Tribunalin para zgjedhjeve!

0
741

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë të “shtrënguara” që gjatë kësaj nomenklature qeverisëse dhe legjislative të përfundojnë themelimin e tribunalit për krime lufte në Kosovë.

Në bazë të kësaj, zgjedhjet parlamentare në Kosovë mund të mbahen vetëm pas themelimit të këtij tribunali si dhe pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet dhe atij për Veteranët e Luftës. Kështu pohojnë burime të gazetës “Zëri” brenda Kuvendit të Kosovës.

Sipas tyre, një gjë e tillë u është rikujtuar edhe një delegacionit të legjislativit kosovar gjatë një vizite në SHBA. Ndërsa së fundi, pas kërcënimeve se themelimi i këtij tribunali mund të përcillet me konsekuenca në çështjen e sigurisë së brendshme, iu ka krijuar njëfarë komoditeti lidershipit që ta shtyjnë deri pas zgjedhjeve. Por burime të gaztës thonë se tribunali duhet të kryhet brenda kësaj qeverisje.

Pavarësisht kësaj kërkese, institucionet kosovare vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e këtij tribunali para zgjedhjeve, duke pasur frikë se pikërisht ky institucion do t’u hakmerret keq gjatë zgjedhjeve për faktin se në Kosovë janë mijëra veteranë që janë kundër dhe do të votojnë kundër partisë më të madhe parlamentare PDK-së.

Analistët në Prishtinë konsiderojnë se vendimet që nuk mirëpriten nga qytetarët janë më lehtë të merren pas zgjedhjeve, sepse nëse ato merren para zgjedhjeve do t’u kushtonte partive politike, sidomos atyre që janë në pushtet me humbjen e shumë votave. Ndërkohë që sa i përket Ligjit për Zgjedhjet dhe atij për Veteranët institucionet vendore shprehen të bindura se do të miratohen shumë shpejt.

Pushtetarët: Nuk kemi kërkesë për themelimin e tribunalit

Partnerët e koalicionit e mohojnë të kenë ndonjë kërkesë apo presion ndërkombëtar për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krime lufte. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se çështja e tribunalit nuk lidhet me kohën e zgjedhjeve, ndërsa sa i përket Ligjit për Zgjedhjet dhe atij për Veteranët është shprehur i bindur që do të miratohen së shpejti.

“Tribunali nuk lidhet me këtë çështje, ndërsa këto dy ligjet patjetër që do të përfundohen”, është shprehur Kuçi.

Edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e ka mohuar presionin për themelim të tribunalit.

“Nuk kemi ndonjë kërkesë që duhet të ndodhë diçka e tillë. Ne konsiderojnë se institucionet tona të drejtësisë kanë kapacitete të mjaftueshme dhe besoj që e kanë dëshmuar mjaftueshëm deri më tani se këtë punë e kanë kryer mirë. Dhe po e përsërisë se nuk kemi pasur ndonjë kërkesë zyrtare që të aprovohet diçka e tillë”, ka deklaruar Grabovci.

Ai ka thënë se një tribunal është i panevojshëm, i paarsyeshëm dhe është absurd që të mendohet se në Kosovë ka pas krime lufte nga shqiptarët. Grabovci ka shtuar se koalicioni qeverisës është i interesuar që të miratohet ligji për Veteranët dhe ai për Zgjedhjet.

“Për këto dy ligjet jemi maksimalisht të interesuar që të kalojnë dhe jemi të bindur që do të kalojnë. Ligji për Zgjedhjet veç është vullnet politik i të gjitha subjekteve politike dhe besoj që do të kalojë në lexim të parë javën e ardhshme. Do të shkohet me procedura të shkurtuara deri në miratimin e këtij ligji. Po ashtu sa i përket Ligjit për Veteranët presim që do të kalojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka përfunduar Grabovci.

Opozita: Jemi jashtë lojës për tribunalin

Partitë opozitare thonë se nuk kanë informata rreth çështjes së tribunalit për krime lufte. Ata këtë e arsyetojnë me faktin se nuk janë pjesë e bisedimeve me përfaqësuesit ndërkombëtarë kur bisedohet për çështje të tilla.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka obligime legjislative dhe se ato nuk do të ndalen as pas këtyre zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket tribunalit ka thënë se asnjëherë nuk u është kërkuar një gjë e tillë, por ka thënë se është në dijeni se po bisedohet për këtë çështje. “Neve asnjëherë nuk na është thënë se ekziston një ide e tillë. Ne e hetojmë afërsisht atë që e bisedon qeveria me ndërkombëtarët, e kuptojmë afërsisht

se çka është biseduar, por kur nuk je i involvuar e ke vështirë t’i japësh opinionet tua. Por jemi në dijeni se ka një lloj negocimi për këto tema”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se në këtë çështje partia e tij është totalisht jashtë loje. “Ligji për Veteranët është vonuar shumë, ndërsa sa i përket çështjes së tribunalit ne jemi jashtë loje realisht, nuk jemi palë, ne vetëm mund të marrim informata nga të tjerët”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se para zgjedhjeve pret që të miratohet Ligji për Zgjedhjet dhe të vazhdohet misioni i EULEX-it. “Përfundimi i ligjit për zgjedhjet, vazhdimi i misionit të EULEX-it ose ristrukturimi i tij, ndërsa sa i përket tribunalit nuk kam ndonjë informatë zyrtare. Është folur shumë rreth kësaj çështje por unë nuk kam marrë asgjë zyrtare”, është shprehur Gashi.

Analistët: Tribunali, i panevojshëm

Analistët kosovarë themelimin e tribunalit për krime lufte në Kosovë e konsiderojnë të panevojshëm dhe, sipas tyre, themelimi i tij përveç që do të ishte në kundërshtim me ligjet e Kosovës, do të ishte edhe nënçmues edhe për punën e institucioneve tjera të drejtësisë.

Analisti, Muhamet Kelmendi, ka thënë se çështja e tribunalit nuk ka të bëjë me zgjedhjet, por, sipas tij, kjo po i imponohet Kosovës kundër vullnetit të tij.

“Faktori ndërkombëtar po ia imponon Kosovës, kundër vullnetit dhe ligjeve të saj, e madje edhe kundër Kushtetutës. Kjo nënkupton injorim total ndaj gjykatave tjera në vend, e ku përfshihet edhe EULEX-i”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka shtuar se institucionet vendore nuk duhet t’ia bëjnë “aminin” çdo kërkese të faktorit ndërkombëtar. “Po të them sinqerisht po të isha kryetar i Kuvendit ose kryeministër do t’i thosha çdo kujt se unë do të shkoj në zgjedhje dhe se nuk pranoj diçka e cila është në kundërshtim me shtetin tim, me demokracinë, me parimet ndërkombëtare dhe me interesin e popullit tim. Presionet ndërkombëtare as që duhet të përmenden. Nëse politikanët iu nënshtrohen presioneve atëherë ata nuk kanë se si të dalin në zgjedhje dhe të kërkojnë votën prapë”, ka deklaruar Kelmendi.

Sipas tij, nëse një tribunal i tillë do të duhet të themelohej, do të duhej fillimisht të ngrihej në Serbi, në Bosnje, Kroaci dhe Maqedoni ku janë kryer krimet më të rënda. Kelmendi ka thënë se para këtyre zgjedhjeve duhet të përfundohet reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese ndërsa Ligjin për Veteranët e konsideron si tepër të vonuar.

“E domosdoshme para zgjedhjeve është që të përfundohet reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese. Ndërsa Ligjin për Veteranët e konsideroj si tepër të vonuar. Mendoj që është dashur të miratohet qysh para dhjetë vitesh. Kuvendi duhet në mënyrë urgjente ta kryej këtë punë, sepse kemi ish-luftëtar që po vuajnë edhe për bukë e që janë edhe pa strehë mbi kokë”, ka thënë Kelmendi.

Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi ka deklaruar se kjo legjislaturë do të bëjë të pamundurën që t’i shmanget ratifikimit të një tribunali të tillë. Ai konsideron se nëse zgjedhjet do të mbahen në muajin qershor, atëherë themelimi i tribunalit për krime lufte do t’i mbetet legjislaturës së ardhshme.

“Sa i përket tribunalit ndërkombëtar për krime të luftës do t’i mbetet legjislaturës së ardhshme sepse temë është shumë sensitive dhe ky Kuvend me çdo kusht do t’i shmanget që të mos e ratifikojë, të mos e marrë këtë vendim. Zgjedhjet duhet të shpallen 45 ditë më herët, kështu që nëse partitë politike janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen në qershor atëherë nuk ka gjasa që të kryhet kjo punë”, është shprehur Matoshi.

Ai ka shtuar se Ligji për Veteranët e Luftës do të kalojë në këtë legjislaturë, për arsye se është edhe njëfarë premtimi elektoral i kryeministrit dhe ai do të bëjë çmos që ta përmbushë këtë premtim.

 

Nga: Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu