Update: S’ka grupe të armatosura në Likovë e Radushë

0
813

Shkup, 28 mars- Nuk ka lëvizje të grupeve të armatosura por janë një tentim i medieve dhe grupeve të interesit që të krijojnë pasqyrë të destabilizimit.

Në këtë mënyrë MPB-ja ka hedhur poshtë pohimet për praninë e grupeve të armatosura në rajonin e Likovës dhe Radushës. Portali ohridsky mëngjesin e sotëm duke u thirrur në burime të shërbimeve të kundërzbulimit ka dalë me pohim se në rajonin e Likovës operojnë grupe të armatosura të UÇK-së nën komandën e Maliq Ndrecajt?!

Nga MPB-ja madje informojnë se bëhet fjalë vetëm për dezinformatë. “Nuk kemi informata të tilla, por nuk mund të përjashtojmë faktin se individë apo grupe të interesit edhe në periudhën e ardhshme do të shfrytëzojnë disa media për plasimin e dezinformatave të ndryshme me qëllim që të shqetësojnë qytetarët dhe me këtë të krijohet pasqyrë e destabilizimit.

Edhe në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të këtyre informacioneve e të cilët tentojnë të marrin ndonjë pikë politike”, kanë thënë në MPB. Edhe kryetari i Likovës Sadulla Duraku ka demantuar lëvizjet e tilla dhe se në lokalitet e fshatrave të kësaj komune sipas tij, “nuk ekzistojë persona të tillë”.

“Sa po dëgjova informatën kam biseduar dhe me njerëzit e vendbanimeve komunës dhe më njoftuan se nuk kanë parë lëvizje të tilla. Unë apeloj deri tek mjetet e informimit sidomos ata maqedonase që të mos bëjnë eksperimente me komunat e pastra shqiptare rurale. Ne jemi përcaktuar njëherë për Marrëveshjen e Ohrit dhe jemi duke e përmbushur plotësisht atë”, tha Duraku.

Ndërkohë pohimet e tilla për gjoja lëvizje të grupeve të armatosura në fshatin Radushë i ka demantuar edhe Rafiz Haliti, ish komandant Mësuesi.

“Janë pastër spekulime. Ato vijnë nga qarqe të caktuara dhe nuk dua të komentojë më tepër”, tha Haliti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu