Trashëgimia e fshehtësisë

0
239
Trashëgimia e fshehtësisë

Që kur dialogu Kosovë – Serbi u ngrit në nivel presidentësh, pak është treguar dhe ditur për përmbajtjen e procesit, duke ushqyer kështu dyshime e spekulime për mundësinë e një ujdie të rrezikshme për vendin.

Krijimi i qeverisë së re në Kosovë, e dyta brenda pjesës së parë të vitit, po shton paralajmërimet e Bashkimit Evropian dhe të të dërguarit të Washingtonit për vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi të filluar prej më shumë se 8 vitesh.

Megjithatë, asnjë prej palëve nuk po tregon ende se nga do të nisë apo çka do të ketë në tavolinë ky ‘rifillimi i dialogut’.

Që kur presidentët e Kosovës dhe Serbisë kanë filluar takimet, pak është treguar dhe ditur rreth përmbajtjes së tyre.

Para rifillimit të bisedimeve, që po cilësohen si ‘përfundimtare për normalizim marrëdhëniesh’, publiku në Kosovë nuk di asgjë se çka do të vazhdojë të negociohet së shpejti. Gjithashtu ende nuk janë krejt të njohura të gjitha ujditë e mëparshme, sidomos ato që lidhen me takimet e Presidentit Hashim Thaçi.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës mes viteve 2011 –2016, Edita Tahiri, thotë se në kohën sa ka udhëhequr dialogun, marrëveshjet në anën kosovare janë interpretuar ashtu siç kanë qenë. “Jo çdo herë ka pasur rezultate të favorshme. Por kemi bërë maksimalen e mundshme. Disa marrëveshje janë diskutuar për muaj të tërë dhe nuk ishte e mundur të tregohet e tërë përmbajtja e saj”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Negocimi pa shumë gjurmë

Në kuadër të këtij projekti rreth dialogut, është kërkuar qasje në dokumentet zyrtare të marrëveshjeve dhe dokumentet tjera të takimeve, përfshirë edhe procesverbalet për takimet dhe diskutimet rreth një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi.

Zyra e Presidentit, përmes një emaili është përgjigjur se nuk ka asnjë dokument dhe as procesverbal në lidhje me takimet e Thaçit me homologun e tij serb rreth normalizimit të marrëdhënieve.

Përgjigje për këtë nuk ka dhënë as qeveria në kohën kur ajo drejtohej nga ish-kryeministri Albin Kurti, e as pasi ekzekutivi u zëvendësua me Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Prej se ka marrë pozitën, kryeministri Avdullah Hoti ka folur për rifillimin e bisedimeve me Serbinë, përfshirë edhe heqjen e reciprocitetit në simbole shtetërore në dokumente, duke thënë se “interes jetik do të jetë dialogu dhe arritja e marrëveshjes mes dy shteteve, në respektim të kushtetutës”. Por nuk ka përmendur ndonjë plan për bisedimet.

Për diskutimet prapa dyerve të mbyllura me ndihmën e zyrtarëve evropianë, as BE nuk ka treguar aq transparencë përgjatë gjithë procesit të deritashëm negociues, duke mohuar përgjegjësinë për bërjen publike të asaj që po negociohej. “Sidoqoftë, është përgjegjësi e Beogradit dhe e Prishtinës që të krijojnë kushtet e duhura dhe transparencë për dialog”, i ka thënë “Zërit”, Peter Stano, zëdhënësi Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.

Kuvendi ka miratuar pesë rezoluta rreth procesit të dialogut: në 2011, 2012, 2013, 2018 dhe 2020. Përmes këtyre rezolutave, përveç mandatimit të Qeverisë për të negociuar me Serbinë në Bruksel, Parlamenti po ashtu obligon Qeverinë për të raportuar në mënyrë të rregullt në Kuvend për procesin e dialogut.

Por në vazhdimësi në Kuvend janë ngritur shqetësime se Presidenti po anashkalon Parlamentin mbi takimet dhe marrëveshjet me Serbinë.

Në përpjekje për të forcuar pozicionin e tij në dialog, në tetor 2018, presidenti Thaçi i pat kërkuar interpretim Gjykatës Kushtetuese nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga ai konsiderohen të ratifikuara. Në janar 2019, kërkesa e Presidentit ishte shpallur e papranueshme nga Kushtetuesja me arsyen se ai nuk e ka mbështetur mjaftueshëm kërkesën e tij.

Pasi ish-kryeministri Ramush Hardainaj përgjegjësitë për dialogun ia delegoi Presidentit, ai formoi një ekip negociator i kryesuar nga Fatmir Limaj i Nismës dhe Shpend Ahmeti, ish-kryetar i PSD-së. Kuvendi miratoi një ligj me të cilin delegacionit i jepej mandat për dialog dhe ai duhet t’i përgjigjej Kuvendit. Por ky ekip u gjet kundërkushtetues nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2019.

Në atë kohë, bashkëkryesuesi i ekipit, Shpend Ahmeti, konfirmoi se presidentit Thaçi i ishte “kërkuar informacion dhe dokumentacion zyrtar për dialogun”. Por nuk u kuptua asnjëherë zyrtarisht nëse ekipi kishte marrë atë që kishte kërkuar.

Në 2019, pak para se delegacioni të shpallej jo kushtetues, Zyra e Presidentit ia kishte dërguar Delegacionit Shtetëror një “dokument të përditësuar mbi fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së”.

Në këtë dokument, Zyra e Presidentit konfirmon zyrtarisht se deri më tani, BE-ja dhe të dy shtetet e përfshira në këtë proces, nuk kanë prodhuar asnjë dokument të shkruar zyrtar i cili do të mund të konsiderohej si një draft fillestar për marrëveshje. Sipas kësaj letre, të gjitha çështjet e diskutuara deri më tani, janë ende të hapura.

Në këtë dokument prej 9 faqesh të Zyrës së Presidentit përmenden data takimesh dhe tema të ndryshme, por nuk përmendet askund ndryshimi i kufijve apo korrigjimin e kufijve, që e kishte ngritur disa herë gjatë vitit 2018 si diçka që ai do ta kërkojë.

Ky konfirmim i Presidentit vjen gati tre muaj pasi ish-kryeministri Haradinaj kishte vendosur taksën 100% ndaj produkteve serbe “për të ndalur ndarjen e Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi” që u bë shkak për bllokim të dialogut.

Një raport i qeverisë së Kosovës i vitit 2018 mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel tregon se “do të jetë e vështirë të ketë një ekuilibër mes kërkesave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe interesave të palës serbe”.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se asnjëherë nuk është ditur se cila ka qenë platforma e Kosovës apo e Serbisë në dialog. “Jo të gjitha marrëveshjet ishin transparente, sidomos plani i zbatimit që rrjedh nga këto marrëveshje si në rastin e marrëveshjes për drejtësinë”, ka thënë Krasniqi për Zëri.

Ajo thotë se gjithashtu nuk dihet se çfarë është diskutuar në nivel të presidentëve të Kosovës e Serbisë në fazën finale të dialogut. “Korrigjimi i kufijve ka qenë temë që është shtyrë përpara nga Presidenti i Kosovës, duke e thënë publikisht këtë gjë, por ne nuk dimë saktë asgjë tjetër”, shton ajo.

Qëndrimi i mbyllur i BE-së si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi u ka mundësuar të dy palëve t’i interpretojnë marrëveshjet në favor të tyre, duke ua mundësuar “t’ia shesin” më lehtë publikut marrëveshjet apo atë që është biseduar.

Ujdi për të mos treguar

“Të panjohurat e procesit të deritashëm shtojnë dyshimet dhe frikën te qytetarët se mos pala kosovare do të vihet para një akti të kryer që të pranojë një marrëveshje të dëmshme”, thotë për “Zërin”, Blerim Vela, doktorant në Studimeve Bashkëkohore Evropiane në Universitetin Sussex në Britani të Madhe.

“Tani çështja është se cili do të jetë çmimi që duhet të paguajë pala kosovare për një marrëveshje me Serbinë”, shton ai.

Nga perspektiva e raportimit, për gazetarët që kanë përcjellë bisedimet, ky është procesi më jotransparent krahasuar me negociatat tjera.

Gjeraqina Tuhina, korrespondente e Radio Televizionit të Kosovës nga Brukseli, thotë se përveç mediave, shpesh edhe shtetet anëtare të BE-së janë lënë në terr për atë që po ndodhte në procesin negociator.

“Raportimi ka qenë sipërfaqësor dhe ka pasur më shumë vlerësime për ‘atmosferë konstruktive’ se sa informacione konkrete se për çfarë konkretisht po diskutohet”, thotë Tuhina.

Ajo shton se dallimi thelbësor mes të dialogut të Brukselit dhe negociatave të Vjenës, përpos transparencës, është edhe struktura e përfaqësuesve të cilët në emër të qytetarëve të tyre zhvillojnë proces aq serioz. “Në procesin e Vjenës, delegacionet përbëheshin nga bartësit e institucioneve dhe tërë spektrit politik. Ndërsa dialogu i Brukselit zhvillohet në mes të vetëm dy liderëve”, thotë ajo.

Në lidhje me marrëveshjet në Kosovë, mediat kanë parë një shfaqje të dy lloj fitoresh por jo edhe përmbajtjen e tyre në kohë të duhur të asaj që është negociuar.

Teuta Arifaj, gazetare në KohaVizion, thotë se diskutimet prapa dyerve të mbyllura dhe mosinformimi i Kuvendit dhe publikut ka bërë që të vazhdojnë “paqartësitë e mëdha sa i përket çështjes së shkëmbimit të territoreve”.

Duke qenë në pozicione të pabarabarta, në Serbi negociatat janë interpretuar si fitore. Por në shumë raste informacioni ka qenë i pasaktë.

Aleskandar Miladinoviq, gazetar i BBC-së në Beograd, e përshkruan këtë proces dialogu si një marrëveshje për t’ia servuar publikut vetëm atë që klasifikohet si pozitive. “Që nga fillimi i dialogut, për publikun serb ka qenë e paqartë se çfarë po negociohet, pajtohen apo nënshkruajnë. Kur dialogu filloi të udhëhiqej nga presidentët, gjërat u bënë edhe më të mistershme”, thotë Miladinoviq për “Zërin”.

“Duket se dialogu do të mbetet nga proceset e kontrolluara më së miri sa i përket rrjedhjes së informacionit ngase në dialogun mes presidentëve pak njerëz kishin mundësi të njiheshin me procesin nga brenda”, thotë ai.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autoreve  dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, BIRN-it apo AGK- së.

Shkruan: Arta Berisha & Serbeze Haxhiaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu