Tre ‘musketarët’ që po mbajnë peng marrëveshjen VMRO – BDI

0
619

tre musketaret

Tre deputetët e BDI-së, Zulfi Adili – Qufa, Hazbi Lika dhe Xhevat Ademi po mbajnë peng ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Maqedonisë.

Kjo situatë ka shkaktuar nervozizëm tek VMRO-DPMNE, e cila insiston që të respektohet marrëveshja dhe të votohen ndryshimet kushtetuese.

Në bazë të një marrëveshje partiake midis VMRO-DPMNE dhe BDI është dakorduar që të miratohen ndryshimet kushtetuese, edhe pse ato janë ndeshur edhe shumë kritika nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të mungesës së dialogut politik dhe përfshirjes edhe të opozitës maqedonase, e cila po bojkoton Parlamentin.

Deputetët e rebeluar i janë shmangur deklaratave për mediat, ndërsa siç mëson INA ata po mbajnë të bllokuar këto ndryshime nga bindja parimore se pasi që është hapur çështja e ndryshimeve të Kushtetutës, duhet të përfshihen edhe kërkesat që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe e gjithë ajo që ishte premtuar edhe në zgjedhjet e fundit.

Kërkesat e deputetëve janë se ndryshimet kushtetuese duhet të përfshijnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe duke e përkufizuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe jo gjuhë e bashkësisë etnike mbi 20 %, më pas ndryshimet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, ndryshimet kushtetuese për funksionalizimin e institucioneve ekzekutive ku duhet të aplikohet sistemi i heqjes së majorizimit dhe mbivotimit si dhe kërkesa të tjera.

Gjithashtu bëhet e ditur se shumica e krerëve më të lartë të BDI-së kanë lutur tre deputetët që të heqin dorë nga këmbëngulësia e tyre dhe të votojnë këto ndryshime, por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat për tërheqjen e tyre. Deputetët e kontaktuar nga INA kanë deklaruar se nuk do të deklarohen për mediat lidhur me vendimet e tyre, por këtë do ta bëjnë gjatë periudhës në vijim.

VMRO-DPMNE dhe BDI deri tani nuk po arrijnë të sigurojnë numrat e nevojshëm prej 82 votave për të votuar këto ndryshime.  Nga ana tjetër, PDSH është shprehur se do të votojë kundër këtyre ndryshimeve dhe pazareve të  bëra midis dy partive në pushtet dhe se kjo parti ka theksuar këto ndryshime nuk përfshijnë çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Ndryshimet e Kushtetutës përcaktojnë këto çështje:

Martesa përcaktohet si bashkësi mes burrit dhe gruas,

Saktësim të rregullave fiskale në buxhetin me kufizim të deficitit buxhetor prej 3% dhe të borxhit publik prej 60% nga GDP,

Ndryshimi i emrit të Bankës Popullore në Banka e Maqedonisë,

Aplikimi i institutit “Ankesa kushtetuese”,

Ndryshimi i përbërjes së Këshillit gjyqësor,(hiqen ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës Supreme nga Këshilli – aktualisht dy udhëheqësit  janë  shqiptare)

Ndryshime të kompetencës për vendosje për ankesat e vendimeve të Këshillit Gjyqësor për zgjedhje të gjykatësve,

Shkarkim ose sanksion për gjykatësin ose kryetarin e gjykatës dhe sjellje të kompetencës, për ankesat e vendimeve të Këshillit ndaj prokurorëve publikë,

Shkarkim ose sanksion tjetër për prokurorin publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

(INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu