Vardisjet pa takt të Flora Kadriut!

0
569

Në emisionin debativ, në televizionin nacional Kanal 5, të premten mbrëma, organizuar nga gazetari Milenko Nedelkovski, kryeministri Gruevski u ndodhë në një situatë të palakmueshme përballë panelistes Flora Kadriu.

Kjo e fundit, pas një diskutimi të stërgjatur e konfuz, që vështirë ta ketë marr vesh edhe ajo vet se ç’tha, e lëre më Gruevski, të cilit iu drejtua gjoja me pyetje, shtroi, sipas saj, nevojën e kolacionimit natyral të partive politike. Ajo me këtë ia servoi idenë Gruevskit se të vetmit partner natyral në Maqedoni qenkan VMRO dhe PDSH, ashtu siç kishin qenë në vitet 1998-2002. Zonja Kadriu këtë ide të përtypur keq në një studio televizive, si duket nuk e kishte përpunuar mirë, pasi që sigurisht shefat e saj ia kanë paketuar pak më ndryshe dhe nuk besojmë që ata të kenë qenë aq pa invencion sa ajo kur ia kanë propozuar ta thotë publikisht para kryeminstrit Gruevski.

Gjithashtu edhe komentimi i saj aspak diplomatik i propozimit për president konsensual nga ana e BDI, bëri që edhe panelistët tjerë, bashkë me Gruevskin, të ndjehen keq. Ajo në vend se të shpaloste platformën dhe vizionin e partisë së saj sa i përket zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, me një vardisje të paparë dhe tepër të gërditshme, baltoste një parti tjetër shqiptare dhe ofronte njëfarë argatllëku blanko për VMRO-në e Gruevskit. Ishte kjo një reklamë e keqe për vetë partinë e saj, e më tepër një vetëpërbuzje me konotacion etnik, që s’ia kërkonte askush në atë debat panelistësh.

Një mendësi deformuese që për bazë ka vardisjen ndaj faktorit politik maqedonas, rezulton të jetë e dëmshme për vetë promovuesit e kësaj fiskulture mentale, aq më tepër kur synohet të merret mandati pa ofruar alternativë ndryshe. Nëse marrja e pushtetit, sipas Flora Kadriut, qenka kaq e lehtë duke e zëvendësuar një parti shqiptare me një parti tjetër shqiptare në qeveri, vetëm e vetëm që të arrihet ‘koalicionimi natyral’ me një parti të djathtë maqedonase, atëherë, jemi para situatës të zgjedhim midis gomarit dhe gjarpërit.

Ende nuk kemi dëgju që ‘natyraliteti’ i koalicionimeve të tilla po u përgatitka nëpër laboratore misterioze politike dhe nëpër studio televizive dhe sipas kësaj logjike të çoroditur votuesit shqiptarë e paskan të kotë të dalin në zgjedhje pasi që vullneti i tyre ‘natyral’ prej përpara po përcaktoka dhe qenkan fare pa efekt angazhimet e shtabeve zgjedhore për të dalur me platforma sa më të dinjitetshme para elektoratit.

Një paraqitje e tillë skandaloze, zbulon edhe njëherë paqartësinë që ka kaplu segmente të caktuara politike shqiptare në Maqedoni, të cilët ende mendojnë se faktorizimi vie nga të qenit partner me ndonjë parti politike maqedonase, e jo nga puna dhe mobilizimi që duhet të kenë strukturat partiake shqiptare, cilado qofshin ato.

Nxënësit e dobët të propagandës politike, do të duhej të dijnë se edhe vardisja e ka njëfarë marifeti. Por, kur ajo bëhet aq vulgare e pa takt, atëherë e iriton jo vetëm elektoratin vetanak, por edhe ‘padronin’, të cilit i drejtohet vardisja. (FAKTINEWS)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu