Udhëheqësit e nëntokës

0
786

Nenetoka

I njohur si njeri i nëntokës, Kadri Veseli, i lindur në maj të vitit 1967, u shfaq publikisht për herë të parë në vitin 2008, kur tha se u shua Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), një organizatë kjo “inteligjente” që punonte ekskluzivisht për interesa të PDK-së.

Njeriu që ka udhëhequr shërbime spiunazhi për më shumë se një dekadë gjatë një rrëfimi që kishte bërë në Gjykatë në procesin gjyqësor “Bllaca” për historinë e organizatës që kishte udhëhequr, ka treguar se “pas mbylljes së SHIK-ut, në vitin 2008, po merret me studime postdiplomike si dhe po menaxhon një kompani që merret me tregti kompjuterësh”.

Kadri Veseli, i njohur me nofkën “Luli”, si  zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore është mbajtur në distancë në raport me ish-kryeministrin, Hashim Thaçi.

I sapozgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës kishte dëshmuar në procesin gjyqësor “Bllaca” në cilësi të dëshmitarit dhe disa ish-agjentë të SHIK-ut janë dënuar me më shumë se dhjetë vjet burg për disa vrasje që i kishin kryer sa ai ishte udhëheqës i SHIK-ut.

SHIK-u pas SHIK-ut

Menjëherë pas Kadri Veselit, në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës do të jenë Xhavit Haliti, një figurë tjetër kontroverse nga Rrafshi i Dukagjinit, njeri i Partisë Demokratike të Kosovës.

Haliti ishte përmendur si ish-agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës, ndonëse vetë ai nuk e ka pranuar kurrë këtë gjë.

Dilema ishin ngritur edhe për qasjen e tij në fondin “Vendlindja thërret”, sikurse ai është përfolur në debate publike nga vetë përfaqësues të LDK-së si një ndër personat që ishin përfshirë edhe në raste kriminale, ndonëse këto akuza publike asnjëherë nuk janë adresuar në instancat përgjegjëse që do të vërtetonin (pa)fajësinë e tij.

Sabri Hamiti është njëri nga njerëzit më me ndikim në LDK. Profesori i letërsisë, ndikimin e tij në LDK e ka shtrirë edhe përmes familjarëve që i kishte të pozicionuar bukur në parti.

I njohur si një “llapjan” tipik, Hamiti nuk ishte goditur gjatë politikëbërjes së viteve të nëntëdhjeta.

Por, goditje të fuqishme Hamitit i janë bërë dy vjetët e fundit, kur u arrestua nipi i tij Sami Hamiti, pas dyshimeve për korrupsion, sa ishte kryeshef ekzekutiv i Prishtinës. Goditje Sabri Hamiti ka marrë edhe nga i biri i tij, Urtak Hamiti, ish-diplomat në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku ai kishte shkaktuar skandal diplomatik, kur kishte bërë aksident me veturë, gjersa e ngiste atë i dehur. Glauk Konjufca është “zhurmëtari” i “Vetëvendosjes” që gjatë ish-mandatit të tij prej deputeti pakënaqësitë i ka manifestuar në forma të ndryshme. Ai ishte edhe njëri nga organizatorët e “puçit” të Kuvendit të kaluar, me ç’rast ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit, kishin synuar t’ia marrin mikrofonin gjatë një udhëheqjeje të seancës.

Ministra, “maskat” e PDK-së dhe të LDK-së

Pa nofkë nuk është as kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, i cili nga pozita e kryeministrit po pritet të zbresë në pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Gjithë kjo “hatri i krijimit të institucioneve”.

I njohur me nofkën që e mban nga koha e luftës, “Gjarpri”, Hashim Thaçi për dy mandate ishte kryeministër i Kosovës. Koalicioni me LDK-në është i dyti që ai lidhi me këtë subjekt, pas disa muajsh që vendi është kapluar nga ngërçi politik.

Herën e parë, gjatë tërë kohës së udhëheqjes së vendit me LDK-në, këtë subjekt kanë arritur ta mbajnë nën presion. Madje, një herë, në një natë të vonë, nga kafeneja “Zanzi Bar”, PDK-ja kishte kërcënuar partnerin për prishje të koalicionit, derisa gjithçka u përmbys mëngjesin e së nesërmes, kur Hashim Thaçi tha se gjithçka ishte në rregull dhe koalicioni do të vazhdonte.

Emri i Thaçit është lakuar në shumë skandale gjatë qeverisjes së tij prej tetë vjetësh.

Ministra të Thaçit u dyshuan për korrupsion, ndonëse askush nuk u dënua.

Skandali më i madh që i ka plasur Thaçit gjatë qeverisjes së tij, ishte ai i përgjimeve telefonike, ku ai u “shpërfytyrua” në raport me ish-kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, që gjatë telefonatave me zyrtarë të lartë të PDK-së e quante “Jakupovski”.

Njeriu që e humbi pushtetin në Prishtinë në përballje me Shpend Ahmetin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, tashmë po pritet të marrë në duar udhëheqjen e shtetit. Ndonëse i biri i tij ishte përfshirë në skandalin e blerjes së një “udhëheqësi të të rinjve të ‘Vetëvendosjes’” Isa Mustafa, një ish-profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe ish udheheqes me pozite në në Qeverin e Rrahman Morines, ather kur Kosovës ju hoq Autonomia dhe Kosova u la në gjakë dhe me pas zëvendëskryeministër i Qeverisë në ekzil u hodh në koalicion me Thaçin pas disa muajsh që vendi ishte pa institucione. Kjo, për shkak të marrëveshjes së parimeve që LDK-ja kishte lidhur me AAK-në, Nismën dhe Lëvizjen “Vetëvendosje” (VLAN).

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, Mustafa u zgjodh kryetar i Kuvendit në një seancë që më vonë u kontestua nga Gjykata Kushtetuese dhe ai u pezullua nga posti i kryeparlamentarit.

Muaj më vonë ai prishi marrëveshjen me Bllokun VLAN, për të lidhur koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, pasi u sigurua se do të ketë në dorë postin e kryeministrit, që LDK-ja nuk e ka pasur asnjëherë që nga paslufta, edhe pse ky subjekt kishte dalë fitues në dy palë zgjedhje.

Kabineti Mustafa, me ministra të dyshuar nga Prokuroria

Në mesin e ministrave që pritet të jenë pjesë përbërëse e kabinetit të Isa Mustafës ka njerëz që janë nën hetime.

Ish-ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani, gjatë tërë ditës së hënë është pritur të votohet nga Kuvendi për postin e Ministrit të Ambientit. Ky i fundit po hetohet nga Prokuroria si i dyshuar, për shkak të një marrëveshjeje që kishte lidhur me Spitalin IMH, ku dërgoheshin pacientët me sëmundje zemre e për çka janë disa mjekë të arrestuar.

Arsim Bajrami kësaj radhe, të hënën, është përfolur se do të ketë në duar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ish-ministri i Shërbimeve Publike ka qenë i angazhuar në hartimin e tekstit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe është njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës. Për disa vite ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Memli Krasniqi thuhet se nuk do ta ndërrojë objektin, sado që dikasteri që ai do ta udhëheqë do të jetë shumë kontradiktor me atë që ka udhëhequr deri më tani.

Ish-ministri i Kulturës pritet të jetë në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. 34-vjeçari nga Prishtina, magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare, para se të futej në politikë ishte marrë me muzikë dhe ishte reper i njohur i grupit “Ritmi i Rrugës”.

Më 2004 është angazhuar në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Në shkurt 2011, kur kishte arritur në krye të Ministrisë së Kulturës, ai kishte kërkuar largimin e portretit të Nënë Terezës nga holli i kësaj Ministrie. Pas reagimeve të ashpra, Krasniqi ishte detyruar të kërkojë kthimin e portretit të Nënë Terezës në vendin e saj, në hollin e Ministrisë së Kulturës.

58-vjeçarja, Edita Tahiri, dikur pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shumë vite ka qenë anëtare e Parlamentit të Kosovës. Ajo është përfolur si njeriu që do të udhëheqë Ministrinë e Shtetit dhe Bisedimeve. Ndonëse, për këtë pozitë mësohet se PDK-ja është mes saj dhe ish-ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhajt.

“Ujqit e vjetër” të LDK-së sërish tek ministritë me më shumë para

Ministria e Drejtësisë besohet se edhe një mandat do t’i jepet Hajredin Kuçit, ndonëse ky i fundit ishte përmendur në një skandal me ç’rast i kishte dhënë leje ish-ministrit, Astrit Haraqia, që ta vizitonte në burg ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Nga janari 2008 ka shërbyer si zëvendëskryeministër i Kosovës.

Ministria e Integrimit Evropian besohet se do të udhëhiqet nga Bekim Qollaku, që deri më tani ishte një këshilltar i lartë politik i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi. Ka punuar si asistent në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës dhe si hulumtues në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).

Nga Ministria e Bujqësisë, Blerand Stavileci, pritet të kalojë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në kohën e Stavilecit, Ministria e Bujqësisë kishte blerë një traktor me çmim shumëfish më të shtrenjtë se çmimi në treg, derisa 34-vjeçari nga janari i 2009-s deri në janar të 2011-s ka shërbyer si zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, mund të jetë njeriu që do të udhëheqë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, derisa emri i një mjeku gjilanas, njëherësh asamblist në Komunën e Gjilanit, është përfolur për ministër të Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për Imet Rrahmanin, mjek emergjent nga Gjilani dhe njeri i afërt me kryetarin e atjeshëm, Lutfi Hazirin.

Skandali me naftën e ka ndjekur në mandatin e tij paraprak Lutfi Zharkun, por ai me gjasë do të jetë ministri i Infrastrukturës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë besohet t’i takojë Hikmete Bajramit, kurse ish-ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, pritet të jetë në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Derisa Ministria e Financave pritet t’i takojë Avdullah Hotit, është profesori i Fakultetit Filologjik, Kujtim Shala ai që shihet si kandidati potencial për të udhëhequr me Kulturën në Kosovë. Një emër i ri që mendohet se do të udhëheqë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale është ai i Arban Abrashit.

Minoritetet do të udhëheqin me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila besohet se do të drejtohet nga Aleksandër Jablanovic, kurse Ministria për Komunitete dhe Kthim do të jetë në “duart” e Slobodan Petrovicit. Ndërkaq, Ministra e Administratës Publike besohet se do të jetë edhe në një mandat nën udhëheqjen e ministrit, Mahir Yagcilar.

 

Nga: Alban Selimi dhe besiana Xharra

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu