UNMIK-u i dëmshëm për Kosovën, duhet të largohet

0
622

UNMIK-u

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, mbetet i padëshiruar dhe po shihet si pengesë nga ana e opozitës dhe shoqërisë civile për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës,veçanërisht në sferën diplomatike.

Për Lëvizjen Vetëvendosje ky mision dhe prezenca e tij në Kosovë mbetet e papranueshme dhe si e tillë nuk duhet lejuar. Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Zgjim Hyseni në një prononcim për KosovaPress tha se duhet të ndërpritet ky mision sa më shpejtë që është e mundur.

Hyseni: Ky mision të hiqet një orë e më parë

“ Për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdimësia e prezencëssë UNMIK-ut në Kosovës është e papranueshme dhe si e tillë nuk duhet lejuar. Mund të ketë zyre të OKB-së në Republikën e Kosovës por kurrsesi mision të UNMIK-ut, bazuar në Rezolutën 1244. Për neve edhe vazhdimësia e UNMIK-ut këtu është edhe një tregues tjetër për hapësirat boshe që i lë Qeveria e Kosovës sa i përket ushtrimit të sovraniteti. Hapësira këto që po i shfrytëzon misioni i UNMIK-ut. Ne duhet ta kemi të qartë se misioni i UNMIK-ut është i bazuar në Rezolutën 1244 dhe për sa kohë ai do të jetë i pranishëm në Kosovë, asgjë të mirë nuk do të kemi prej tyre. ..Gjithsesi për ne prania e këtij misioni është problematike dhe ky mision duhet të ndërpritet së vazhduari një orë e më parë”, tha Hyseni.

Ndërsa për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës prezenca e mëtejme e UNMIK-ut, përveç që është e panevojshme, ajo edhe po shkakton vështirësi për Kosovën dhe njohjen e shtetësisë së saj, pasi që po përdoret nga ana e shtetit serb si argument për të parandaluar njohjet.

“Vete ekzistenca e misionit te UNMIK-ut dhe Rezoluta 1244 e cila, fatkeqësisht vazhdon të jetë ende në fuqi, shpeshherë po përdoret si argument nga Serbia për nevoja të konsumit të brendshëm politik por edhe si argument në përpjekjet agjituese dhe të avokimit te vendet e ndryshme nëpër botë, me qëllim të parandalimit të njohjeve për Kosovën. Dhe rrjedhimisht, është pikërisht procesi i njohjeve për Kosovën, ai i cili është më së shumti duke lënguar dhe vazhdon të pengohet me vetë prezencën e UNMIK-ut dhe Rezolutën 1244”, tha për KosovaPress përmes një përgjigje me email, anëtari i kryesisë së AAK-së, Alban Dermaku.

Në anën tjetër, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike, vlerëson se ndonëse UNMIK vazhdon të jetë pasiv me prezencën e tij në Kosovë, ky mision si i tillë po dëmton shtetësinë dhe imazhin e vendit.

Korenica: UNMIK i dëmshëm për shtetësinë e jashtme të Kosovës

“Sa herë që UNMIK-u në Kosovë përmendet si një mision që vazhdon të ekzistoj, një gjë e tillë është kundërpërgjigje për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, kështu që në parim vazhdimi i prezencës së UNMIK-ut në Kosovës është i dëmshëm për shtetësinë e jashtme të Kosovës dhe për imazhin tonë si një vend i pavarur dhe i cili në parim nuk duhet të ketë asnjë mision ndërkombëtar, sidomos ato që burojnë prej Rezolutës 1244, e i cili mision pavarësisht që është pasiv me vet prezencën e tij e dëmton konceptin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovranënë terrenin ndërkombëtar”, tha Korenica.

Sipas tij, do të ishte një gabim diplomatik nëse institucionet e Kosovës do të kërkonin të largohej me forcë ky mision, por se për të kërkuar një gjë të tillë, sipas tij, do të duhej të gjendeshin forma të tjera të cilat do të ia pamundësonin prezencën këtij misioni në vendin tonë.

Korenica: UNMIK të largohet duke ia zvogëluar fondet

“E vetmja rrugë për të kërkuar largimin e UNMIK është që të punohet në një qasje diplomatike të partnerëve t ë Kosovës dhe së bashku me ta të bëhet praktikisht i pamundur prezenca e UNMIK-ut në Kosovë, në mënyrën që duke izvogëluar financimet ngadalshëm për fondet që ka UNMIK dhe që shfrytëzon në Kosovës në fakt të bëhet edhe e pamundur ekzistenca e këtij misioni dhe vazhdimi i një misioni të tillë në Republikën e Kosovës”, tha Korenica.

Ai tha se Kosova duhet të promovoi interpretimin e opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmon që Rezoluta 1244 nuk është problem për shtetësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht në këtë opinion specifikohet se ekzistenca e saj në asnjë mënyrë nuk pengon dhe duhet të shihet si kundërshtim për pavarësinë e Kosovës.

Sipas Korenicës, prezenca e UNMIK është shumë herë më i rrezikshëm në luftim që Serbia po i bënë edhe imazhit, edhe anëtarësimit tonë në organizata ndërkombëtare se sa rezoluta 1244.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe njëherit ministri i Punëve të Jashtme i KosovësHashim Thaçi në fjalimin e tij të mbajtur të premten para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka kërkuar që të shqyrtohet me diskutime serioze mandati i misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Thaçi krejt në fund të fjalimit të tij është shprehur “ Mandati i ardhshëm i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm duhet të shqyrtohet me diskutime serioze se si mund të transferohen burimet që deri me tani shpenzoheshin në Kosovë te njerëzit në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, të cilët sot po ballafaqohen me vështirësi të mëdha dhe kërcënime ekzistenciale”. /kp/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu