Vendimi, Berisha i dhuron malin mikut të familjes

0
383

 

Kryeministri vendos rrafshimin e kurorës së Krastës nga firma “Gener 2”, duke prerë 312 ha pyje për fabrikë çimentoje

Kryeministri Berisha vetëm me një vendim të qeverisë që drejton, i ka dhuruar një mal mikut të familjes, për biznesin fitimprurës të çimentos.

Sikur të mos mjaftonin disa vendime të dhëna prej vitit 2006, për ndërtimin e disa fabrikave të çimentos në zonës ndërmjet Krujës dhe Lezhës, pra në zonën me përparësi turistike të vendit, një tjetër urdhër i kryeministrit ka vendosur që zona e njohur si kurora e pyjeve të Krujës të shndërrohet në kantier të shkatërrimit.

Bëhet fjalë për një investim të biznesmenit të familjes Berisha, Bashkim Ulaj, nëpërmjet një VKM-je të miratuar pak ditë më parë.

Sipas vendimit të qeverisë, mbi 300 ha sipërfaqe e pyllëzuar ka kaluar për llogari të shoqërisë “Gener 2”, për biznesin e një fabrike tjetër për prodhimin e çimentos në zonën e Krujës. Kështu pas miratimit në parlament të kësaj VKM-je pritet të nisë puna për shpyllëzimin e një sipërfaqeje prej rreth 312 ha pyjesh në malin e Krastës.

Kruja si ferr

Udhëtimi për në qytetin e krenarisë kombëtare, Krujë, përngjan me rrathët e ferrit të Dantes. Eskavatorë që i janë qepur malit a thua se rrafshimi i tij është beteja më e madhe e ekzistencës së tyre ndërsa guvat e gelqereve janë mbijetesa e vetme e vendasve. Vetëm me kaq sa sheh, situata është tejet e frikshme.

Dhe nëse vijohet me këto ritme mund të betohesh pa frikë se pak pak vitesh, Krasta nën thepat e së cilës gëlojnë legjendat e Skëndërbeut, nuk do të jetë veçse një zgavër e frikshme, barku i së cilës ka lulëzuar biznesin e ndërtimit.

Në krye të kësaj ushtrie eskavatorësh, makinash dhe guvash është kryeministri i vendit Sali Berisha. Brenda pak vitesh, marrëveshjet e nënshkruara prej tij kanë prishur paqen në malin e Krastës,
i cili në një të ardhme të afërt do të jetë një gojëdhënë.

VKM-ja e fundit e miratuar pak ditë më parë në Parlament për llogari të kompanisë “GENER 2” jo vetëm që rrafshon krejtësisht sipërfaqe të tëra pyjesh, por shkatërron një nga zonat arkeologjike më të vjetra në vend. Këto do të jenë pasojat e para që do të shkaktojë ndërtimi i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë me shesh ndërtimi 432 metër katrorë.

Por duket se asnjë nga specialistët e ministrive përkatëse, ajo e Mjedisit dhe e Bujqësisë nuk ka pasur asnjë kontestim për shpyllëzimet për llogari të kompanisë së mikut të familjes së kryeministrit.

Ministria e Mjedisit nuk ka bërë asnjë vërejtje për rrafshimin e një mali të tërë, ndërsa specialistët e Institutit të Monumenteve as që e kanë shkruar një rrjesht për shkatërrimin barbar të zonës arkeologjike, më e vjetra në vend, rrafshimin e Albanopolisit.

Kështu në bazë të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe shoqërisë “GENER 2” shumë shpejt pritet në nisë puna për ndërtimin e fabrikës që gjendet vetëm 1.5 km nga qendra arkeologjike e Albanopolisit (Zgërdhesh).

Ndërsa karriera e argjilës është parashikuar të ngrihet në një ndër vendet më piktoreske, pikërisht ndërmjet dhe në kontakt me dy rezervuarët: të Bajcungës dhe të Verjonit në Fushë-Krujë, duke shkaktuar një masakër mjedisore.

Ky është projekti i kompanisë ndërkohë që për t’i hapur udhë ndërtimit të fabrikës së çimentos, kryeministri urdhëron dhe shfarosjen e sipërfaqeve të tëra me pyje në zonën ndërmjet Fushë -Krujës dhe qytetit historik të Krujës.

Fushë-Kruja e kthyer në gropë çimentoje

Shndërrimin e qytezës së Fushë-Krujës në një gropë të frikshme çimentoje, kryeministri i vendit Sali Berisha e ka trumbetuar si një sukses të qeverisë së tij në thithjen e investitorëve të huaj dhe vendas. Të paktën këtë ka deklaruar gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me shoqerinë “Gener 2” për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Krastë-Krujë, investim me vlere 200 milionë euro.

Po kështu për këtë vit, qeveria ka miratuar edhe tre kontrata të tjera me vlerë mbi 200 milionë dollarë për ndërtimin e fabrikave të prodhimit të çimentos në zonën e Fushë-Krujës. “Shqipëria, do të shndërrohet në një prodhues të rëndësishëm të çimentos në Ballkan”- ka deklaruar kryeministri. Një tjetër investim në këtë fushë është edhe ndërtimi nga kompania italiane “Fassa” i një tjetër fabrike të madhe për prodhimin e çimentos në Lezhë, investim me vlere 250 milionë euro.

Duke konsideruar se varg-kodrat nga Fushë-Kruja tek Ura e Mesit përbëjnë lëndën e parë të cilësisë më të lartë për prodhimin e çimentos, Kryeministri ka deklaruar se një sërë kompanish të medha kanë vendosur projektet e tyre për ndërtimin e fabrikave të tilla në këtë zonë.

* * *

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9846, DATË 17.12.2007, “PËR HEQJEN NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR TË PARCELAVE NË EKONOMINË PYJORE KRASTË – KRUJË, QË DO TË PËRDOREN PËR NDËRTIMIN E FABRIKËS SË ÇIMENTOS E PËR KARIERA NGA SHOQËRIA “GENER 2″, SH.P.K.””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9846, datë 17.12.2007, “Për heqjen nga fondi pyjor kombëtar të parcelave në ekonominë pyjore Krastë – Krujë, që do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos e për kariera nga shoqëria “Gener 2″, sh.p.k.””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9846, DATË 17.12.2007,
“PËR HEQJEN NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR TË PARCELAVE NË EKONOMINË PYJORE KRASTË – KRUJË, QË DO TË PËRDOREN PËR NDËRTIMIN E FABRIKËS SË ÇIMENTOS E PËR KARIERA NGA SHOQËRIA “GENER 2″, SH.P.K.”

Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9846, datë 17.12.2007, “Për heqjen nga fondi pyjor kombëtar të parcelave në ekonominë pyjore Krastë – Krujë, që do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos e për kariera nga shoqëria “Gener 2, sh.p.k.”, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 1
Parcelat pyjore, që ndodhen në ekonominë pyjore Krastë – Krujë, gjithsej, 311.2 (treqind e njëmbëdhjetë pikë dy) ha e që do të përdoren nga “Gener 2″, sh.p.k.-ja, për:
1. ndërtimin e fabrikës së çimentos dhe tullave të lehtësuara, me sipërfaqe 11.85 (njëmbëdhjetë pikë tetëdhjetë e pesë) ha.
2. karierë guri gëlqeror, me sipërfaqe 251.23 (dyqind e pesëdhjetë e një pikë njëzet e tre) ha.
3. karierë argjile, me sipërfaqe 29.72 (njëzet e nëntë pikë shtatëdhjetë e dy) ha.
4. karierë ranore, me sipërfaqe 18.40 (tetëmbëdhjetë pikë dyzet) ha,
hiqen nga fondi pyjor kombëtar, çregjistrohen nga kadastra kombëtare e pyjeve dhe për to bëhet përditësimi i kadastrës kombëtare të pyjeve, sipas tabelave 1 dhe 2, si dhe hartës që i bashkëlidhen këtij ligji.”.
Neni 2
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Të përcaktohen në terren kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që përftohen nga heqja e këtyre ngastrave, sipas nenit 1, të këtij ligji. Procedura e pagesës për sipërfaqen e përgjithshme, 311.2 (treqind e njëmbëdhjetë pikë dy) ha, të bëhet në përputhje me vendimin nr.746, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve, që përdoren për ndërtimin e veprave industriale”.”.
Neni 3
Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 3
“Gener 2″, sh.p.k.-ja, brenda 5 (pesë) vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të pyllëzojë me shpenzimet e veta një sipërfaqe, të barabartë me sipërfaqet që hiqen nga fondi pyjor kombëtar sipas dispozitave të këtij ligji, në përputhje me përcaktimin e bërë nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.”.
Neni 4
Neni 4 shfuqizohet.
Neni 5
Tabelat 1 dhe 2, që i bashkëlidhen ligjit nr.9864, datë 17.12.2007, zëvendësohen me tabelat me të njëjtat numra që i bashkëlidhen këtij ligji.
Harta, që i bashkëlidhet ligjit nr.9864, datë 17.12.2007, zëvendësohet me hartën që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu