UDB, raport për CIA-n: Na duhen njerëz si Tuk Jakova

0
907

Bisedimet sekrete të Shërbimit Amerikan me atë Jugosllav në vitin 1951-shin për operacionet kundër regjimit të Tiranës kanë pasur për objekt edhe përfshirjen e faktorit shqiptar në këtë aksion klandestin. Pjesa e dokumentit që publikojmë në numrin e sotëm, i përket vazhdimit të protokollit të takimit të zyrtarëve të CIA-s dhe UDB-së për projektin e përbashkët për rrëzimin e Hoxhës. Në dy numrat e kaluar zbardhëm pjesët që bënin fjalë për çështjet e trajtuara në këtë takim, që kishte për synim përafrimin e qëndrimeve të palës amerikane dhe asaj jugosllave mbi faktorët kryesorë të operacioneve klandestine në Shqipëri. Nga aq sa kemi zbardhur në numrat e kaluar, është sqaruar fakti se projekti i përbashkët është ndërtuar mbi bazën e argumenteve, që fillimisht kishin jo pak diferenca, siç ishte qasja për mënyrën e ndërhyrjes, ku CIA besonte te një ndërhyrje nga jashtë mbështetur vetëm nga organizatat politike të emigracionit shqiptar dhe UDB shpresonte se Hoxha mund të përmbysej vetëm nga brenda, duke menduar madje me njerëz brenda radhëve të Partisë komuniste të Shqipërisë. Pjesa në vijim sjell të tjera argumente e dëshmi të konsumuara në takimin e rëndësishëm, që hedhin dritë në aspekte të veçanta të këtij projekti të përbashkët. Njerëzit e Titos, duke qenë besnikë të idesë së tyre për t’u mbështetur te faktorët e brendshëm, u rekomandojnë partnerëve amerikanë për të tërhequr në aksionin e tyre pjesën e të pakënaqurve të regjimit të Tiranës, megjithëse për nga mënyra si shpjegohen, shprehen jo shumë optimist për aleatët e propozuar, pasi siç vërejnë, edhe të përjashtuarit nga Partia Komuniste, jo vetëm nuk pranojnë të arratisen jashtë shtetit, por vazhdojnë të ruajnë lidhje me të. Këmbëngulja e amerikanëve për të bashkërenduar veprimet me organizatat e emigracionit shqiptar, në këtë rast hedh idenë e mbështetjes së tyre jo vetëm politike, por edhe financiare. Zyrtarët e CIA-s u kërkojnë atyre të Titos që të punojnë për të sheshuar diferencat e ndasitë midis organizatave shqiptare që operojnë jashtë shtetit, për t’u përfshirë mandej në operacionet e përbashkëta kundër regjimit të Hoxhës. Po si reagojnë zyrtarët e UDB-së dhe çfarë shqyrtohet më tej në këto bisedime…

DOKUMENTI
TOP SEKRET
Komentet e FPBERM (emri
i koduar i UDB-së) për diskutimet
e KUBARK (emri i koduar
i CIA-s) për faktorët më të
rëndësishëm të jashtëm që influencojnë
Shqipërinë.

1. Zoti S. vazhdoi duke thënë se neve na duhen aleatë brenda Shqipërisë, njerëz si Tuk Jakova, për të cilin edhe nga Blloku Indipendent Kombëtar thuhet se ai është me më shumë influencë në popull edhe sesa princi Markagjoni vetë. Shumë njerëz, të cilët janë larguar nga Partia apo janë ulur në detyrë, janë asete të rëndësishme, të cilat duhen mbrojtur dhe zhvilluar. Ata përfaqësojnë një dobësim të partisë, e cila duhet përdorur për qëllimin tonë. Megjithatë, kjo dobësi nuk është e mjaftueshme në vetvete të shkatërrojë Partinë. Po e përsëris që pika e fortë e HOXHËS është partia që e çliroi Shqipërinë. Hoxha ka marrë mbi vete këtë vlerësim, edhe pse ka përzënë nga partia një sërë personash të cilët, edhe pse janë përzënë, nuk kanë tentuar të arratisen jashtë Shqipërisë, duke treguar se ata janë akoma shumë të lidhur me Partinë.

2. Zoti C. shprehu pikëpamjen se ishte gjithashtu një çështje e trajnimit dhe e ilustroi këtë pikë, duke thënë se komunistët nuk e konsiderojnë faktin që linja e Partisë mund të jetë e gabuar, por mendojnë se ai që e interpreton linjën e partisë në mënyrë të gabuar është fajtor.

3. Zoti S. komentoi se një tjetër pikë e fortë e regjimit aktual në Shqipëri është fakti se 70.712 familje kanë marrë tokë nga ky regjim. Kjo tokë u është dhënë nga pronat e Vërlacit, Zogut, Toptanëve dhe Vrionasve, si dhe feudalëve të tjerë. Nga 70.212 familje, 21.000 syresh nuk kishin pasur asnjëherë ndonjë copë toke përpara Reformës Agrare të implementuar nga Partia Komuniste Shqiptare.

4. Zoti C. ofroi si një shembull qëndrimin e fshatarëve në Bashkimin Sovjetik, në momentin kur erdhi pushtimi gjerman. Ai tha se në fillim fshatarët ishin shumë pasivë, por kur gjermanët u përpoqën që të risillnin sistemin e vjetër të pronarëve të tokave, atëherë fshatarët u kthyen kundër tyre.

5. Zoti S. ndërhyri përsëri, duke thënë se pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte në një pozicion jo për t’u pasur zili për pavarësinë e saj. Gjatë kësaj periudhe, Partia Komuniste Shqiptare provoi se ishte një mbrojtës shumë i aftë i pavarësisë shqiptare, deri në periudhën e Rezolutës së KOMINTERN-it në 1948-n. Në Partinë Komuniste Shqiptare ka shumë faktorë të fortë ideologjikë dhe psikologjikë. Drejtuesit e sotëm shqiptarë, jo vetëm ata në krye, por edhe drejtuesit e mesëm dhe të ulët, erdhën në pushtet nëpërmjet Partisë dhe akoma ndihet se ideologjia bazë që udhëheq Partinë është korrekte. Këta persona nuk janë në pozicion që të vendosin nëse Partia ka devijuar nga rruga e drejtë ideologjike, apo jo. Ata që janë përjashtuar gjithsesi qëndrojnë përsëri si komunistë, edhe pse nuk janë më në Parti. Ata ndiejnë një lidhje shpirtërore shumë të fortë me Partinë, pasi nuk duan të humbin atë për të cilën ata luftuan, edhe pse mund të sakrifikojnë veten e tyre nëse është e domosdoshme. Kjo e shpjegon kontaktin e fortë që të gjithë kanë me Partinë Komuniste Shqiptare.

6. E njëjta situatë ishte në Jugosllavi, kur Lavrentiev i dha TITOS një letër nga Komiteti Qendror i Partisë Bolshevike, letër e cila përmbante akuza kundër Gjilasit, Kidric e Rankovic. Tito ia tregoi këtë letër Byrosë Politike Jugosllave dhe, ata që akuzoheshin aty, ishin të gatshëm për t’u larguar nga skena politike në interes të politikës së përgjithshme, kaq e fortë ishte lidhja ideologjike që ata kishin me Partinë.

7. Zoti B. bëri komentin se pranimi i fajësisë në gjyqet komuniste nuk mund të shpjegohet vetëm me përdorimin e torturës. Ai mendon se një faktor i rëndësishëm në këto pranime të fajësisë në publik është shfrytëzimi i besnikërisë së anëtarëve të partisë për ideologjinë partiake, deri në pikën kur ata besojnë se ky pranim në fakt është në interesin e Partisë. E njëjta besnikëri ekziston në të gjithë hierarkinë partiake të të gjitha niveleve. Është një gabim shumë i madh të marrësh si bazë propagandën zyrtare se personat e përzënë nga Partia Komuniste janë elementë fashistë, pasi kjo akuzë i bën ata edhe më të lidhur me Partinë.

8. Për sa i përket Shqipërisë, ne duhet të marrim si qëndrim faktin se HOXHA dhe të tijtë janë vetëm një klikë dhe nuk përfaqësojnë Partinë Komuniste Shqiptare. Nëse ata që janë përjashtuar do të kenë akses në masën e gjerë të Partisë, atëherë shumë gjëra do të korrigjohen në një kohë shumë të shkurtër.

9. Zoti S. pastaj tha se, kur diskutojmë për Shqipërinë, duhet të kemi parasysh se ata që janë në pozita kyçe, janë të gjithë anëtarë partie dhe kjo nënkupton se ne duhet të punojmë nëpërmjet Partisë. Partia Komuniste Shqiptare ka shumë ndryshim nga vendet e tjera satelite, pasi nuk iu imponua popullit nga tanket dhe bajonetat ruse, por erdhi në pushtet si rezultat i një lufte të madhe dhe pozicioni i saj sot vjen nga ky rezultat.

10. Në këtë moment, z.( emri i fshirë) kërkoi të dinte nëse në një vend politik dhe të pazhvilluar si Shqipëria do të ishte e mundur që në Parti të kishte mjaft elementë oportunistë dhe se një pjesë e tërheqjes komuniste të ketë humbur efektin e saj si pasojë e faktit që HOXHA e kishte kthyer atë në një mjet për pushtetin e vet dhe të sovjetikëve.

11. Për këtë, zoti S. u përgjigj se ne duhet të jemi të qartë për ndryshimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera satelite, si Hungaria apo Rumania, ku ka shumë oportunistë, pasi këto parti nuk patën mundësi t’i testonin anëtarët e vet në beteja. Partia Komuniste Shqiptare në krahun tjetër konsiston në persona, të cilët janë testuar në beteja dhe ata që janë pranuar pas Luftës së Dytë kontrollohen me rreptësi. Po kështu, shumica e atyre që janë pranuar në Parti pas luftës, janë nga radhët e fshatarëve që nuk kanë pasur toka dhe duhet pranuar se janë besnikë. Sigurisht që kudo ka oportunistë, por mendoj se edhe ata janë të lidhur me Partinë si shkak i sloganeve të Komitetit Shqipëria e Lirë “Vdekje Komunistëve”.

12. Zoti S ra dakord se një pjesë e tërheqjes ndaj komunizmit mund të ketë humbur, por tha se meqenëse shqiptarët kanë akses vetëm në gazetat dhe literaturën shqiptare, ata kanë një koncept të njëanshëm për ato që ndodhin në botë. Çfarëdo apeli ideologjik që mund t’u bëhet këtyre njerëzve, duhet patjetër të jetë i lidhur me fitoret e arritura gjatë revolucionit.

13. Zoti Z. (emri i fshirë) pyeti nëse në këndvështrimin e UDB, Partia Komuniste Shqiptare duhet të luajë një rol të rëndësishëm në çlirimin e vendit, si dhe nëse elementë më të mirë të mund të penetrojnë në qeverinë shqiptare, me qëllim që të ndërmarrin aksionet e duhura në momentin e duhur.

14. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, zoti S. deklaroi se hapi i parë i sovjetikëve në Jugosllavi ishte shkatërrimi i Partisë Komuniste Jugosllave. Ai shtoi se çdo përpjekje për të shkatërruar Partinë në Shqipëri do të forconte pozitat sovjetike. Meqenëse është shumë e vështirë për të penetruar regjimin, është e rëndësishme për të pasur njerëz në vende të rëndësishme për ta penetruar këtë regjim. Kjo si fillim mund të kërkojë individë, të cilët kanë marrëdhënie të mira me sovjetikët dhe në këtë mënyre të penetrojnë regjimin e Hoxhës.

15. Rikthimi i konditave të paraluftës duket si i pamundur. Z (emri i fshirë) pyeti nëse bashkëpunimi me grupet e emigracionit politik mund të ishte i dobishëm apo Jugosllavët konsiderojnë se Partia Komuniste Shqiptare ishte i vetmi instrument për çlirimin e vendit?

16. Zoti S. iu përgjigj kësaj pyetjeje se ishte e pranueshme që të bashkëpunohej me të gjitha forcat. Ai shpjegoi se, meqenëse prezantimi i CIA-s nuk e përmendte Partinë Komuniste Shqiptare si faktor, përfaqësuesit e UDB mendojnë se është shumë e rëndësishme për ta theksuar rëndësinë e këtij faktori, si dhe punën nga brenda vendit me të.

17. (Emri i fshirë) tha se ne duhet të pranojmë se inkurajimi i bashkëpunimit të të gjithë faktorëve anti Hoxha është i domosdoshëm. Për këtë të gjithë të pranishmit janë në miratim të plotë.

18. RIVETT (emër i koduar) pyeti nëse do të ishte apo jo i pranueshëm një lloj koordinimi midis Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe Komitetit të Prizrenit, si dhe grupeve të tjera si Blloku Indipendent.

19. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, zoti S. tha se këto organizata nuk mund të jenë krijesa të Shërbimeve Sekrete, porse këto organizata duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Ai tha se UDB mendon se një front i gjerë i të gjithë refugjatëve, si në rastin e Komitetit të Prizrenit, është programi i duhur dhe është mundësia më e mirë për popullin Shqiptar. Jugosllavët do të ishin shumë të lumtur nëse i gjithë emigracioni shqiptar të mund të arrijë në një marrëveshje, pasi çlirimi i Shqipërisë është një çështje e shqiptarëve. Është këndvështrimi i Jugosllavisë se grupet e emigracionit shqiptar mund të gjejnë një bashkëpunim midis tyre pa influencën e të huajve.

20. Mbi këtë çështje, (emri i fshirë) komentoi se ai e konsideron jo realist mendimin se këto grupe si Komiteti i Prizrenit apo Komiteti “Shqipëria e Lirë” të mos kenë asistencë, financim dhe influencë të huaj. Ai sugjeroi se nuk ishte e pamundur që në një prej këtyre, prezent në këtë takim, të mos i fusin këto grupime në rrugën e drejtë të bashkëpunimit. Ai mendon se si UDB-ja, si CIA, mund të bëjnë diçka të dobishme në këtë drejtim.

21. Zoti C. tha se Jugosllavët jo vetëm i japin Komitetit të Prizrenit ndihmë në materiale, por edhe këshilla. Ai tha se Jugosllavët ishin shumë dakord me idenë e një bashkëpunimi midis Komitetit të Prizrenit dhe komitetit “Shqipëria e Lirë” por, siç dihet, Komiteti “Shqipëria e Lirë” kishte botuar disa artikuj ku hidheshin dyshime mbi rolin e Komitetit të Prizrenit. Si një gjest miqësie ndaj Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Jugosllavët kishin pranuar disa grupe diversioniste nga Shqipëria në Jugosllavi dhe i kishte lejuar ata të shkonin në Greqi. Ai tha se nuk kishte pasur shembuj të tillë nga pala tjetër dhe solli si shembull rastin e një grupi agjenturor jugosllav, i cili, pasi kishte dalë nga Shqipëria, në Greqi ishte burgosur. Vetëm njeri prej anëtarëve kishte mundur të hynte në Jugosllavi dhe të tregonte për atë që kishte ngjarë.

22. Zoti C. tha se nga shumë lidhje familjare dhe miqësore midis shqiptarëve të emigruar në Jugosllavi dhe Perëndim, është e mjaftueshme të krijohet një marrëdhënie miqësore midis Komitetit të Prizrenit dhe grupeve të tjera në emigracion. Jugosllavët nuk përzihen në këto zhvillime, nuk i shtyjnë apo pengojnë ato, por i konsiderojnë si çështje të vetë shqiptarëve.

23. (emri i fshirë) shprehu besimin se një pikë shumë e fortë e Hoxhës ku ai mbështetet, është fakti se ai trumbeton idenë se i vetëm po mbron sovranitetin territorial të Shqipërisë. Nëse kjo frikë do të shpjegohet në emigracionin politik shqiptar, se në fakt ajo nuk ekziston, kjo do të sillte një goditje të fortë për HOXHËN. Ai kërkonte të dinte nëse Jugosllavët mund të bënin ndonjë gjest të bindshëm, si për shembull një deklaratë publike që do të ndihmonte në rrëzimin e kësaj frike.

24. Zoti S. iu përgjigj se shqiptarët e dinë se Jugosllavia nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

25. ( emri i fshirë) e ripërsëriti këtë pikë, duke pyetur se çfarë reaksioni mund të kishte një deklaratë e tillë.

26. Mbi këtë, zoti S. tha se Greqia nuk ka bërë asnjë deklaratë të tille deri në 1952-shin. Ai tha se De Gasperi bëri një lloj deklarate shumë të përgjithshme në këtë çështje mbi eksperiencën dhe lidhjet historike shqiptaro-italiane, e cila nuk ishte shumë e bindshme.

27. Zoti B. tha se ka pasur fjalë për të bindur Jugosllavinë për të bërë një deklaratë të përbashkët me Italinë. Ai përmendi dyshimet jugosllave mbi intrigat italiane. Në çdo rast, një deklaratë e tillë nuk do ketë efekt, pasi dihet që shqiptarët nuk kanë besim te Italianët. Për më tepër, tha ai, Jugosllavët nuk do të donin të kishin lidhje me Italianët për këtë deklaratë.

vijon të dielën tjetër

 

Nga Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu