përkrahjen e fuqive të huaja. Provën më të mirë e kishte dhënë, sipas tij, Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjatë periudhës që ajo vetëqeverisi Shqipërinë pa praninë e administratës osmane. Ajo vendosi në vendet e çliruara një administratë dhe një rend shembullor – aq shembullor sa sipas shprehjes të përmendur të Samiut, “çdo shqiptar flinte (në atë kohë) me portën e shtëpisë hapur”.
* * *
Kur më 1886 lindi “çështja maqedone” ashtu si Faik Konica, edhe Murat Toptani ishte një personalitet fare pak i njohur. Ishte djali i parë i patriotit të shquar tiranas Sermedin Seit Toptani, bashkëpunëtori i ngushtë i rilindësve të parë, në mënyrë të veçantë i Abdyl Frashërit dhe i Sami Frashërit. Kishte jetuar rreth 20 vjet në internim si kundërshtar i regjimit sulltanor. Gjatë internimit në qytetin Aka të Kaukazit kishte lindur edhe vetë Murati, më 1867. Në fillim të viteve ’90 ai la internimin dhe u vendos në Stamboll. Këtu pati si kujdestar miqtë e atit të tij, Naim Frashërin dhe Sami Frashërin. Në Stamboll ndoqi shkollën e Sulltanies. Nga miqësia me Naimin u lidh edhe krushqia me të: u fejua, pastaj u martua me Asijen, vajzën e Sherif Frashërit (vëllai i Abdylit dhe i Naimit), të cilën pas vdekjes së Sherifit (1874) Naimi e adoptoi si vajzën e tij. Nga Naimi Murati pati dhe një përfitim tjetër: frymëzimin për të hartuar vjersha shqip, të cilat për nga tematika kanë afri me ato të vjehrrit. Naimi duket se ka ndikuar te Murati në njëfarë mënyre edhe në gjuhë, siç e tregojnë këtë poezitë e tij të hartuar në dialektin gegërisht, tepër të afërt me toskërishten. Ndërkohë Murati vizitonte herë pas here atdheun. Më 1894 ai mbaroi shkollën “Sulltanie”. Pasi u martua më 1895 u vendos së bashku me të shoqen, Asijen, përfundimisht në Tiranë ku qëndroi, me disa ndërprerje, derisa vdiq (1918).
Kur u vendos në Tiranë, Murat Toptani e gjeti popullsinë e qytetit të përçarë. Përçarja kishte hyrë edhe në gjirin e familjes së madhe të Toptanëve. Kushërinjtë e tij, Gani Toptani dhe Esat Toptani ishin shndërruar në agjentë të Sulltan Abdyl Hamitit II, kurse pjesa tjetër e Toptanëve së bashku me Muratin kryesonin krahun patriotik të popullsisë së Tiranës. Vetë Murati u bë një nga shtyllat e shkollës shqipe që u hap në Tiranë më 1897. Duket se nën ndikimin e Muratit u përdor alfabeti i Stambollit, të cilin qytetarët tiranas e quajtën alfabeti i Naimit. Më 28 tetor 1897 ditën kur do të hapej shkolla shqipe në Tiranë Murat Toptani u arrestua nga xhandarmëria turke. Në lidhje me përshtypjen që shkaktoi arrestimi i tij, nënkonsulli austro-hungarez në Durrës raportonte: “Arrestimi i Murat Toptanit nga qeveria turke shkaktoi një zemërim të madh ndër shqiptarët. Refiku, vëllai i Muratit ka pamjen e një kalorësi evropian, megjithëse nuk ka qenë në perëndim. Ai ka bindjen e plotë se kajmekani e ka paditur Muratin dhe proteston kundër arbitrariteteve të tij”.
Arrestimi i Murat Toptanit u përhap menjëherë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Lajmin e dha shumë shpejt gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit: “Një gjë me rëndësi të madhe u bë këto ditë në Shqipëri. Kartat që na vijnë që andej thonë se Turqia zuri Murat beun dhe do ta bëjë syrgjyn (internim – K.F.)”.
Murat Toptani mbasi u mbajt i burgosur për disa kohë në Manastir u internua larg Shqipërisë, në fillim në Ganipoli të Dardaneleve dhe më vonë në Tripoli të Afrikës Veriore. Disa muaj më vonë, aty nga mesi i vitit 1898 ai u arratis nga Tripoli, duke dalë jashtë kufijve të Perandorisë Osmane. Në fillim shkoi në Itali (në Napoli dhe në Brindizi). Këtu arbëreshët e Italisë e pritën si hero. Së andejmi ai i dërgoi letër, më 14 korrik 1898 valiut të vilajetit të Manastirit, me të cilën pasi protestonte për burgimin e padrejtë, kërkonte të falej si njeri i pafajshëm.
“Rashë viktimë e një shpifjeje. U burgosa dhe u dënova me internim… Po të bëni hetime me siguri të gjithë banorët e vilajetit do të vërtetojnë pafajësinë time. Apo mos vallë dhe shkëlqesinë tuaj e kanë bindur për shpifjet e bëra kundër meje nga njerëz mizorë… Gjatë kohës që ndodhesha i burgosur i paraqita selisë tuaj të lartë disa herë lutje me të cilat parashtroja gjendjen time të shkatërruar. Mesa duket aq tepër do të jeni informuar keq për mua sa të mos dëgjoni zërin tim të ankimeve dhe të mos merrni parasysh lutjen time që kërkonte ndihmën tuaj. Duke qenë i pafajshëm mbeta në qoshet e internimeve, i mjeruar dhe i persekutuar. Mjerimi im i kaloi kufijtë e durimit. Në këto rrethana mora parasysh çdo rrezik dhe u arratisa”.
Valiu i Manastirit nuk u përgjigj. Si rrjedhim, Murat Toptani qëndroi në arrati. Arratisja pati jehonë të thellë edhe në qarqet diplomatike evropiane, sidomos austro-hungareze.
Disa ditë pas letrës që i dërgoi valiut të Manastirit, Murat Toptani i nisi më 31 korrik 1898 një artikull gazetës “Shqipëria” që Visar Dodani botonte në Bukuresht (Rumani). Në artikullin me titull “Shqipëria e shqiptarëve”, shkruante:
“Ata njerëz që kanë hyrë në Mal të Zi janë faqezinj, shalrjepë, që s’munden të rrojnë si shqiptarë të vërtetë me pushkë në dorë. E fort mirë kanë bërë! Të largohen të ligjtë e të mbesin vetëm trimat e lirë. Vetëm zogjtë e Shqipërisë rrojnë nëpër malet e larta me borë! E jo të zezat gala e sorra! Shumë jetë Shqipërisë! Le të mos lavdërohet Nikolla (princi i Malit të Zi – K.F.), na ka njoftë e do na njohi. Le të thotë kush të dojë që shqiptarët janë të egër. Po! Më të egër se luani jemi, kur një i huaj vë këmbën me dhunë në këtë Shqipëri të bardhë që është kuqur sot nga gjaku që kemi derdhur e po derdhim për lirinë e saj…”
Në të njëjtën kohë ai shprehte bindjen e njëjtë me atë të Samiut, se Shqipëria pasi të çlirohej nga zgjedha do të ecte shumë shpejt drejt përparimit.
“Me njëzet vjet liri – shkruante ai në po atë artikull – Shqipënia mund të prijë e të shkojë para më shpejt se Bullgaria e se Japonia. Ne, sa shqiptarë që jemi, do të luftojmë për me liru Shqipëninë. Kush-di dhe Shqipëria ç’ë bahet? Jo, kurrë nga zemra e trimave shqiptarë, kurrë për jetë s’u del shpresa e dëshira e lirisë. Shqipërinë për shqiptarët”.
Nga Italia, Murat Toptani shkoi në Bruksel (Belgjikë) ku u takua me Faik Konicën dhe së bashku me të udhëtuan për në Bukuresht. Shqiptarët e Bukureshtit u bënë të dyve, por ca më tepër Murat Toptanit një pritje madhështore. Më 1898 ai shkoi në Egjipt, përsëri në Itali, pastaj përsëri në Bukuresht. Arbëreshët i Italisë dhe shqiptarët e mërguar e pritën kudo me entuziazëm. Arratisjen e tij e brohoritën si një akt “për fatmirësinë e Shqipërisë dhe për gëzim të gjithë atyre që ndjehen shqiptarë”. Murat Toptani ngjalli te shqiptarët e mërguar shpresën se po trokiste ora e çlirimit të atdheut nga zgjedha shekullore. Madje jehona e veprimtarisë së tij si emigrant i shquar politik e vunë Toptanin në qendër të vëmendjes edhe të shteteve të huaja të interesuara për ngjarjet në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë figura e Murat Toptanit u ndodh në qendër të divergjencave që ishin shfaqur midis Faik Konicës dhe Sami Frashërit.
* * *
Pikëpamjet që shprehu Murat Toptani pas arratisjes së tij nga Perandoria Osmane tregonin se ai kishte pika takimi, por edhe pika dallimi si me platformën e Sami Frashërit, ashtu edhe me atë të Faik Konicës. Duhet të kujtojmë këtu se Murat Toptani ishte për nga mosha 17 vjet më i ri se Sami Frashëri dhe 8 vjet më i madh se Faik Konica.
Faik Konica ishte për Muratin më simpatik se Sami Frashëri. Ai e njihte Faikun që kur ishin nxënës shkolle në Stamboll. Që kur ishte nxënës ai e çmonte Faikun për zgjuarsinë, energjinë, vendosmërinë dhe ambicien. Krahas virtyteve, ai i atribuonte atij edhe disa vese. Para se të nisej për në Bukuresht, ku e priste Faiku, në një letër që i drejtonte nga Brindizi Visar Dodanit në Bruksel më 22 korrik 1898, ai i shkruante:
“E kam njohur fort të vogël kur ish në Stamboll, e donje fort edhe i thonja shumë herë: ti do të bënesh burrë i math dhe shqipëtar edh’ e puthnja shumë herë atë shenj të bukurë të madhe që ka në mjekër. Po të them që e donja si vëlla, si bir, si shpirti im, edhe tash e dua se më dolli profecia e falli. Faiku u bë ashtu siç u pata lutur Zotit, po nuk di: a dot ma dëgjonjë fjalën t’ime?” Asht i egër, zien si prush!”.
Në fakt, Murati nuk pajtohej me shumë mendime të Faikut. E dinte se po t’ia thoshte haptazi vërejtjet e tij, Faiku do të reagonte, madje ashpërsisht. Këtë kuptim kanë fjalët që ai i shkruante Visar Dodanit në letrën e përmendur:
“Po e mbrapëna unë dëshmitari do të vete në Bruksel e do të rrihemi me të me grushta si anglezët, si amerikanët, se ndryshe me kokën që ka Spiroja (pseudonimi i Faik Konicës – K.F.) s’i dilet dot! Zoti ia falte mëmëdheut të ngratë! Sikur ne të kishim edhe më të tjerë si ai zotëri. Por dashuria e bën egoistë. I duam vëllezërit të jenë fare pa ngalëz e të thjeshtë. Shumë jetë Shqipërisë!”.
Për temperamentin e Faik Konicës si kolerik, për denigrimet dhe fyerjet që ai i bënte kundërshtarëve të vet është folur, madje edhe kritikuar me kohë. Ai ishte i prirur që brenda natës të kalonte edhe ndaj miqve të tij më të ngushtë nga vlerësimet pozitive në epitetet më negative që mund të dëgjonte njeriu në atë kohë. Më 1898 kur shkoi së bashku me Murat Toptanin në Bukuresht ai e çmoi atje patriotin tiranas si vlerë të kombit shqiptar. Por pasi Murati dëgjoi këshillën e Naimit dhe të Samiut u riatdhesua, Faiku lëshoi kundër tij breshëri fyerjesh. Në një letër drejtuar Visar Dodanit më 3 prill 1900 duke kujtuar vizitën e përbashkët që kishte bërë me Muratin dy vjet më parë (1898 – K.F.) në Rumani, ai shkruante: “Unë erdha në Bukuresht, dy vjet më parë, të piqem me ju. Bashkë me mua ishte dhe një shërbëtor i sulltanit me emrin Murat Toptani. Shqiptarët e Bukureshtit që janë të pasur e hiqen si atdhetarë, prishën nja 10.000 franga për shërbëtorin e sulltanit (Murat Toptanin – K.F.). Ai pastaj u ngrit e vate në Stamboll: me qi jam sado larg, nga gjaku me Ali Pashë Tepelenën, unë që u rrita sa vjet në Evropë me dëshirën e Shqipërisë që më në fund hapa i pari luftën e jam duke punuar e duke vuajtur që pesë vjet mua s’e gjykoj njeri mirë të më ndihë, jo për vete por për fjalorin e Boçarit që donja ta nxirrja e për disa të tjera libra, që presin të shtypen”.
Faiku u zemërua me shqiptarët e Rumanisë, jo aq për Murat Toptanin, por për lidhjet e tyre me Sami Frashërin dhe Naim Frashërin, të cilët tani ai i konsideronte kundërshtarë të rreptë të tij. Për shkak të këtyre lidhjeve ai e akuzoi pa të drejtë kryetarin e shoqërisë së Bukureshtit, Pandeli Evangjelin, përkrahës i Naimit dhe i Samiut, si agjent grek vetëm sepse Shoqëria e Bukureshtit nuk pranoi të hiqte dorë nga alfabeti i Stambollit. Madje, ai nuk e përmbajti veten kur duke folur për abetaren shqipe të botuar me alfabetin e Stambollit i cili dihet se është vepra e Sami Frashërit ta stigmatizojë më 29 nëntor 1901 “se është turp në sytë e botës së qytetëruar të përdorim një abetare të ndyrë e të egër si atë që na nxorën këmbëlëpirësit e sulltanit”.
Një nga çështjet me të cilat Murat Toptani nuk arriti të merrej vesh me Faik Konicën ishin marrëdhëniet që duheshin krijuar me arbëreshët e Italisë. Nga pritja entuziaste që i bënë arbëreshët në Napoli dhe në Kalabri, ai formoi bindjen se ata e donin Shqipërinë si patriotë shqiptarë. Nuk harroi të vinte në dukje me këtë rast lajkën që i bëri gazetari arbëresh Anselmo Lorekio se ai, Murat Toptani, meritonte të quhej pasardhësi i Skënderbeut. “Po shoh që vëllezërit e Italisë – shkruan Murat Toptani po më 22 korrik 1898 – punojnë me gjithë zemër për të mirën e Shqipërisë… Ëndërr e italianëve është që të kenë detin Adriatik të lirë, se po të jetë në dorë të Austrisë, tregtia nuk punon më”. Ai mendonte se edhe me shtetet e tjera Shqipëria duhej t’i kishte marrëdhëniet e mira. Megjithatë, vazhdonte ai, “sa të mundemi me faqe të bardhë e me gjak të ftohtë. Shkurt, të mundohemi gjithnjë ta çojmë ujët po në arën tonë. E zeza politikë e bën draguan dhelpër”. Përkundrazi, Faik Konica tani i lidhur me politikën e Austro-Hungarisë vazhdoi qëndrimin e vet kundër Italisë. Për këtë arsye ai nuk arriti të merrej vesh me Murat Toptanin në lidhje me bashkëpunimin me arbëreshët e Italisë. Pavarësisht nga divergjencat Murati e respektoi Faikun.
Pas Brukselit të dy bashkë, Faiku dhe Murati, shkuan, siç u tha, në Rumani. Kolonia shqiptare në Bukuresht u bëri një pritje tepër të ngrohtë. Në kohën kur ata zbritën nga treni në stacion kishin dalë për t’i pritur me qindra anëtarë të kolonisë së Bukureshtit. Mërgimtarët e Rumanisë tashmë të entuziasmuar nga përshtypja e mirë që arratisja e Murat Toptanit kishte lënë në opinionin evropian, i bënë patriotit tiranas një pritje më të ngrohtë se sa patriotit konicar. Zemërimin që pati nga kjo sjellje ndaj Murat Toptanit, Faiku e ka shprehur në një letër që i dërgoi Visar Dodanit dy vjet më vonë, duke e quajtur, siç u tha, “shërbëtor i sulltanit”, vetëm se pse ai u kthye në Shqipëri për të vazhduar veprimtarinë patriotike në atdhe.
Ndërsa besimi i Murat Toptanit te platforma e Faik Konicës zbehej nga dita në ditë, platforma e Sami Frashërit po fitonte përherë e më tepër terren në ndërgjegjen e patriotit tiranas. Katër çështjet që ia tronditën Muratit besimin e mëparshëm te Faiku qenë: e para, presioni që ushtronte Faiku për të mbështetur fatin e ardhmërisë së Shqipërisë në politikën e Austro-Hungarisë në një kohë kur Murati filloi të anonte nga pikëpamja e Sami Frashërit, se Shqipëria kishte nevojë edhe për ndihmën e Italisë, rrjedhimisht edhe për atë të arbëreshëve të Italisë, të cilët nuk po e kursenin përkrahjen e tyre në mbështetjen e Lëvizjes Kombëtare. E dyta, gjuha fyese e ashpër që Faiku po përdorte kundër Samiut dhe Naimit, e cila shkonte deri në atë masë sa t’i stigmatizonte të dy vlerat e shquara të Rilindjes Kombëtare si “këmbëlëpirësa” të sulltanit. E treta, mospërfillja e Faik Konicës ndaj veprimtarisë që po zhvillonin personalitetet e shquara të Kosovës e të Dibrës për të rimëkëmbur Lidhjen e Pejës, e ngjashme me Lidhjen e Prizrenit, e cila do të përballonte çështjen kombëtare shqiptare në vorbullën e “çështjes maqedone”. E katërta, sulmet ofenduese që Faik Konica shprehte kundër alfabetit të Stambollit si një alfabet jo kombëtar, i cili gjoja e dëmtonte, sipas tij, identitetin e gjuhës shqipe.
Por edhe afrimi i Murat Toptanit me dy vëllezërit Frashëri të Stambollit nuk ishte pa probleme. Këmbëngulja e tyre që ai të kthehej në atdhe mbasi lëvizja kombëtare në vend kishte më tepër nevojë për të se Evropa donte të thoshte për Muratin të humbiste
lirinë që kishte fituar me arratisjen e tij për të punuar dhe për të lëvizur. Përshëndetjet, nderet, vizitat, takimet e zhvilluara lirisht të cilat nuk do t’i gëzonte në Shqipëri bënin punën e tyre.

 

(Vijon nesër)

Nga Kristo Frasheri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu