Veliu: Askush s’guxon t’i bashkëngjitet VMRO-së për “branitellat”

0
607

Shkup, 30 gusht- Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës (SHVL) Fazl Veliu ka “kërcënuar” për ligjin e “branitellave”, propozim tanimë i hedhur nga partneri maqedonas VMRO-DPMNE.

Veliu, njëherësh dajë i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, thotë se zgjidhja e njëanshme e kësaj çështje, duke anashkaluar UÇK-në, “do të shkaktojë ndasi etnike në vend”.

“Askush nga partitë opozitare nuk guxon t’i bashkëngjitet VMRO-DPMNE-së gjoja për forum plotësues apo kapërcim krize. Nëse ligji aprovohet njëanshëm do të shkaktojë ndasi, do të shpërbëhet qeveria dhe do të kërkojmë ringritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe kushtetutës së vitit 2001!”, thotë në një prononcim për “Zhurnal” i pari i SHVL-së Fazli Veliu.

Ai shton se si SHVL kanë mundësitë kombëtare të zgjidhjes së kësaj çështje të rëndësishme, por shton se në rast të anashkalimit të çështjes së UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, martirëve, veteranëve të luftës, përgjegjësinë do ta bartin institucionet e vendit.

Një ditë më parë edhe OVL-UÇK ka kërcënuar se do kërkohen rrugë alternative, nëse bashkë me ligjin e “branitellave” nuk gjendet edhe ligji për UÇK-në.

“Duhet ta kenë të qartë të gjitha subjektet politike shqiptare dhe veçanërisht BDI se prioritare për ish-ushtarët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës është zgjedhja e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, veçmas e UÇK-së, dhe ky është problemi numër një”, ka thënë përfaqësuesi i OVL-UÇK-së Besim Hoda.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu