Varrezat e ushtarëve grekë, ja 6 vendet ku do gërmohet

0
769

TIRANE-Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për “kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve të rënë në luftë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke në vitin 1940-1941” kanë filluar punimet në 6 vende për zhvarrimin e të rënëve.

“Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dje një letër të ministrisë së Mbrojtjes, drejtuar asaj të Brendshme, ku e informon se punimet duhet të fillojnë në Prefektuat e Korçës e Gjirokastrës, respektivisht në Korçë (qytet qendër), në Kalivaç të Pogradecit, Hormovë e Peshtani në Tepelenë si edhe në Peshkëpi e Poshtme të Gjirokastrës. “Për dhënien e lejes për fillimin e punimeve në këto 6 pika, për zhvarrimin, kërkojmë miratimin nga autoritetet qendrore dhe vendore, sipas hierarkisë përkatëse, nga prefekti, kryetari i Bashkisë, Komuna, kryeplaku, Komuniteti Fetar, drejtoria/qendra/dega/seksioni përkatës i Trashëgimisë Kulturore”, – citojmë nga letra e ministrisë së Mbrojtjes, që për dijeni i është dërguar edhe ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Turizmit.
GREQIA
Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë ka kërkuar nga Shqipëria leje për të kërkuar në 696 vende të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht fshatra dhe qytete në jug të Shqipërisë për eshtra të ushtarëve pushtues grekë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ky fakt do të pohohej dy muaj më parë edhe në Parlamentin e Athinës dhe nga vetë zv/ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panajot Karabela. Ai tha se kërkimi për eshtra fillimisht do të kryhet në 6 vendet e para, duke lënë të nënkuptohet se kërkimet do të shtrihen mandej në 696 vende, Sipas tij, kjo gjë është e parashkuar nga marrëveshja mes dy shteteve, firmosur në shkurtin e vitit 2009.

“Do të doja gjithashtu që në shtator të këtij viti, atasheu ushtarak i Greqisë në Tiranë vizitoi në Gjirokastër dhe në Këlcyrë, gjashtë nga vendet e para të gjetjes së eshtrave, me qëllim që të përcaktohej koha e nisjes së punimeve në terren nga pala shqiptare. Për këtë çështje dhe çështjet që kanë lidhje me të, brenda muajit dhjetor do të bëhet në Athinë një takim i dytë i komisionit mikst të ekspertëve. Paralelisht, antarët e komisionit këtu dhe në Shqipëri do të punojnë për mbledhjen dhe verifikimin e materialit arkivor, gjetjen e mënyrës së identifikimit dhe marrjen e lejeve të kërkimeve dhe ndërtimit.” – mbylli deklaratën e tij zëvendësministër i Mbrojtjes i Greqisë. Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga dy vendet në vitin 2009, kur u vendos që të ngriheshin dy varreza, një në Bularat të Gjirokastrës dhe një në Kosinë të Përmetit. Marrëveshja kaloi në Kuvendin e Shqipërisë me vetëm dy vota kundër, të deptuetëve të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët e cilësuan të papranueshme “legalizimin” e disa varrezave inekzistuese të një ushtrie pushtuese.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu