Tri ngjarjet e 21 Janarit

0
707

Rportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian,Ulrike Lunacek, erdhi në Prishtinë

Deklaratat e Lunacekut në Prishtinë ishin një dush i ftoftë për Republikën e Kosovës dhe për shqiptarët e qytetarët tjerë. Lunaçek foli hapur, pa dorëza: Vizat për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të hiqen edhe të paktën për dy-tri vjet. Ajo kritikoi drejtëpërdrejt Kryeministrin, Qeverinë e tij dhe partitë politike që nuk e përfunduan (as nuk e filluan…!) reformën zgjedhore. Thaçi nuk e mbajti premtimin që kishte dhënë para një viti për reformën zgjedhore, tha Lunaçek. Ajo ua bëri me dije institucioneve të Republikës së Kosovës se Bashkimi Evropian është i pakënaqur edhe me luftën kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. E tha troç, ua tha dhe ua përplasi në fytyrë…

Po pse nuk u bë reforma zgjedhore?

Arsyeja e parë dhe e vetme pse nuk u bë reforma zgjedhore është qëllimi dhe dëshira e “liderëve” për ta manipuluar procesin zgjedhor dhe për t’i vjedhur votat! Republika e Kosovës mund të jetë i vetmi vend në botë (ndoshta ka qenë edhe Bosnja…) ku një qytetar mund t’i votonte dhjetë kandidat, ndërsa në zgjedhjet e fundit kjo e “drejtë” u reduktua në pesë kandidatë!! Me këtë sistem zgjedhor u pajtuan të gjidhë udhëheqësit e partive politike (qejfi ua do t’i quajmë amerikance, “liderë”!). Pse u pajtuan? Sepse me këtë sistem zgjedhor udhëheqësit e partive, që janë vetë partitë, e kishin mundësinë që ta manipulonin votimin dhe të nxirrnin deputet ata që dëshironin! Kjo është edhe arsyeja pse nuk u bë dhe pse u sabotua reforma zgjedhore. Këta udhëheqës të partive, të cilët fuqinë e tyre e kanë dhe e gjejnë te manipulimi i sistemit zgjedhor dhe i tërë sistemit politik, nuk e deshën një sistem zgjedhor normal dhe demokratik për Republikën e Kosovës, sepse edhe në zgjedhjet e ardhshme duan ta manipulojnë votën e qytetarit tone! Pavarësisht se ky sistem i manipulueshëm lehtë u ka pëlqyer të gjithëve (me përjashtim, ndoshta, të Vetëvendosjes…) përgjegjësia për shtyrjen e reformës bie kryesisht (mbase edhe kryekëput) mbi Qeverinë dhe Kryeministrin e Republikës. Cmimin, sigurisht, sikur edhe për shumë politika tjera të gabueshme e të dëmshme, e paguan Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj…

 

Bashkimi Evropian hapi negociatat me Serbinë për anëtarësimin e saj

Ky 21 janar i këtij viti do të mbahet mend gjatë, mbase do të hyj edhe në histori, si dita kur një shtet si Serbia nisi negociatatë për anëtarësim në BE! Serbia ishte dhe është përgjegjësja dhe fajtorja e vetme edhe për luftërat e fundit në Iliri (Ballkan). Serbia është përgjegjëse dhe fajtore për vrasjet masive, masakrat, gjenocidin dhe holokaustin ndaj popullit shqiptar, atij kroat dhe boshnjak. Megjithatë, Evropa dhe miqtë e saj, pasi i bënë lëshime gati të papërballueshme për Republikën e Kosovës dhe sigurinë e saj, sot ia hapën dyert Serbisë vrastare edhe për anëtarsim në BE! Ndërsa, kombi shqiptar (institucionet e tij politike e shtetërore), që u pajtua me të gjitha lëshimet në dëm të vetin dhe në emër të “paqesë e stabilitetit në rajon” mbetet kombi i vetëm në Iliri i përjashtuar dhe refuzuar nga BE-ja!

Cfarë duhet të mësojmë nga kjo?

Kjo gjendje, ky qëndrim i BE-së ndaj nesh do të duhej të na mësonte më në fund se statusi, pozita e mirë ndërkombëtare, të drejtatë, krenaria, zhvillimi…, nuk falen dhe nuk dhurohen nga askush. Ato nu fitohen me lutje, me buzëqeshje, puthje e përulje, por me shumë përpjekje, mund, djersë, flijime dhe, në rsatin tonë, edhe me gjak. Prandaj, “punë, punë natë e ditë…”, thoshte i madhi, Poeti ynë Kombëtar, Naim Frashëri. Për këtë gjendje dhe për këtë katandisje të kombit më të vjetër dhe më të madh në Iliri e më gjerë nuk përjashtohet nga përgjegjësia edhe Prishtina zyrtare dhe asnjë shqiptar, por përgjegjësia kryesore, për mua, bie mbi Tiranën zyrtare, e cila që nga 1989 nuk arriti të ngrihet asnjëherë në shkallën e përgjegjësive shtetërore, politike e kombëtare që i takojnë dhe që i ka për cështjen shqiptare në Iliri dhe për shqiptarët kudo që janë…

 

21 janari është edhe përvjetori i vdekjes së Kryetarit të LDK-së dhe Kryetarit të Kosovës unmikiane, I. Rugovës

Sot, paska qenë edhe përvjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës. Qenkan bërë homazhe poshtë e lartë edhe nga ata që e kishin kthyer në idhull këtë njeri të zakonshëm, edhe nga ata që dikur (me të drejtë a pa të drejtë, koha do ta provojë, edhepse shumëcka dihet qysh tani…) e quanin “bashkëpunëtor të Serbisë”, “kolaboracionist”, “tradhtar”, “i shitur”, etj.

Është interesant se me këtë rast doli edhe një problem që paskan akoma qytetarët e lagjes ku është shtëpia e I. Rugovës. Imagjinojeni, lexuesë të nderuar: edhe tetë vjet pas vdekjes së I. Rugovës shtëpia e tij vazhdon të ruhet nga policia dhe rruga e lagjes vazhdon të mbahet e mbyllur për lëvizjen e njerëzve dhe të makinave!! Gjatë një interpretimi të kësaj “cështjeje” një televizion lexoi ligjin për Kryetarin e Republikës dhe të drejtatë e tij (siguria e tij) pas mbarimit të detyrës-mandatit. Edhe në këtë ligj nuk kishte mbështetje për ta ruajtur shtëpinë e I. Rugovës, sepse kjo vlente për një Kryetar të Republikës që është gjallë! Edhe më qesharake dhe naive m’u duk vetë përpjekja për ta paraqitur Rugovën si “president” të Kosovës! Vërtet qesharake dhe fëminore! Dihet botërisht (kjo nuk ka ndodhur para erës sonë…!) se Ibrahim Rugova nuk ka qenë Kryetar i Republikës së Kosovës ose i shtetit të Kosovës, sepse sa qe gjallë ai Kosova nuk ishte, nuk u bë shtet. Nuk mund të paragjykoj dhe të them nëse do të bëhej apo jo sikur të ishte gjallë, por është fakt historik i pakundërshtueshëm se ai vdiq pa u Shpallur Pavarësia e Kosovës. Nëse dikush mund ta quaj dikend “president” në kohën e pushtimit të egër serb, le ta quaj! Është e vërtetë se ai ishte kryetar-kukull i Kosovës unmikiane, pra gjatë kohës që Kosova administrohej, ose më saktë sundohej plotësisht nga UNMIK-u! Por, nëse dikujt i ka ngelur që të bëjë politikë dhe t’i fitojë zgjedhjet me këtë “president”, le ta bëjë, punë për te dhe punë për ta…

Akoma më e cuditshme dhe e pajuistifikueshme është roja me polici (24 orë) që i bëhet varrit të tij! Apo, dikush mendon se do të madhërohet emri dhe figura e tij duke e ruajtur varrin me polici në kryeqytetin e Kosovës dhe në mesin e popullit të tij?!! Zot ndihmoji “elitat” e këtij vendi dhe të këtij populli që ta marrin veten!

Në këtë datë, më 21 janar, kishte edhe një ngjarje të dhimbshme-tragjike në Tiranë: vrasja e katër shqiptarëve të pafajshëm me urdhër të Berishës, por nuk dashta me e trajtu bashkë me këto ngjarje…

 

Nga: Xhevat BISLIMI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu