Tri ngjarje të një dite

0
682

Të shtunën, më 9 prill, shqiptarët patën tri ngjarje në një ditë.

E para : Ditët e shqipes në Koshare

Kështu quhej manifestimi që u mbajt në Koshare. Kishin ardhur shqiptarë nga mbarë Shqipëria Natyrale. Kolonës së makinave nuk i shihej as fillimi, as fundi. Ishin shpalosur banderolat me « parullat » : « Koshare qëndresë kombëtare », « S’ka kufij ndër shqiptarë », etj. Dhe vërtetë kështu do të duhej të ishte edhe natyra e këtij manifestimi. Në betejën e Koshares, për thyerjen dhe zhbërjen e kufirit që ndante shqiptarët kishin luftuar dhe kishin rënë shqiptarë nga të gjitha komunat e sotme të Shqipërisë Verilindore ( ato të Kosovës së sotme, Shkupit, Kumanovës, etj.). Kishte luftëtar dhe dëshmorë nga Tropoja e Bajram Curri, etj. Pjesëmarrja kaq mbarëkombëtare në këtë betejë tregon dëshirën, përcaktimin dhe vullnetin e kombit shqiptar për të jetuar në një shtet të vetëm, në një Shqipëri. Kjo dëshirë dhe ky përcaktim u vulosë në këtë betejë me jetën dhe gjkun e djemëve nga mbarë Shqipëria Natyrale dhe mërgata shqiptare. Kjo betejë vërtetoi se BETIMI i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Rezoluta e Bujanit…, shprehte dëshirën shekullore të popullit shqiptar për një Flamur, një shtet, një Shqipëri . Njëri prej luftëtarëve dhe dëshmorëve të dalluar në këtë betejë ishte Xhemajl Fetahu, i cili ishte i burgosur politik, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, anëtar i Këshillit Qendror të Fondit « Vendlindja thërret » dhe mbit ë gjitha atdhetar dhe luftëtar i pa lodhur për bashkimin e kombit në një shtet të vetëm, në një Shqipëri.

Luftën e drejtë të UÇK-së për heqjen e kufijve që ndanin kombin dhe Shqipërinë kishin ardhur ta ndihmonin edhe bijë të popujve të tjerë . Në këtë betejë luftuanë dhe ranë me armë në dorë edhe francezë, italianë, arabë…, të cilët me luftën, jetën dhe gjakun e tyre i dhanë kësaj lufte karakterin e një lufte të drejtë edhe në kuptimin ndërkombëtar.

U zgjata pak për të rikujtuar edhe njëherë karakterin antipushtues, kombëtar dhe çlirimtar të kësaj Lufte. U zgjata sepse, “të gjallët|” po përpiqen në mënyrën më perfide ta « harrojnë » (dhunojnë) karakterin dhe të vërtetën e kësaj Lufte. Nga politikanët e sotëm, intelektualët, artistët dhe nga kalemxhinjtë e llojit dhe sojit « kosovarë » (një katramë nën maxhyp) po bëhen përpjekje që shtetin e Kosovës ta paraqesin dhe shesin si realizim përfundimtar dhe si ëndërr të dëshmorëve, amanetin e të cilëve e quanë në vend dhe po e mbajnë të gjallë ky farë soji i çoroditur « kosovar ». Njësoj ndodhi edhe në Koshare . Mu në lëndinën ku ishin varrosur dëshmorët ishin ngritur, përvec flamujve kombëtar edhe shumë flamujë-leckë të Atisarit (Bosnës) ! Një flamur që dëshmorët nuk e kishin njohur as parë kurrë për të gjallë. Më keq akoma, manifestimi u hap me « himnin » e Atisarit – Bosnës), pa Himnin kombëtar !! Prita ulur deri sa mbaroi ky farë himni dhe pastaj u ngrita e ika. Nuk më besohej që edhe një pjesë e bashkëluftëtarëve të tyre po binin në grackën e ngritur si pa të keq nga “kosovarët” (jugosllavët e djeshëm).

Manifestimet për dëshmorët nuk do të duhej kurrë të merrnin karakterin e ceremonive « shtetërore », politike e partiake. Duhet të çlirohemi njëherë nga ndjenja dhe shpirti i robit, hipokrizisë dhe servilizmit që karakterizon atë pjesë të klasës politike, intelektuale dhe mediale, e cila mungesën e patriotizmit jugosllav po mundohet ta kompenzojë me patriotizmin « kosovar » !

E dyta: Orkestra mbarëshqiptare e filharmonisë

Kjo ishte ngjarja dhe lajmi i gëzueshëm, pas multikoshares, për shqiptarët. Në Tiranë, me nismën e artistëve të mbarë hapsirës shqiptare (Shqipërisë), u themelua Orkestra mbarëshqiptare e filharmonisë. Një ngjarje vërtetë kulturore, artistike por, me një porosi të madhe për kombin shqiptar në Ballkan. Një nismë që shpreoj se do ta ndjekin edhe partitë politike, edhe bashkësitë fetare, edhe shkollat, edhe …, edhe gjithë shqiptarët. Një nismë që po i kundërvihet dhe po del para projektit që synon ruajtjen dhe thellimin e copëtimit të gjeografisë, historisë dhe kulturës sonë. Madje, ky projekt dhe ideologët e tij po kërkojnë me këmbëngulje edhe copëtimin dhe zhbërjen e gjuhës së njësuar kombëtare !! Krijimin e Orkestrës mbarëshqiptare të filharmonisë le ta kuptojnë si fillimin e dështimit të atij projekti antishqiptar.

E treta: Shtatorja e Nënë Terezës në Augsburg

Ministri i ri i Hashim Thacit, Memli, punën e tij si Ministër i Kulturës e nisi me heqjen e fotografisë së Nënë Terezës dhe atë të Ibrahim Rugovës nga mjediset e Ministrisë ! Heqjen e fotos së Shenjtorës dhe nobelistës sonë e kuptuan dhe shpjeguan të gjithë me bindjet e tij fetare fort islamike. Mirëpo, nuk e kuptonin dhe shpjegonin dot heqjen e fotos së Rugovës !? Të nesërmen, ky ministri i Hashimit doli me një « komunikatë » dhe kërkoi falje, duke u betuar dhe stërbetuar para rugovistëve për respektin dhe besnikërinë që kishte ndaj Rugovës. Respekti i tij për Rugovën ishte i njohur, prandaj edhe u pranua nga rugovistët, të cilët e mbyllën çështjen !

Pas shumë komenteve, reagimeve e shkrimeve në faqe të internetit Memli duhej të arsyetohejë e shpjegohejë edhe para « bijëve » të Nënë Terezës ! Rasti më i mirë, edhe për të parë botë me sy, ishte ky për shtatoren e Nënë Terezës në Augsburg. E drejta është se Memli, si Ministër kulture, duhej të shkonte në Tiranë, ku po themelohejë Orkestra mbarëshqiptare e filharmonisë por, nuk mund ta lëshonte rastin e larjes së mëkatit që kishte bërë duke hequr fotografinë e Nënë Terezës. Kështu Memli lau « mëkatet » dhe u pajtua edhe me bijtë e Rugovës edhe me bijtë e Nënë Terezës ! Amen !

Xhevat Bislimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu