Vazhdojë magjistralen Prishtinë-Pejë

0
1042

Ministria e Infrastrukturës planifikon që sivjet ta vazhdojë magjistralen Prishtinë-Pejë. Punimet pritet të fillojnë së shpejti në segmentin nga Gjurgjica deri në Kievë. Prej Kieve e tutje mbetet për të ardhmen. Ky projekt milionësh, prej vitesh po zvarritet.

As sivjet nuk pritet t’i shkohet deri në fund magjistrales Prishtinë-Pejë, e ashtuquajtur rruga M9. Ministria e Infrastrukturës planifikon që për këtë vit punimet të vazhdojnë nga Gjurgjica, aty ku edhe janë ndërprerë kohë më parë, në vazhdim të Kievës. Ndërkaq, prej Kieve e tutje mbetet për të ardhmen.

Zyrtarë të Ministrisë se Infrastrukturës thonë se për sivjet këto janë mundësitë.

Ndërkohë, ky projekt ka vite që po zvarritet me arsyetimet për mungesë të mjeteve financiare duke u bartur nga viti në vit.

“Rruga M9 apo magjistralja Prishtinë-Pejë këtë vit do të kryhet nga Gjurgjica deri në Kievë. Së shpejti do të kemi proces tenderues për këtë pjesë”, ka thënë këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës, Lah Nitaj.

Nga Kieva deri në Klinë, Nitaj thotë se për sivjet do të hartohet vetëm projekti, ndërkaq punimet nuk dihet se kur do të nisin.

Veç këtij projekti, kjo ministri planifikon që njëjtë të veprojë edhe me rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

“Njësoj do të veprohet në rrugën M2, përkatësisht Prishtine-Mitrovicë. Jemi në përmbarim të dokumentacionit për tenderim. Sivjet do të ndërtohen edhe tri segmente të reja drejt Vushtrrisë”, ka thënë Nitaj.

Një nga problemet që ka ndikuar në ngecjen e këtyre projekteve janë edhe shpronësimet. Për segmentin nga Gjurgjica deri në Kievë, Ministria ende po merret me procedurat e kompensimit për banorët e atjeshëm.

Në tenderin që është shpallur për shpronësim thuhet se të drejtë kompensimi kanë banorët nga segmenti rrugor Arllat-Kievë.

“Plotësimi i Elaboratit të Shpronësimit për Rrugën Nacionale M9, drejtimi Prishtinë – Pejë, segmenti rrugore Arllat – Kijevë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Kur kishte nisur ky projekt, premtimet nga Ministria e Infrastrukturës kanë qenë të kryhet brenda dy apo tri vjetësh. Projekti i parë dhe më i madh i vitit 2008 – 2009 pati qenë ky i autostradës Sllatinë – Gjurgjicë, e cila është e gjatë 22 kilometra. Vetëm ky segment ka kushtuar mbi 52 milionë euro. Rreth 44 milionë euro për rrugë, ndërsa mbi 8 milionë për ura.

Ndërkaq, për segmentin nga Gjurgjica deri në Kievë, Nitaj thotë se ende nuk dihet sa do të kushtojë, pasi janë ende në fazat tenderuese. Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se paratë janë planifikuar që kësaj rruge sivjet t’i shkohet deri Kievë.

Ndryshe, në buxhetin e vitit 2013, i cili kap shumën prej 1.586 miliardë eurosh, autoritetet e Kosovës si projekte me prioritet kanë futur përfundimin e autostradës Morinë – Merdar dhe ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.

Për autostradën e re Prishtinë – Hani i Elezit është bërë e ditur se fillimisht nga buxheti i vitit 2013 janë ndarë 30 milionë euro, Ndërkaq, për përfundimin e projektit të autostradës Morinë – Merdarë janë paraparë 217 milionë euro.

 

Nga Agon Sinanaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu