Tribunali “bombë e kurdisur”

0
549

Pesëmbëdhjetë gjyqtarë të pavarur do të merren me rastet që do të dalin para Gjykatës së Tribunalit për krimet e kryera gjatë periudhës 1998-2000 në Kosovë. Mësohet se jo më shumë se tre gjyqtarë ne listë mund të jenë pjesë e shtetit të njëjtë. Në draft-statutin e këtij Tribunali shkruan se dënimi me burg do të ekzekutohet në një shtet të përzgjedhur nga kryetari nga shtetet që kanë shprehur vullnetin e tyre të pranojnë personat e dënuar nga Tribunali.

“Kushtet e burgosjes do të përcaktohen nga legjislacioni i shtetit ku zbatohet vendimi nën mbikëqyrjen e Tribunalit apo Marrëveshjes së arritur nëse është e zbatueshme për këtë qëllim. Shteti ku zbatohet vendimi do të jetë i obliguar nga kohëzgjatja e dënimit, në përputhje me nenin 40 të shtetit lidhur me faljen dhe uljen e dënimit”, shkruan në këtë dokument. Kurse neni 40 që i referohet uljes së dënimit, sqaron se “nëse duke u bazuar në legjislacionin në fuqi të shtetit ku i dënuari është duke vuajtur dënimin, ai/ajo gëzon të drejtën e faljes apo uljes së dënimit, shteti në fjalë do të njoftojë Tribunalin ose Marrëveshjen e arritur nëse është funksionale, lidhur me këtë çështje.

Falja apo zvogëlimi i dënimit mund të bëhet vetëm nëse kryetari, pas konsultimit me gjyqtarët, vendos ashtu në bazë të interesit të drejtësisë dhe parimeve të përgjithshme të së drejtës”, shkruan në draft-statut.

Veteranët paralajmërojnë protesta

Në periudhën kur ka filluar të kanalizohet ideja për krijimin e një tribunali që do të hetonte dhe gjykonte krimet e dyshuara të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vijnë sinjale se nismat e tilla mund të sjellin trazira në Kosovë.

Veteranët e luftës së UÇK-së këtë nismë e shohin si tendencë për destabilizimin e situatës në Kosovë, derisa “kërcënojnë” se nëse krijohet një gjykatë e tillë, ish-guerilët e UÇK do të ngrihen në këmbë, duke mos e përjashtuar mundësinë e trazirave.

Por, nuk janë vetëm veteranët e luftës ata që po kundërshtojnë mundësinë e krijimit të një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e dyshuara të kryera në Kosovë, por është edhe vetë shefi i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i cli ka dalë kundër një propozimi të tillë.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli u bën thirrje luftëtarëve të UÇK-së të mos i përgjigjen këtij Tribunali. “Ne iu bëjmë thirrje luftëtarëve të UÇK-së që me asnjë kusht të mos i përgjigjen këtij Tribunali në rast se diçka e tillë formohet”, ka qenë thirrja e Xhemajlit për luftëtarët e UÇK-së. Kryetari i veteranëve ka bërë të qartë se ideja për krijimin e një gjykate që do të merrej ekskluzivisht me hetimin e pjesëtarëve të UÇK-së është e papranueshme dhe e marrë që në të njëjtën kohë fyen luftën e UÇK-së dhe përbën ndërhyrje në punën e institucioneve shtetërore. “Me këtë rast ftojmë Qeverinë dhe Kuvendin që me asnjë kusht të mos pranojnë themelimin e një gjykate të tillë, sepse kjo do të ishte e panevojshme, gjë që do të degradonte shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ish-luftëtarët kundër Tribunalit

Ndërkaq, ish-ushtari i UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e “Vetëvendosjes”, përmendi se pjesëtarët e luftës ka pasur përpjekje që të sfidohen padrejtësisht edhe nga Tribunali i Hagës, sikurse edhe nga EULEX-i, prandaj, sipas tij, çdo sfidë e ngjashme është një padrejtësi më shumë ndaj luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri.

“Sikur të gjithë qytetarët e vendit kam dëgjuar se mund të ketë një Tribunal të ri që do të merrej ekskluzivisht me UÇK-në. Mendoj se është e padrejtë ndaj luftës së drejtë të popullit shqiptar, dhe është e padrejtë ndaj sfidave që ka kaluar UÇK-ja pas luftës për këtë temë, sepse lufta e pastër që është zhvilluar në Kosovë është vërtetuar edhe nga Tribunali i Hagës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, një tjetër ish-ushtar i UÇK-së, Muhamet Kelmendi, nuk mendon se Kosovës i duhet një Tribunal i tillë. “Nuk e shoh si çështje pozitive nismën për krijimi e një gjykate të tillë, por është ide negative, e cila do të kishte refleksione të këqija”, ka thënë ai. Megjithatë, sipas tij, shqiptarët nuk kanë pse t’i frikësohen krijimit të një Tribunali Ndërkombëtar, pasi që Kosova tha ai, s’ka pushtuar askënd në Ballkan, por që shqiptarët kanë qenë të pushtuar nga Serbia. “Prandaj, nëse dikush duhet të frikësohet është pikërisht Qeveria serbe ajo, e cila mban kriminelet brenda. Faktori ndërkombëtar duhet t’ia adresojë një kritikë të rreptë Beogradit se pse nuk kërkon ndërtimin e një Tribunali në Serbi, Shkup, apo Kroaci ku fshihen kriminelët serbë që kanë bërë krime dhe kanë ushtruar dhunë e terror”, ka deklaruar analisti Kelmendi.

Por një mendim më ndryshe ka shfaqur ish-ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, i cili thotë se ekzistimi i një Tribunali të tillë do të ishte ide e qëlluar. “Në bazë të vlerësime të përgjithshme dhe duke pasur parasysh punën e Tribunalit të Hagës, i cili nuk ia ka dalë që t’i përfundojë të gjitha lëndët, mendoj se ekzistimi i kësaj gjykate do të ishte ide e qëlluar, sepse do të ndihmonte që Tribunali vendor t’i zgjidhte lëndët e një natyre të tillë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Ardian Gjini i AAK-së, thotë se Kosova ka nevojë që të jetë e gatshme që t’i shqyrtojë të gjitha akuzat kundër kujtdo qofshin ato, dhe se në këtë drejtim shteti ynë, deklaroi ai, duhet t’i kryejë vetë këto punë.

 

Nga: Artan M. Haraqija & Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu