Udhëzimi antiligjor i Bajram Rexhepit – konfiskimi i tabelave s’parashihet askund

0
630

B

Udhëzimi administrativ i cili është nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku Policia e Kosovës merr patent shoferit apo librezës së qarkullimit, me rastin e dënimit në trafik siç duket nga disa qytetarë është pritur mirë por ka edhe prej tyre që këtë vendim e shohin si të gabuar pasiqë në asnjë vend të botës nuk ka vendim të tillë.

Por nuk janë, vetëm qytetarët ata të cilët ankohen që ky vendim nuk është i drejtë, të njëjtin mendim e ndan edhe Beqir Hamidi, profesor, në departamentin e komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, i cili tha për KosovaPress, se vozitësit në trafik duhet të gjobiten me gjoba që edhe iu takon e jo me marrje të patent shoferit.

Kurse, i pyetur se a do të ketë zvogëlim të numrit të aksidenteve me këtë udhëzim, ai tha se kjo absolutisht nuk ka ndikim në këtë gjë, sepse personi që dënohet sipas tij edhe nëse i merren dokumentet e qarkullimit, ai mund të vozisë prapë, dhe me këtë gjë prapë bënë shkelje.

“Meqenëse tash ministria është e pajisur me infrastrukturë ligjore mjaft, unë mendoj se duhet të korrigjohet kjo çështje, meqenëse për banorët rezident nuk është shumë e domosdoshme një gjë e tillë, kurse për banorët që janë jo rezident, bashkatdhetarë tonë të jashtëm mund të kushtëzohen, kurse banorët që janë këtu do me thënë është diçka e tejkaluar sepse ka mjaft mekanizma përcjellës të cilët e definojnë këtë çështje dhe nuk mund t’i ikë dënimeve asnjë vozitës, prandaj nuk është mirë t’i pamundësohet vozitësit dokumenti i identifikimit por të përcillet me ligjet përcjellëse që janë edhe gjoba t’u ekzekutohet në forma të rregullta e jo me marrje të patent shoferit…….Vendimi është i mirë sepse vetëdijesohen për një vërejtje por jo edhe aq i domosdoshëm do të thotë nuk është e mirë të mbesin vozitësit pa mjete të identifikimit sepse sipas ligjeve të BE-së patent shoferi e zëvendëson edhe letërnjoftimin meqenëse i ka të gjitha shënimet prandaj një gjë e tillë, pa mbetje të identifikimit është një kulturë do të thotë në shekullin XXI sepse ka mjaft mekanizma përcjellës që i gjobituri duhet t’i përcillet dhe ta ekzekutojë gjobën e jo të gjobite me marrje të patent shoferit”, ka thënë Hamidi.

Hamidi shtoi se kjo gjë që është bërë me këtë udhëzim është e njëjtë sikurse një qytetari t’i mirret letërnjoftimi dhe kjo është antiligjore edhe me ligjet e BE-së.

Kurse, Ramadan Krasniqi, qytetar nga Prishtina, tha për KosovaPress, se vendimin që e ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme, nuk është i drejtë dhe se kjo nuk ekziston në asnjë vend të botës.

“Unë jam qytetar i vjetër i Prishtinës, ajo nuk ekziston kërkund, nëse bëhet qashtu, as nuk ekziston jashtë as kërkund nuk ekziston, veç e bojnë qashtu dokumentat duhet ta bojnë për qat person jo për dikend tjetër…..Jo, nuk është vendim i drejtë”, është shprehur Krasniqi për KosovaPress.

Ndërsa, mendim tjetër nga Krasniqi ndan Halil Mala, banor nga Gjakova, i cili u shpreh për KosovaPress, se vendimi është i drejtë vetëm për shkak që kur mirren dokumentet secili e paguan dënimin.

“Po unë mendoj si qytetar që ky vendim është i drejtë për arsye se shumë kush kur nuk po iu marrin dokumentet nuk po i paguajnë dënimet, ashtu po i lojn. Kështu i bin mbas si thonë më shpejtë , e paguajnë”, ka thënë Mala.

Mirëpo, ndryshe thotë Ideal Bytyqi, qytetar nga Suhareka, duke u shprehur për KosovaPress, se nëse i merret dokumenti ai më nuk mund të vozisë.

“Për mua është shumë keq se për shembull nëse qat makinë që e vozis unë nuk kam dokumenta nuk mundem me vozit më nëse më duhet për diçka tjetër, s’mundem me dal në rrugë ose dikund, po në të njëjtën kohë ata i dinë ligjet edhe i dinë rregullat, ndoshta është mirë për një qëllim që e kanë mendu ata”, ka thënë ai.

Bytyqi tha se ndoshta ky vendim është bërë që të rinjtë të mos vozisin pa dokumente dhe të mos ketë lëvizje të mëdha.

E sipas Blerim Gashit, profesor në auto shkollë dhe instruktor në Itali, ky vendim që e ka marrë Ministria e Punëve të brendshme, për marrje të patent shoferit ose librezës së qarkullimit gjatë dënimit në trafik nuk është i lejuar me ligj, madje siç tha ai për KosovaPress përmes postës elektronike, dokumentet e vozitjes mund të mirren vetëm kur personi është nën ndikim të alkoolit.

“Ligji që të konfiskohet patent shoferi ose libreza e automjetit, e po ashtu edhe targat e automjetit ekziston, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse shoferi është nën ndikim të alkoolit dhe jo për shkak të ndonjë dënimi tjetër, dhe kjo ndodh që këto dokumente t’i merren për një kohë të caktuar. Libreza e automjetit mund të konfiskohet në rast se automjeti është pa kontrollim teknik ose është i ngarkuar për shkak që vetura nuk është e balancuar, dhe me këtë policia është e obliguar që të kërkojë nga shoferi që të bëjë balancimin e veturës, e në rast se shoferi refuzon atëherë i mirret libreza e qarkullimit”, ka thënë ai .

Gashi u shpreh për KosovaPress, se ky vendim është plotësisht i gabuar.

Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për KosovaPress, se numri i aksidenteve në tre mujorin e parë të këtij viti sa ka qenë 66.67 përqind në shtatë mujorin e fundit ka rënë për katër përqind, madje sipas tij Policia e Kosovës do të vazhdojë me implementimin e planeve të tyre në mënyrë që të ulin edhe më tej numrin e aksidenteve.

Ndërsa, i pyetur se a është bërë ky udhëzim administrativ vetëm për uljen e aksidenteve apo edhe për procedurën e pagesën e gjobave, Kelani tha se këtë udhëzim të lëshuar nga ministria e vlerësojnë, dhe se ky udhëzim sipas tij ka për qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion.

Ai po ashtu u shpreh se Policia e Kosovës është për vazhdimin e implementimit të çdo plani që ka të bëjë me jetërat e njerëzve.

“Realisht Policia e Kosovës është për vazhdimin e implementimit të planeve të Policisë së Kosovës, plane ato që ndërlidhen kryesisht me punën policore për të qenë prezent në trafik dhe për të ndikuar në ngritjen e nivelit të sigurisë sepse kemi qëllim primar shpëtimin e jetërave të njerëzve”, ka thënë ai.

Kelani pohoi se në bazë të këtij udhëzimi administrativ që është lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme vozitësve në rrugë iu konfiskohet patent shoferi.

“Policia e Kosovës bazuar në udhëzimin administrativ të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme konfiskon patent shoferin dhe çdo kundërvajtje që kryen kundërvajtje apo në raste të caktuara të këmbësorëve konfiskon njërin nga dokumentet për të qenë, për të proceduar pastaj me procedurat që parashihen me ligj, me ligjin mbi trafikun dhe sa i përket mikpritjes për vet faktin që kemi ulje të aksidenteve besoj që edhe qytetarët edhe gjitha institucionet e mirëpresin uljen e aksidenteve në tërësi”, ka thënë Kelani.

Kurse, i pyetur se sa gjoba janë bërë prej se ka hyrë në fuqi ky udhëzim Kelani tha për KosovaPress, se për çdo periudhë kohore e kanë të shënuar numrin e gjobave dhe krahasimet me periudhën e vitit të kaluar, por se ndonjë numër të saktë nuk e tregoi.

KosovaPress, kontaktoi edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme pikërisht për këtë udhëzim, por këta të fundit u përgjigjen se për gjithë këtë mund të flasë Policia e Kosovës.

Ndrërsa, Sheremet Ahmeti nga divizioni i komunikacionit rrugor u shpreh se nëse krahasohet gjendja e sigurisë në komunikacion nga viti i kaluar me këtë vit, atëherë numri i njerëzve që kanë humbur jetën është në ngritje për dhjetë përqind.

Ai tha se udhëzimi administrativ i cili ka hyrë në fuqi nga Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani ka dhënë rezultate të shumta dhe se ky vendim sipas tij është i drejtë.

“Ju e dini fare mirë që tre mujorin e këtij viti ne kemi pas një gjendje alarmante të sigurisë rrugore 64 e diçka përqind kemi pas ngritje normal se ne si polici, si ministri dhe si qeveria është dashtë të bëjë një veprim që kjo gjendje e tillë çfarë ka qenë të ndalet nga humbja e jetës së njerëzve në rrugë dhe një vlerësim operacional që ka bo policia e vendit ju ka drejtu ministrit dhe ministri e ka pru një vendim të veçantë ju e dini me të cilin pastaj gjatë shqiptimit për kundërvajtje Policia e Kosovës ia merr patentë shoferin gjatë kundërvajtjes i cili nuk e pagun gjobën. Mund të ju them me përgjegjësinë me të madhe që pas angazhimeve shtesë të policisë së vendit dhe pas vendimit të ministrit një gjendje sado ku do ka filluar të stabilizohet. Shumë nga ne fatkeqësisht nganjëherë edhe zyrtarët policorë thonë që nuk është e drejtë që është e drejtë e qytetarëve, po ma të drejtë fundamentale a ka se jeta e njeriut andaj është ndal dhe është dashtë të ndalet trendi negativ i humbjes së jetës së njerëzve dhe unë e shoh vendimin të nevojshëm , të domosdoshëm dhe si i tillë ka dhënë rezultate, ju thash 64 % ka qenë numri i atyre që kanë humbur jetën në tre mujor, ndërsa tash është do të thotë dikund dhjetë përqind edhe kjo nuk është e mirë absolut duhet të bëhet çdo gjë në së bashku”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, ky udhëzim administrativ ka hyrë në fuqi kohë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme./Jehona Zhuniqi/.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu