Trepça në rrezik të tjetërsimit

0
790

Trepça 1

Gjiganti i metarlugjisë, Trepça, ka rrezik që shumë shpejt të dalë në likuidim.

Kjo për shkak vendimit që është marrë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila të martën (sot), ka lëshuar një vendim, me të cilin i ndrejtohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilës i jep afat më pak se një muaj që të bëjë një plan për të shpëtur  atë.

Në të kundërtën më 2 shkurt kjo minierë, e cila konsiderohet si aseti më i madh ekonomik i vendit, do të dalë në likuidim, transmeton zeri.info.

Kjo çështje, është diskutuar të martën në komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, anëtarët e së cilës kanë reaguar ashpër ndaj një vendimi të tillë.

Pal Lekaj nga AAK, pjesë e këtij komisioni, bëri të ditur për ‘Zërin’, se gjithë anëtarët unanimisht janë pajtuar që të bëjnë një shkresë zyrtare qeverisë dhe kryesisë së Kuvendit, që ligji për Trepçën të procesohet me urgjencë sa më parë, pas parasysh rëndësinë që ka Trepça.

“Ne kundërshtuam fuqishëm vendimin e marrë nga Dhoma e Posaçme për Trepçën, që të dalë në likuidim më datën 2 shkurt. Një gjë e tillë nuk është në interes të askujt, përpos që është çështje politike e papranueshme për vendin dhe për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje”, u shpreh Lekaj.

Ai shton se nga likuidimi i Trepçës përfitojnë kreditorët, kurse humb vendi.

Trepça 3

Për mos miratimin e ligjit për Trepçën kanë reaguar edhe ndërkombëtarët në Prishtinë.

Ian Cliff, ambasadori britanik, ka thënë për ‘Zërin’, se qeverisja e re e Kosovës, duhet ta ketë prioritet miratimin e këtij ligji.

“Ligji për Trepçën, duhet të jetë prioritet, sepse ai do të ndihmojë për të rigjallëruar dhe siguruar të ardhmen e një prej aseteve më të rëndësishme ekonomike të vendit”, është shprehur Cliff.

Ian-Cliff

Ian Cliff

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, e cila fuqishëm çdo herë ka kundërshtuar privatizimin e Trepçës, thotë se kjo minierë duhet të mbrohet nga privatizimi me anë të ligjit.

“Trepça me ligj duhet të shpallet e paprivatizueshme, dhe të ndalohet koncesionimi i saj. Po ashtu vendimet për Trepçën duhet të merren me 2/3 e deputetëve e jo me shumicë të thjeshtë siç e thotë Ligji për Ndërmarrjet Publike. Industria bazë e saj, e që janë minierat, metalurgjia dhe industria kimike, kërkojnë investime urgjente për t’u revitalizuar. Këto pastaj do të paraqesin bazën e zhvillimit të industrisë së përpunimit të metalit”, thuhet në përgjigjjet e VV-së, dhënë për Zërin.

Albin Kurti

Vetëvendosje

Sipas përfaqësuesve të kësaj lëvizje, shteti duhet të marrë pjesë aktive në revitalizimin e këtyre degëve të industrisë së Kosovës për shkak të interesit afatgjatë që këto bartin për Kosovën.

“Asnjë prej këtyre çështjeve nuk është trajtuar kurrë nga qeveria e Kosovës. Ose të paktën nuk kanë treguar kurrë se çfarë e kanë ndërmend të bëjnë me këto çështje pasi ta kenë shndërruar në ndërmarrje publike. Shndërrimi i Trepçës në ndërmarrje publike për t’i hapur rrugë privatizimit të saj është i papranueshëm për ne”. thuhet më tutje në përgjigjen e tyre. /Zëri/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu