U miratua Ligji për Veteranët

0
690

Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.LDK-ja, ka lëshuar sallën pasi që nuk ishin miratuar amendamentet e saj që do të njihnin edhe ish Ministrin e Mbrojtjes.

Deputeti i LDK-së, Anton Çuni, ka thënë se është e pakuptueshme që formacionet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë Ministria e Mbrojtjes të mbesin jashtë ligjit për Veteranët.

“Zoti kryeministër nuk ka paqe me Serbinë pa u arrit paqja e brendshme. Është e pa kuptueshme që formacionet e Ministrisë së Mbrojtjes, vetë Ministria e Mbrojtjes të mbesin jashtë Ligjit për veteranët sikur të kishin qenë formacione paramilitare dhe kriminale”, ka thënë Çuni.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji ka qenë vetëm përcaktimi i të drejtave dhe beneficioneve të veteranëve.
“Qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji është përcaktimi i të drejtave në beneficione të veteranëve të UÇK-së, të cilët me sakrificën angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën e UÇK-së ishin faktor vendimtar për arritjen e çlirimit”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, Rexhep Selimi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, është arsyetuar pse nuk do t’i votojnë amendamentet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se UÇK-ja ishte e vetmja ushtri dhe në këtë projektligj, sipas tij, nuk përjashtohet asnjë luftëtar e as Anton Çuni. Rexhepi ka shtuar se nuk po bëjnë projektligj për politik por për veteranët.

“Ky amendament do të kishte kuptim në dy rrethana. Rrethana e parë është nëse Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Ministria e Mbrojtjes do ta kishin relacionin normal që do të duhej ta kishin Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes gjë që nuk e kanë pasur për shkak se nuk e kanë pasur për t’i raportuar njëra tjetrës. Dhe rrethana tjetër ky amendament është nëse secila prej këtyre dy organizmave do ta kishin nga një ushtri të veten në terren. Konfirmoj se vetëm një ushtri ka qenë përballë Serbisë okupuese në këtë vend dhe ajo ka qenë UÇK-ja dhe ky amendament nuk e përjashton asnjë luftëtarë që ka qenë i rreshtuar në radhët e UÇK-së pavarësisht prejardhjeve të tyre politike”, ka shtuar Selimi.

Edhe Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, ka pohuar se çdo njeri që ka kapur pushkën ka pasë mundësi të aplikoj për statusin e veteranit.

“E vërteta është se çdo njeri që e ka kapë pushkën e ka pasur mundësinë me apliku në komision. Në formular janë tri kategori që i përmbledhin krejt kategoritë prej atyre që kanë qenë të uniformuar dhe armatosur. Pavarësisht periudhës kohore. Nëse është kontesti që nuk quhet veteran ose ushtar i UÇK-së atëherë është diçka tjetër, por nëse flasim se çfarë bindje politike kam pasur kur kam qenë luftëtar i UÇK-së ajo është diçka tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Thaçi, ka thënë se askush nuk do të mund ta humbë kontributin e askujt në luftë. Ai ka shtuar se nuk ka parë asnjë ushtarë të asnjë formacioni tjetër. Prandaj, ai ka thënë se ky ligj është integrues dhe ka ftuar të gjithë deputetët që ligji të procedohet.
rtk

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu