“Unë e dua Çamërinë” – Shpëtim Idrizi

0
974

Ndërsa merreshim me organizimin e Javës për Çamërinë dëshironim, që jo vetëm çamët, por të gjithë shqiptarët, e në veçanti brezi i ri, të kuptojnë se pse ne e duam Çamërinë.

Pse ne të gjithë duhet ta duam Çamërinë!

Po ju them shkurt pse ne shqiptaret e çamërise  e duam Camërinë, e për të nxitur dhe tek ju shumë arsye për t’a dashur;

Ne e duam Çamërinë:

 

· Sepse Çamëria është dheu i të parëve tanë, ku janë varret e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve tanë;

 

· Sepse, atje janë gjurmët më të vjetra të ekzistencës sonë njerëzore;

 

· Sepse, aty janë themelet e autoktonisë sonë, domethënë, pse ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë aty, në ato vise të mrekullueshme;

 

· Sepse, atje janë gjurmët e vijimësisë sonë etnike, kulturore, fetare dhe gjeografike, e pse jo dhe kanunore, dmth të ligjit zakonor shqiptar;

 

· Sepse, atje ka lindur dhe është rritur folklori ynë i mrekullueshëm;

 

· Sepse në Camëri kanë lindur mitet më të rëndësishme të Europës.

 

Ne e duam Çamërinë, akoma dhe më shumë, sepse një pjese të mirë të parardhësve tanë, u vranë, u masakruan, u bënë subjekt të një genocidi të pashembullt, vetëm pse ishin shqiptarë.

Si sot 67 vjet më parë, në dheun e tyre u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht, gra, pleq, e fëmijë, sipas manualeve më të suksesshëm të filmave horrorë, që mendjet e mbrapshta ballkanike gjithmonë i kanë në honet e kujtesës së tyre; rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin artificial të Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer.

E thënë kështu u shfaros gati 20 % e popullsisë së shpërngulur.

Java që ne kemi organizuar, synon të ketë të gjithë karakteristikat e traditës më të mirë të një jave të përkujtesës së këtij SHOAHU mbi çamët.

 

Termin SHOAH nuk po e marr hua padrejtësisht.

Janë disa arsye ku mbështetet paralelja egenocidit mbi hebrenjtë dhe çamët në Greqi:

 

1. Mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve të vet; vetëm e vetëm, sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar, dhe social të ndryshëm nga popullsia shumicë.

 

Kështu ishte dhe shoahu i njohur botërisht mbi hebrenjtë;

 

2. Njëlloj si mbi hebrenjtë ky genocid u ekzekutua nga forca, të cilat më parë kishin bashkëpunuar me nazistët, siç ishin bandat e drejtuara nga Napoleon Zerva;

 

3. Këto forca, bashkëpunuan me nazistët edhe për të spastruar komunitetin ebre të Greqisë me të cilin ne si komunitet kemi patur marrëdhënie të shkëlqyera;

 

4. Dhe më në fund, kombi shqiptar ka rezultuar në fund të Luftës së dytë botërore, kombi më mikpritës i ebrenjve.

 

Këto fakte që po them unë sot, nuk i kam shpikur unë, dhe as ndonjë historian çam.

 

Ne jemi mësuar të jemi autoreferencialë, t’i referohemi vetes kur flasim, kur qajmë, kur qeshim, kur bëjmë politikë, por historia e Camërisë, është jo- histori lokale, por ndërkombëtare.

 

Ndaj në gjetjen e kësaj paraleleje me hebrenjtë, unë i jam referuar historianëve realistë grekë, që sot po e zbulojnë para botës njollën e turpit, që qëndron mbi kombin grek në kohërat moderne.

Historiani grek Jorgos Margaritis profesor ne Universitetin Aristotel te Athines ne librin e tij “ Ebrejte dhe Camet bashkepatriotet e padeshiruar “, i quan hebrenjtë dhe grekët dy komunitetet historike të Greqisë, që u humbën në mënyrën më dramatike, brenda pak muash në 1943 dhe 1944.

Dhe më tej ai vazhdon: “Homogjenizimi fetar, kulturor, dhe kombëtar i Greqisë bëri një hap përpara drejt plotësimit të tij me spastrimin e Ebrejve dhe Cameve . …

Qëllimet më të gjera të nazizmit, përkuan me qëndrime dhe predispozita vendore tonat, plotësuan njera tjetrën, dhe u mbështetën tek njera tjetra për të çuar në përfundimin kriminal.”

Siç po e shihni, unë s’po ju ftoj të besojmë ekskluzivisht të vërtetën e krijuar prej nesh, por ju ftoj të mos jemi të kompleksuar nga “e vërteta e rreme, që krijuan kriminelët genocidistë grekë,”, dhe që në Ballkan u shfaq për herë të fundit me Millosheviçin.

Nuk ka të vërteta alternative të gjoja fitimtarëve, dhe të mundurve, ka vetëm një të vërtetë.

Unë jam i lumtur që më në fund kjo e vërtetë po fillon e po zë vend, duke nisur nga nderimi për të vdekurit e asaj tragjedie.

Për herë të parë në një kuptim në këtë përkujtesë merr pjesë dhe një qeveri shqiptare e kohës së demokracisë, të cilën duhet ta falënderoj. Qeveria shqiptare, së bashku me Komunën e Markatit dhe financimin e Komunitetit Çam, do të bëjnë të mundur ndertimin e varrezës së Kllogjerit, të varrezës monumentale, që si projekt është nga më  të bukurit  Europës Juglindore.

 

Ne po festojmë këtë vit 100 vjetorin e shtetit të ri shqiptar, dhe në këtë përvjetor duhet të tregojmë më shumë kurajë politike dhe njerëzore.

Kuraja është cilësi e njerëzve të lirë, e shteteve të lira. Unë s’them të shpallim luftë, e as po proklamoj këtu ndonjë program të ndryshimit të kufijve me dhunë.

Si parti kombëtariste, PDIU-uja nuk i ngjan partive me sfond racist të vendit fqinj, të cilët jo thjesht imitojnë nazistët si paraardhësit e tyre të Luftës së Dytë, por kanë dhe programe çlirimi të Shqipërisë nga shqiptarët.

PDIU sheh me shpresë, fitoren e forcave europianiste në Greqinë fqinjë, ashtu siç sheh me dëshpërim ekzistencën e forcave antieuropë brenda parlamentit grek.

Ndryshe nga këto forca, PDIU, nacionalizmi shqiptar është një patriotizem pro Europës, pro BE-së.

Çdo hap i kombit shqiptar drejt BE-së, është një hap drejt barazisë së kombeve në Ballkan.

Cdo hap yni drejt integrimit është shpresë më shumë për zgjidhjen e çështjes çame, brenda dokumenteve ndërkombëtare  dhe europiane, brenda institucioneve të së drejtës ndërkombëtare.

Si i pasionuar pas historisë, unë  e di se çamëria është tokë pjellore mitesh.

Mjafton Tju kujtoj tempullin e Dodones apo Orakullin e famshen te Zeusit , Lumin e Akeronit ,Nikopolisin etj. Atje në Çamëri, dy kombet më të vjetër të Europës, shqiptarët dhe grekët, pretendojnë pronësinë e këtyre miteve.

Nëpërmjet këtyre miteve, nëpërmjet shumë gjurmëve monumentale që gjenden në Çamëri, grekët duan të provojnë se rrjedhin prej helenëve të lashtë.

Ndoshta sic thotë Aristidh Kolia, patriarku i madh kombëtar shqiptar, dy kombet s’kanë arsye pse të grinden, por të bashkëjetojnë, duke nderuar rrënjët e tyre të përbashkëta, duke e vënë në vend drejtësinë!

Ka ardhur koha që Greqia përfundimisht, të kuptojë se asnjë e keqe, nuk i vjen sot prej kombit tonë, prej bashkëjetesës me shqiptarët, kudo ku ata kanë jetuar, dhe ku duhet të jetojnë, siç ka ndodhur në histori!

Ne sot nuk kemi pretendimin që përkujtimi i genocidit mbi çamët, të marrë karakter të përbotshëm siçështë SHOAHU për hebrenjtë.

Por unë them të paktën të marrë karakter mbarëkombëtar. Edhe vetë ky parlament në vitet kur pragmatizmi ende s’ishte kaq dominant sa sot, e ka shpallur 27 qershorin si ditë e përkujtimit të masakrave mbi çamët.

Unë në emër të PDIU-së, mendojmë se thjesht përkujtimi i të vërtetës nuk mjafton. Nuk ka të vërtetë pa drejtësi.

Për të vënë në vend drejtësinë për viktimat e genocidit mbi Camërinë, duhet që zgjidhja e çështjes çame të jetë në axhendën e veprimit të institucioneve tona, diplomatike dhe juridike.

Ndaj ne mendojmë se ka ardhur koha që të miratohet përfundimisht një Rezolutë mbi çështjen çame, e cila ta sanksionojë përfundimisht futjen e kësaj çështjeje në axhendën tonë kombëtare.

Ky parlament nuk është si parlamenti i 2004-ës, ku ndërgjegja kombëtare mungonte me tepri. Apo kur anetaret e Shoqates Çameria rriheshin e gjakoseshin ne dyert e parlamentit te Shqiptareve.

Në këtë parlament të gjithë deputetët vlejnë njëlloj dhe ne Shqiptaret e Çamerise ju konsiderojme te gjitheve si burra e gra me dinjitet e patriot.

PDIU-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që ta shtyjë parlamentin t’a miratojë rezolutën, qoftë dhe duke i bërë thirrje vullnetit të qytetareve Shqiptare   anembanë kombit.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, ju ftoj dhe njëherë të mbajmë një minutë zi, në këmbë, për kujtimin e viktimave të genocidit mbi popullsinë çame!

 

(Fjalimi i kryetarit të partisë PDIU, Shpëtim Idrizi në Kuvendin Shqiptar lidhur me propozimin e Rezolutës për Çamërinë)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu