“Tutorët kërkojnë Vasal”

0
904

Afrim Morina:

Me një shkrim të mëhershëm kam folur për tutorizmin nga jashtë në politik, si fenomen që mund ta hasim gjithkund. Tutorët politik i takojnë shteteve të mëdha dha ata kanë ekipe analistësh, të cilët janë të ndarë dhe botën e shohin me syrin e bletës. Shikojnë se ku mund të gjejnë nektarin më të mirë që mjalti të jetë më i pasur dhe gjithë investimet që i bëjnë, në para e në jetë njerëzish, i arsyetojnë me këtë mjaltë të ofruar qytetarëve të vet. Toturët herë herë janë edhe diktator, por ndodh që nën petkun e demokratit të veprojnë po për të njëjtin qëllim. Diktatorët me bëmat e tyre menjëherë dallohen dhe alarmohen qytetarët dhe shtetet tjera me sjelljet brutale që tregojnë, qoftë ndaj qytetarëve të vet, duke i përdorur si mish për top, apo edhe të të tjerëve që i ka nën sundim. Kundër kësaj kategorie ngritën të gjithë, qoftë në protesta, qoftë edhe me kryengritje të armatosur. Tutorët të veshur me petkun e demokratit shumë vështirë e kanë të dallohen, për këtë edhe ekziston një kategori e caktuar intelektualësh që u shpjegojnë qytetarëve për mynxyrën që heqin dhe ofrojnë alternative për t’u çliruar nga ata. Kjo do përkushtim të madh, do guxim intelektual, do njohuri të thella: politike, ekonomike, demografike, gjeostrategjike, gjeopolitike, luftarake etj., do sakrificë të madhe personale e familjare, do fakte bindëse për bashkëkombësit e vet, me një fjalë, do kohë shumë më shumë për të arritur qëllimin. Kjo na ka ndodhur neve shqiptarëve nën regjimin titist e millosheviqjan, duke iu falënderuar luftëtarëve të lirisë, kundër vasalitetit të kreut politik shqiptarë.

 

Tutorët bënë që të jemi më të përçarë se kurrë

 

Tutorizmi në trojet tona shqiptare sot është më i theksuar se kurrë. Kur ne menduam se mund të jemi zot të vetes për shkak të ndryshimit të situatës politike në regjion, për shkak të pozitës gjeostrategjike dhe gjeopolitike që zë hapësira jonë kombëtare, për shkak të përgatitjes së qytetarëve për të marr fatet e kombit në duart e veta, duke iu falënderuar një pune vetëmohuese të luftëtarëve të lirisë, që nuk kursyen asgjë për të qenë të dinjitetshëm dhe dalzot të vetës. Mirëpo, tutorët e kishin përcjell gjithë këtë lëvizje dhe për të mos u prishur balancat politike në këtë pjesë të Evropës, nxorën në skenë lider të rinj, me të kaluar të dyshimtë,  për të ushtruar më lehtë mbikëqyrjen dhe t’i japin kahen e dëshiruar rrjedhave politike. Së pari i urdhëruan për të bërë politik fisesh e regjionesh, për t’i ndarë shqiptarët edhe zyrtarisht ndër vete, të cilin komoditet nuk ia kishin lejuar kurrë luftëtarët e lirisë asnjëherë vetës. Londra na ndau në tri pjesë, ndërsa ne vet u ndamë në pesë pjesë, duke mos e llogaritur Çamërinë, që në Londër ishte trajtuar si territor bukur me peshë dhe ia mundësuan Greqisë që ta ketë si shpërblim për të plotësuar apetitet e carizmit rus.

 

Gjenerata e re e politikanëve nuk e fsheh tutorizmin

 

Këta vasal të tutorëve nuk ishin nën vasalitet të bllokut ku puqen edhe interesat tona kombëtare, por ishin rreshtuar nën diktatin e tutorëve për të plotësuar edhe më tepër apetitet e tyre, sepse ata mund të mundësonin për të qenë në krye të elitës politike dhe brenda natës të krijonin edhe pasuri marramendëse. Ky vasalitet në emër të demokracisë dhe pluralizmit politik bërë që shqiptarët në ish Jugosllavi të përgjakën me pushtuesin dhe në mungesë të një politike bashkëvepruese edhe të asaj në Shqipërinë londineze, pranuan një gjysmë fitore të diktuar, e cila sot na sjell kokëçarje.

Të sotmit hoqën maskat dhe u futën në garë se kush më tepër do të tregohet se pranon tutorizmin, se kush më tepër do të jetë besnik ndaj një politike të tillë, se kush më tepër do të jetë krahas tutorit për të folur e nënshkruar më tepër nën mbikëqyrje, duke mos llogaritur fatin e kombit. Asnjëri nuk çanë kokën për të ardhmen jo të largët, që po e dërgon kombin drejtë një lufte të re, por që tutorët po mundohen këtë luftë ta drejtojnë në luftë qytetare, do të thotë për të ndërruar garniturën politike, sepse kjo e sotmja aq është bërë e dukshme dhe më nuk ka maska për t’u fshehur tutorët. Në raste të tilla tutorët mundohen për të gjetur aktor tjerë në skenën politike, siç po ndodh në shumë vende të botës sot.

Ky karnaval politik, në të cilin luhet me fatin e kombit, jep për të kuptuar se ne jemi bërë edhe sot mjet kusuritjeje për të shtrirë ndikimet e veta akëcila politik në emër të globalizmit, në emër të demokracisë, në emër të dialogut gjithëpërfshirës, në emër të zhdukjes së vatrave të luftës, në emër të paqes së qëndrueshme, për hir të fëmijëve tanë, për hir të së ardhmes së qytetërimit. Kjo maskaradë e pa parë asnjëherë deri sot edhe nga të verbëritë, e pa dëgjuar deri sot edhe nga të shurdhrit, që i bënë të flasin edhe memecët, nuk ka ndodhur asnjëherë dhe në sytë tanë vihen nënshkrime antikombëtare e duartrokitën nënshkruesit.

Nëse këtë lojë dikur e bënin njerëz të përbetuar për t’i ndejë besnik tutorëve, nëse këtë lojë e bënin njerëz me të kaluar të dyshimtë për të mos ua çjerrë maskën tutorët, sot pse e bëjnë këta, të cilët në ditët më të vështira i hapën gjokset tytave të armëve më të sofistikuara që kishte armiku? Ku u zunë me kërpesh për dore dhe sot hedhin vallen e turpit?! Kjo nuk është rastësi, sepse lojëra të tilla pas përfundimit të luftërave kanë ndodhur pothuaj në të gjitha vendet ku është luftuar për çlirim kombëtar. Kjo kategori ishte në shënjestër të tutorëve dhe secili investonte në një mënyrë për t’i pasur aleat në rrugëtimin politik në këtë hapësirë për interesa të veta, e për rindarje të interesave politike e ekonomike.

Në Shqipërinë londineze nuk e patën vështirë, sepse për të luftuar një politikë kombëtare, duhej kundërvënë një elitë antikombëtare dhe iu deshtë bukur kohë, mund e investime për ta bërë Sali Berishën fillimisht zëdhënës të kësaj politike, e pastaj për ta vu nën kontroll dhe për të ecur më tutje me projektet e veta tutorët. Si parësore ishte dobësimi i Shqipërisë londineze në planin kombëtar, shkatërrimin e gjithë pasurisë së saj, shkatërrimin e ushtrisë e policisë, shkatërrimin e akademisë së shkencave dhe arteve, uljen e prestigjit në arenën ndërkombëtare dhe gjithë kjo në emër të pluralizmin politik e demokracisë, gjoja se u dhemb shpirti për ne. Një politik e tillë, bëri që asnjëherë shqiptarët në mënyrë institucionale të mos kenë një platformë të veprimit në bazë të situatave politike kombëtare. Kjo politik vazhdon edhe sot dhe tutorët kanë disa barometra matës për shqiptarët. Secila ndryshon nga njëra tjetra. Ndryshe veprohet në Shqipërinë londineze, ndryshe veprohet në Kosovën administrative, ndryshe veprohet në Maqedoni me shqiptarët, ndryshe veprohet me shqiptarët e Luginës, ndryshe veprohet me shqiptarët në Mal të Zi dhe pothuaj as që donë për të çarë kokën për çamët.

 

Duhet luftuar argatët e tutorëve

 

Mendimi latin “përçaj e sundo” kurrë në histori nuk ka gjetur shprehje si në ditët e sotme te ne shqiptarët. Kjo ka shkuar në dy plane. Në planin e parë duke rehabilituar personalitete më tradhtare e bashkëpunëtore të okupatorëve dhe në planin e dytë thjeshtëzimin dhe copëzimin e problemeve kombëtare. Në Shqipëri për të gjithë armiqtë e kombit janë lëshuar luadhet për të kullotur ato që i kishin gjithnjë lakmi armiqtë, por që iu ishte pamundësuar. Në Kosovë janë të gatshëm për të vënë nënshkrime në dokumente mohuese të realitetit që duhej të dominojë, në Maqedoni si strucët ruhen që mos t’u ndodh diçka e keqe interesit të tyre, në Mal të Zi vëllazërim bashkimi më i theksuar se kurrë, ani se përbuzën e shkelet dinjiteti i tyre kombëtar, në Luginë e Preshevës bëjnë garë se cili do të jetë burizani më i mirë për të kumtuar lajmet se si duhet përfillur sugjerimet e tutorëve në relacion me Serbinë. Me Çamërinë tutorët nuk merren, por këtë ia kanë lënë Greqisë, që të zgjerojë territorin e vet në drejtim të tokave shqiptare dhe kështu problemi çamë të përfundojë njëherë e përgjithëson.

Tutorizmi dominoi në Rambuile, dominoi në Vjenë dhe do të dominojë edhe në Bruksel. Tutorizmi do të dominojë edhe në Tiranë, sepse kanë frik nga politika pioçete. Tutorizmi po dominon edhe në Shkup për të përbuzur gjithçka shqiptare, për dhënie përparësie konstituimit të një kombi artificial- maqedon. Kur në këto tri pika dominon tutorizmi, as që bëhet fjalë për pjeset anësore të kombit, prandaj shqiptarëve nuk u mbetët asgjë tjetër, pos që të bashkërendisin veprimet për të luftuar tutorizmin duke luftuar argatët e tyre dhe të ndalët kjo lojë e pistë.

 

Prishtinë, 09.03.2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu