Trilleri i Kastratëve

0
830

Policia ka arrestuar B. Kastratin, vajzën e biznesmenit të vrarë pejan, Salih Kastrati. Ajo, bashkë me një shok, dyshohen të jenë të përfshirë në vrasjen e Fidan Shabit, trupi i të cilit u gjet të shtunën në banesën e saj në objektin e Stacionit Hekurudhor në Pejë. Policia thotë se rasti është shumë i komplikuar dhe nuk dihet nëse ekziston ndonjë lidhje mes vrasjes së Fidan Shabit dhe Salih Kastratit.

Vajza e Salih Kastratit, biznesmenit të vrarë përmes një atentati me bombë në shtëpinë e tij në Pejë, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

B. Kastrati (1984), bashkë me A. Ll. (1994), dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e Fidan Shabit, të riut nga Peja, i cili ishte konsideruar i zhdukur që nga 1 maji, por që trupi i tij i pajetë u gjend të shtunën pikërisht në banesën e B. Kastratit që ndodhet në objektin e Stacionit Hekurudhor.

Burime të Expressit nga Stacioni Policor në Pejë, bëjnë të dituar se organet e rendit e kishin arrestuar A. Ll. si të dyshuar për hedhjen e një bombe në qendër të Pejës, por më vonë kanë kuptuar se i njëjti dyshohet të jetë i përfshirë edhe në zhdukjen e Fidan Shabit.

“Hetimet më pas çuan tek e dyshuara B. Kastrati, si e përfshirë në zhdukjen e Fidan Shabit”, thotë burimi i gazetës. Megjithëse vajza e biznesmenit të vrarë ishte arrestuar më 8 maj, policia tek të shtunën ka arritur ta gjejë trupin e pajetë të viktimës, pikërisht në banesën e saj.

“Jemi duke i sqaruar të gjitha rrethanat. Aktualisht nuk mund të jepen kurrfarë detajesh rreth motiveve të kësaj vrasjeje”, ka treguar një zyrtar policor për Express, në kushte anonimiteti.

Biznesmeni Salih Kastrati ndërroi jetë muajin e kaluar, si pasojë e plagëve që mori nga një shpërthim te shtëpia e tij. Ky biznesmen ka pasur vazhdimisht probleme me disa grupe në qytetin e Pejës, të cilat i kërkonin haraç.

 

Nga Lirita Halili

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu