Vendësit vendimtarë

0
812

Shteti duhet ta luftojë korrupsionin. Korrupsionin e madh mund ta luftojë vetëm shteti i fuqishëm. Sa më i madh korrupsioni, aq më i fuqishëm duhet të jetë shteti në mënyrë që ta mposhtë korrupsionin. Në anën tjetër, korrupsioni i madh tashmë është dëshmi që shteti është i dobët. Duke e pasur shtetin të dobët, lulëzon korrupsioni. Duke mbetur shteti i dobët, rritet korrupsioni dhe shteti dobësohet edhe më tej. Shteti i dobët është toka pjellore për korrupsionin që është plehu artificial për dobësinë e shtetit. Kësisoj, shteti i dobët dhe korrupsioni duket se janë të mbërthyer në një vorbull marramendëse, në një tango vdekjeprurëse, në të fund të së cilës vdes vetëm njëri partner – shteti, për shkak të dobësisë së vet që s’e mbijeton dot.

E, megjithatë, nuk është krejt kështu. Sepse ka këtu një faktor tjetër shtesë që, në fakt, është themelor. Një faktor që nuk duket sepse është (gjithmonë aty) dhe që befason sepse nënvlerësohet; një faktor që shfaqet si ngjarje për t’u bërë histori dhe gjurmë për t’u bërë ardhmëri. Është ky faktori popull, faktori vendës e vendimtar që ngrihet dhe largon gjithë ato hedhurina me të cilat ishte mbuluar, faktori që ndërhyn si e vërteta që vetëzbulohet dhe shpalos realitetin për ta ndryshuar atë edhe përgjithmonë edhe përherë. Ky faktor që ndërhyn në situatën e vetes e ndërpren tangon e vdekjes për t’i dhënë jetë shoqërisë dhe qytetarit, në shërbim të të cilëve vihet shteti i ripërtërirë.

Mirëpo, pse dhe qysh nisi kjo tango e vdekjes? Si u mashtruam dhe çfarë emri mban ky mashtrim? Cili është hapi i gabuar që bëri të mos kuptohet nëse po vallëzojmë me nxitim drejt rrëzimit apo kemi marrë në thua sërish drejt rrëzimit? Pa dyshim që bëhet fjalë për dy proceset themelore të pasluftës në Kosovë: decentralizimin dhe privatizimin. Këto dy procese e kanë copëtuar e rrudhur shtetin tonë. E kanë bërë atë të pafuqishëm para korrupsionit. Çdo vend kur çlirohet, çdo shtet kur pavarësohet, kalon nëpër një fazë etatiste, nëpër një fazë kur koncetrohet, konsolidohet, përmblidhet, përqendrohet dhe e merr veten. Nëpër një fazë të tubimit e të grumbullimit, të krijimit e të prodhimit. Është kjo faza e shtetndërtimit dhe zhvillimit. Mirëpo, në Kosovë ka ndodhur e kundërta: u çliruam dhe u shpallëm të pavarur ndërkohë që u instaluan decentralizimi dhe privatizimi. Këto e bënë saktësisht të kundërtën: na shpërqendruan e na shpërndanë, na shkapërdedhën e na atomizuan. U nda territori e u shkri pasuria. U zhbë uniteti i tokës dhe i institucioneve, u tretën ndërmarrjet dhe mirëqenia. Më parë se shtet, Kosova është shumësi komunash. Më parë se ekonomi, Kosova është shumësi tregtish.

Para se të mblidhen gjërat e sendet, mblidhen njerëzit. Ata bëhen ata që janë – popull. Gjithçka bëhet e mundshme për ta. Vullneti krijon mundësinë. Vullneti realizon mundësinë. Sepse vullneti është vullnet i popullit.

 

Shkruan: Albin Kurti


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu