Vdes i riu Italian kurohej me sodë buke në Tiranë

0
717

Prokuroria e Tiranës, e Romës dhe ajo e Catainias në Itali ka nisur hetimet në lidhje me vdekjen e një 27-vjeçari italian, i cili gjeti vdekjen në QSUT, pak minuta pasi u dërgua nga një spital privat aty pranë. Bëhet e ditur së të riut italian po i bëhej terapi me sodë buke, pasi vuante nga tumori në kokë. Kur gjendja u përkeqësua ai u transportua në Qendrën Spitalore Nënë Tereza dhe atje një mjek shqiptar i ka dhënë valium, ku pak minuta më vonë djaloshi italian ka gjetur vdekjen.

Nga të dhënat, i riu italian Luca O., ka gjetur vdekjen në Tiranë, ndërsa ishte në kurim e sipër nga Tullio Simoncini, një mjek italian, i cili pretendon se arrin të kurojë sëmundje të rënda duke përdorur sodë buke.

Vdekja e 27-vjeçarit nga Catania, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Romës e cila ka nisur zyrtarisht hetime në Shqipëri dhe në Itali lidhur me rastin.

Nga hetimet e deritanishme, djaloshi italian vdiq pas një terapie me bazë sodën e bukës për të kuruar një tumor në tru në një spital privat në Tiranë.

Vdekja e të riut ka ndodhur më 18 tetor. Familja e Luca O. ka bërë denoncim për të riun nga Catania duke deklaruar se ai nga spitali privat u dërgua tek QSUT-ja, aty pranë ku edhe ndërroi jetë pasi shkoi në grahmat e fundit.

Avokati i familjes së të ndjerit ka thënë se i riu i ishte nënshtruar kurës së dhënë nga mjeku Tullio Simoncini.

Ky mjek në fakt ka qenë edhe më parë pjesë e lajmeve të kronikës së zezë në Itali. Ai flet i bindur se mund të kurojë kancerin duke përdorur sisteme paralele kurimi përmes terapive tradicionale siç i quan ai dhe në rastin e 27-vjeçarit, duke përdorur sodë buke.

Luca, qershorin e kaluar u diagnostikua me tumor në tru. I shoqëruar nga prindërit ai vjen në Tiranë. Arsyeja, sepse kura që mjeku Simoncini ndjek, është e ndaluar në Itali. Dhe duke qenë se ky mjek nuk has në vështirësi në Shqipëri, i sillte pacientët në Tiranë.

Sikurse bëhet e ditur dhe në denoncimin që është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, denoncim me të cilin po merret edhe Prokuroria e Romës, familjarëve u ishte thënë se nëpërmjet terapisë me bazë sodën e bukës, mundësitë e shpëtimit ishin 70 për qind, përballë një risku për trombozë dhe infeksion, prej rreth 2 për qind.

Pagesa për këtë kurë, ishte kërkuar me likuidim në dorë, shuma 20 mijë euro.

Pas shtatë injektimeve të para me sodë buke, thuhet në denoncimin e familjarëve të të ndjerit, Luca nisi të kishte dhimbje të tmerrshme koke që detyruan mjekun Simoncini që të pezullojë terapinë, e cila në fakt rifilloi dy ditë më pas.

Menjëherë pas infuzionit të terapisë së mbetur me bikarbonat (sodë buke), i riu u përfshi nga simptomat e njëjta të dy ditëve më parë, të cilat u rënduan duke u shoqëruar dhe me spazma muskulore.

Në atë pikë, një mjek shqiptar vendos në mënyrë autonome që t’i injektojë një valium. Kushtet shëndetësore të Luca precipituan dhe ai u transferua në spitalin “Nënë Tereza” (QSUT) ku dhe vdiq pas disa minutash.

Kjo çështje tashmë po hetohet në mënyrë të njëkohshme nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Romës. Bëhet e ditur se është hapur një dosje për vdekjen e Luca O., Prokuroria e Catania-s ka vendosur të delegojë tek ajo e Romës lejen për t’i bërë një autopsi trupit të 27-vjeçarit.

”Kjo është një histori tronditëse – thotë Francesco Lauri, avokati i familjes së Luca O.,- histori  ku një terapi pa asnjë validitet të njohur shkencërisht në nivel kombëtar, u aplikua tek djaloshi, kundrejt një pagese 20 mijë eurosh. Për më tepër, shton avokati, kjo u bë në një klinikë që nuk ishte në gjendje të përballonte emergjenca. Ne shpresojmë që hetimet e autoriteteve shqiptare të vazhdojnë në mënyrë paralele me Prokurorinë e Romës”, – citohet nga agjencia Ansa, Francesco Lauri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu