Thellohet çarja e Degës së PDK-së në Skenderaj, Lushtakët s’e njohin njëri-tjetrin

0
955

Pjesa më e madhe e fajit për çarjen e madhe në PDK-në e Skenderajt i hidhet kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, i cili i kishte premtuar Nuredin Lushtakut se do ta kandidojë për kryetar të Skenderajt gjersa Sami Lushtaku ndodhej ende në burg. Formimi i komiteteve të obligueshme është sfidë për Kuvendin e Skenderajt të martën. PDK-ja insiston që anëtarë të komiteteve, që i takojnë me ligj, të jenë nga 13 këshilltarët e mbetur, pa ata 7 që janë përjashtuar.

Çarja e madhe në Degën e PDK-së në Skenderajt, e cila ka nisur pak para zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit 2017, po shkon gjithnjë duke u thelluar dhe ka ardhur në një situatë që tensionet në mes të Sami Lushtakut, kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, dhe Nuredin Lushtakut, nënkryetar i Skenderajt, të rritet skajshmërish.

LEXO EDHE: Në udhëkryq me Specialen

Ky i fundit në një deklaratë për medie të shtunën ka thënë se vendimet që ka marrë, siç thotë ai, “grupi” i Sami Lushtakut për përjashtimin nga partia të 7 asamblistëve të PDK-së dhe të shkarkimit të Bekim Haxhiut nga pozita e nënkryetarit të Degës nuk do të zbatohen.

Sipas tij, vendimet që janë marrë janë jo të vlefshme sepse janë jashtë normave juridike, antistatutare, përçarëse dhe si të tilla janë të pavlefshme.

Kryesia e PDK-së nuk ishte mbledhur pas zgjedhjeve

Nuredini thotë se është anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Skenderaj dhe se ai, si dhe disa anëtarë të Kryesisë (Blerta Deliu, Fadil Beka, Elheme Hetemi) nuk janë ftuar, ose janë ftuar një orë para mbledhjes.

“Dua t’ju njoftoj se pas zgjedhjeve të 22 tetorit, Kryesia e PDK-së në Skenderaj nuk është mbledhur asnjëherë për të diskutuar për kryesuesin, shefin e grupit parlamentar dhe anëtarët e komiteteve në Asamblenë Komunale. Interpretimi se votimi për bartës të listës zgjedhore është votim për kryesues është absurd, sepse në shumë lista zgjedhore bartësit e listës kanë qenë edhe kandidatë për kryetar, disa nga ata pastaj kanë marrë pozita ekzekutive”, ka shpjeguar Nuredin Lushtaku, i cili ka pranuar se ai me 11 asamblistë të PDK-së kanë mbështetur Fatbardha Halitin për kryesuese.

“Duke u bazuar në këtë dhe në parimet e kryesisë qendrore për reformë në parti, për dhënie të hapësirës kuadrove te reja dhe femrave, unë si anëtar i Kryesis dhe nënkryetar i Komunës së Skenderajt së bashku me 11 asamblistë të PDK-së e kemi mbështetur Fatbardha Halitin për kryesuese të Asamblesë Komunale, e cila ka marrë mbështetje edhe më të gjerë, gjë e cila është për t’u vlerësuar për frymën bashkëpunuese”, thotë ai, derisa ka pyetur se për ç’arsye ‘grupi me mentalitet përjashtues’ i Sami Lushtakut ka marrë masa vetëm ndaj 7 asamblistëve, nga 11 sa e kanë votuar Fatbardha Halitin.

Sipas Nuredin Lushtakut, Këshilli Drejtues i PDK-së do të duhej të mblidhej dhe ta shkarkojë komplet kryesinë e Degës së PDK-së në Skenderaj.

“Nëse kanë menduar se me këtë metodë diferencuese dhe linçuese krijojnë ndonjë favor për vete dhe për grupin e tyre, ju tregoj se e kanë tërësisht gabim. Me këtë logjik është udhëhequr PDK-ja në Skenderaj qe disa vite, prandaj ka pasur probleme organizative dhe bashkëpunimi mes vete. Kjo tregon për faktin se prej zgjedhjeve të brendshme të vitit 2013 Këshilli Drejtues asnjëherë nuk është mbledhur. Duke e ditur disponimin e anëtarëve të KD-së së PDK-së në Skenderaj, të cilët janë injoruar qe 5 vjet, në mbledhjen e parë të mundshme të këtij Këshilli do të shkarkohej komplet Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj”, ka thënë Nuredin Lushtaku, nënkryetar i Skenderajt.

Sami Lushtaku: Nuredini nuk është në Kryesi

Por në Degën e PDK-së në Skenderaj mohojnë se Nuredin Lushtaku është anëtar i Kryesisë. Sipas logjikës “nuk je deputet, nuk je anëtar i Kryesisë”, në Degën e PDK-së në Skenderaj sigurojnë se Nuredin Lushtaku nuk është anëtar i Kryesisë dhe as në struktura të partisë.

Sami Lushtaku, kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, thotë se Nuredin Lushtaku “nuk ka çka përzihet në Degën e PDK-së, sepse nuk është në struktura të partisë.

Ai konstaton se vendimet i merr Kryesia e jo kryetari”.

“Vendimet i merr Kryesia e Degës në Skenderaj e jo kryetari. Nura as nuk është në Kryesi e as në struktura të partisë politike, ai është nënkryetar i Komunës dhe kaq. Vendimin e Kryesisë nuk mundet ta kundërshtojë askush, ka mundësi për të pasur mendime të ndryshme në parti politike, por vendimet nuk ndryshohen. Mendimi i tillë është veç një mendim ndryshe i Nuredinit, ai nuk ka as drejtë që t’i komentojë bile, në atë kuptimin se nuk është nëpër struktura të partisë”, ka thënë Sami Lushtaku.

Në anën tjetër, anëtar të Degës së PDK-së në Skenderaj pjesën më të madhe të fajit për çarjen e madhe në PDK-në e Skenderajt ia hedhin Kadri Veselit, të cilit i bëjnë thirrje që të ndërhyjë dhe vetë ta gjejë zgjidhjen.

Ata madje thonë se hendekun e madh në mes të dy kushërinjve, Sami e Nuredin Lushtaku, e ka krijuar vetë kryetari i PDK-së, i cili pa asnjë konsultim i kishte premtuar Nuredin Lushtakut se do ta kandidojë për kryetar të Skenderajt dhe duke u bazuar në premtimin e Veselit Nuredin Lushtaku nuk kishte kandiduar fare për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Njëjtë kishte vepruar Kadri Veseli edhe me kandidatin për kryetar të Drenasit, duke i premtuar fillimisht Naim Bazajt, e pastaj ishte bërë “pishman” dhe kishte nominuaar Ramiz Lladrovcin, duke krijuar në këtë mënyrë çarje të madhe në Degën e PDK-së në Drenas.

Në PDK-në e Skenderajt kanë vlerësuar se këto zhvillime janë bërë me tendencën që PDK-ja të mbetet në opozitë.

“Zëri” ka mësuar në ndërkohë se pas ngjarjeve në PDK dhe përçarjeve të thella disa nga drejtorët e emëruar nga Bekim Jashari kanë ofruar dorëheqje. Njëri prej tyre, Hamit Geci, drejtor i Administratës Komunale ka dhënë dorëheqje pak kohë pasi që ishte emëruar, ndërsa këtë pohohet se këto ditë do ta bëjnë edhe dy drejtorë të tjerë.

Sfidë e madhe për Kuvendin e Skenderajt, por edhe për PDK-në do të jetë formimi i komiteteve të obliguara të Kuvendit, në mbledhjen e parë pas konstitutimit të Kuvendit, që do të mbahet të martën.

Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt do të insistojë që numri i anëtarëve në komitete që i takojnë me ligj të jenë nga ata 13 asamblistët që aktualisht e përbëjnë Grupin e Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, pa ata 7 asamblistët e përjashtuar nga PDK-ja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu