Ushtarët e Prapaqanit erdhën pas betejës (12)

1
681

Ushtarët e Prapaqanit erdhën pas betejës (12)

“E vërteta për luftën në Loxhë” (12). Lajmi për përleshjen e armatosur ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe më 5 korrik të vitit 1998 shumë shpejt do ta merrte dhënë.

 

Ish-ushtari i UÇK-së, Bardhyl Rexhepaj, tregon se pas disa orëve, sidomos natën në Loxhë, do të shkonin ushtarë të UÇK-së nga shumë fshatra të tjera të Dukagjinit, kurse të nesërmen në mëngjes, më 6 korrik 1998, forcat serbe do ta nisnin sulmin e parë të rrufeshëm mbi Loxhën.
“Epoka e re”
Lufta në Loxhë ishte e organizuar nga UÇK-ja. Kështu ka thënë ish-anëtari i Shtabit të UÇK-së në Loxhë, Bardhyl Rexhepaj. Ai ka treguar se rreth 14 djemtë të Loxhës do të shkonin në Gllogjan në ditët e para të prillit të vitit 1998 për t’iu bashkuar radhëve të ushtrisë. “Në Gllogjan kemi shkuar 14 djem nga Loxha. Komandant e kemi pasur Bedri Shalën, tash dëshmor i kombit”, ka thënë ai. Pas disa ditë stërvitje të 14 djemtë e Loxhës do të kthehen në fshat, kurse pas një jave, gjashtë nga ta, do të nisen për në Shqipëri, për të marrë armatim. “Vëllezërit tanë në Perëndim i kanë mbledhur financat. Jemi takuar me disa prej tyre në Shqipëri. Po ashtu, jemi takuar edhe me Xhabir Zharkun, i cili na ka dhënë rreth 12 mijë dollarë për transport, pasi i kishin shpenzuar të gjitha financat duke blerë armatim. Por, si kompensim e kemi lënë një pjesë të armatimit në Shtab të Gllogjanit”, ka thënë ai.
Rexhepi ka treguar se pas qëndrimit 21 ditorë me 117 kuaj të ngarkuar me armatim janë nisur për në Kosovë. Rrugës për në Jasiq ai ka thënë se ka pasur edhe ushtarë të tjerë të UÇK-së, ndër ta edhe eprori Sali Veseli, i cili gjatë luftës do t’i vizitonte në Loxhë. “Sali Veseli më vonë na ka vizituar në Loxhë. Ai ishte ndarë i kënaqur me përgatitjet që kishim bërë”, ka thënë Rexhepaj. Sipas tij, nga Shqipëria fillimisht janë ndalur në Jasiq, Gllogjan, pastaj në Loxhë, ku e kanë shpërndarë armatimin. Pas shpërndarjes së armatimit, Rexhepaj ka treguar se kishin vendosur të bënin roje në fshat. “Ndër të tjera, arsyeja se pse filluam të bënim roje ishte se shumë ushtarë vullnetarë që i bashkoheshin UÇK-së, nëpërmjet Loxhës dëshironin të kalonin në fshatra që kontrolloheshin nga UÇK-ja, por nuk e dinin terrenin. Kështu që, caktuam disa djem të armatosur të rrinin në pika dhe t’ua tregonin rrugën ushtarëve për të mos rënë në pritë”, ka deklaruar ai.
Incidenti i parë…
Incidenti i parë, pas të cilit do të niste lufta në Loxhë, konsiderohet më 5 korrik të vitit 1998, ditë kur në Gorazhdec do të qëndronte edhe Vojisllav Shesheli. “Atë ditë ka ndodhur një incident. Një patrullë e policisë serbe ka tentuar të hyjë në Loxhë, por është ndeshur me rojet. Aty ka ndodhur përleshja e parë. Madje një nip tonin, Labinot Shalën, e patën zënë, por më vonë e kanë liruar, pasi u kishte thënë se rastësisht ka qëlluar të dajtë”, ka thënë Rexhepaj. Në të njëjtën ditë, pas disa orësh, ai ka treguar se në Loxhë ka shkuar edhe një patrullë tjetër e policisë serbe, nga rruga tjetër, nga Grabovci, që të lidhet me rrugën e Gorazhdecit. “Janë pozicionuar në shtëpinë e një qytetari serb. Fillimisht banorët e asaj shtëpie kanë dalë për të shikuar mos po shohin diçka, kurse më vonë edhe vetë policët kanë filluar të vijnë në drejtim të fshatit, duke e shtyrë veturën. Por, kur kanë shkuar afër pikës ku kanë qenë të pozicionuar ushtarët tanë, ndër ta edhe Tahir Shala, kanë filluar të sulmojnë. Si duket dikush u kishte treguar se ku ndodhën ushtarët tanë. Aty ka mbetur i plagosur kryesori, Tahir Shala, i cili më vonë ka vdekur. Me të marrë vesh lajmin, me disa djem të tjerë kemi shkuar në vend të ngjarjes. Gëzim Ademaj e ka tërhequr veturën e serbëve, e cila kishte mbetur aty. Nga ai moment kemi qenë të mobilizuar. Tërë natën kemi punuar në hapjen e istikameve”, ka deklaruar Rexhepaj.
Lajmi për përleshjen e armatosur ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe shumë shpejt do ta merrte dhënë. Rexhepaj tregon se pas disa orëve, sidomos natën në Loxhë, do të shkonin ushtarë të UÇK-së nga shumë fshatra të tjera të Dukagjinit, kurse të nesërmen në mëngjes, 6 korrik 1998, forcat serbe do ta nisnin sulmin e parë të rrufeshëm mbi Loxhën. “Ka qenë ora 06:00 apo 6 e 30 kur ka filluar beteja. Unë po flas për terrenin ku kam luftuar, edhe pse kohë pas kohe kam lëvizur. Ushtarët serbë atë ditë na kanë sulmuar nga tri anë: nga pjesa që lidhet me Raushiqin, nga ana e qytetit të Pejës dhe ajo e Gorazhdecit. Nuk e di që ka mbetur vend pa u granatuar. Megjithatë, nuk jemi tërhequr nga pozicionet tona”, ka rrëfyer ai.
Dhe përderisa beteja kishte marrë fund, Rexhepaj ka treguar se rreth orës 13:00 në Loxhë janë parë edhe disa ushtarë nga Prapaqani. Atij i kujtohet se pas ndaljes së sulmit i kishte thënë një ushtari që me një karrocë ta furnizojë pikën me armatim. Por, i njëjti ushtar, kur i sheh ushtarët e Prapaqanit, mbetet i hutuar. Për një moment mendon mos forcat serbe kanë depërtuar nga prapa në fshat. “Në atë moment po më thotë: Bardhyl, na kanë hyj forcat serbe nga mbrapa. Unë fillova të qesh. E dija se nuk kanë depërtuar forcat serbe në fshat. Kam shkuar bashkë me të dhe jam takuar me ushtarët e Prapaqanit. Aty e kam pasur kontaktin e parë me ata ushtarë”, ka deklaruar Rexhepaj.
Në vazhdim Rexhepaj ka treguar se sulmi i dytë brenda datës 6 korrik të vitit 1998 ka ndodhur në orën 15:00. “Na kanë sulmuar disa ushtarë të maskuar, por edhe aty janë thyer keq. Unë i kam udhëhequr edhe disa ushtarë të Prapaqanit, por ka pasur edhe ushtarë të tjerë vullnetarë që kanë luftuar”, ka thënë ai. Rexhepaj ka bërë me dije pas një ore e gjysmë janë tërhequr forcat serbe. “Kur jam nisur për të shkuar në brendi të fshatit për ta shikuar gjendjen, gjatë rrugës jam takuar me Gëzimin Ademajn dhe Esat Ademajn. Në fshat atë ditë është mbajtur një mbledhje, në të cilën ka marrë pjesë edhe Shaban Shala. Unë nuk kam marr pjesë, sepse nuk më është dukur e arsyeshme të mbajmë mbledhje kur luftohej. Prandaj nuk më ka interesuar se çka është vendosur aty”, ka thënë Rexhepaj.
Pas një periudhe kohore, brenda së njëjtës ditë (6 korrik ’98), Rexhepajt i kujtohet se zëvendëskomandanti Haki Shala i ka kërkuar t’u dalin në ndihmë ushtarëve të Prapaqanit, pasi nuk e dinin terrenin. “Te varret e fshatit jam takuar me Gëzim Ademajn. Deri vonë nuk e kam ditur se po na kërkojnë ndihmë për ta tërhequr kufomën e Rrustem Bruqit, i cili ishte vrarë në oborrin e shtëpisë së Zvonkit. “Haki Morina, unë, Gëzim Ademaj dhe Sherif Gashi nga Qyshku jemi nis për ta tërhequr kufomën e Bruqit, kurse gjatë rrugës jemi takuar me Fadil Hatergjonaj. Ushtarët e Prapaqanit kishin qenë të stacionuar këndej bojlive. Andej rrugës që e ndan Loxhën me Dardaninë asnjë ushtar i tyre nuk kishte shkelur. Fadil Hatergjonaj e kishte pasur një zollë të prodhimit jugosllav. I kam thënë të na japë për ta sulmuar kullën e serbit, kurse ai më ka thënë se do të gjuajë vetë. Fadili ka gjuajtur, por s’e ka rrokur as kullën”, ka thënë Rexhepaj, duke shtuar se pas disa orë përpjekjesh, herë pas herë përleshje, ia kanë dalë ta tërheqin kufomën e Rrustem Bruqit. “Pasi e kemi tërhequr kufomën e Rrustem Bruqit ua kemi dorëzuar ushtarëve të Prapaqanit. Aty mbaj mend se ka ndodhur një fjalosje, por s’po dua të hyj tash se si. Pastaj nga aty, afër shtëpisë së Paviqit, e kam tërhequr edhe një kombi, në të cilin ka qenë i vendosur një golinov, të cilin e kam çuar në brendi të fshatit. Më 7 korrik 1998 ka pasur prapë granatime”, ka thënë Rexhepaj. (VIJON)
NË NUMRIN E ARDHSHËM BARDHYL REXHEPAJ RRËFEN PËR BETEJËN E 15 GUSHTIT TË VITIT 1998, PËR RËNIEN E LOXHËS, PËR DORËZIMIN E ARMËVE NË ISNIQ DHE PËR SHUMË NGJARJE TË TJERA.

 

1 Koment

  1. Rrene e kullume more Brdhyl .
    Kur jemi ardh ne “Vullnetaret e Prapaqanit” ty se bashku me nje grusht djemsh nga Loxha ju kemi gjetur ne “Bixha”, diku ne mes Logje dhe Zllapekut. Ne mbrendi degjoheshin te shtena sporadike qe me vone kuptuam qe ato ishin nga grupi i nderhyrjes se shpejt te Prapaqanit, Broliqit e Dubivikut.
    Pasi ishim shume vullnetar dhe degjoheshin te shtena diku ka shkolla Maxhun Berisha ishte ai qe u perpoq te organizoi qe te futeshim mbrenda, dhr asnjeri prej jush, madje as ti e Nexhi (qe quhej) nuk na erdhet, erdhi vetem nje plak i Loxhes per te na shoqeruar dhe treguar terenin me ç’rast gjetem nje plakë te plagosur te cilen e terhoqem…
    Nejse… Tjerat me voneeeee

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu