Vendimi i Gjykatës për Hoqën dhe Prizrenin, i gabuar dhe motivuar politikisht

0
814

Vlerësimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese, se Ligji për fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e quan vendim të gabuar dhe të motivuar politikisht.

Liburn Aliu, në një konferencë për media, pohoi të dielën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i gabuar dhe motivuar politikisht

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje konsiderojmë që ky është vendim i gabuar dhe është vendim i motivuar politikisht. Si vendim i gabuar dhe i motivuar politikisht, unë do të përpiqem t’iu argumentoj atë pse është kështu dhe do të përpiqem t’i hedh poshtë plotësisht argumentet, të cilat i ka dërguar Gjykata Kushtetuese. Janë dy çështje që lidhen me këto dy ligje dhe të cilat e shkelin Kushtetutën, në katër pika që folëm më parë. Është çështja e këshillave në të dyja ligjet, këshilla që do të kenë kompetenca në fushën e trashëgimisë kulturore dhe në fushën edhe të planifikimit rural, tek fshati Hoçë e Madhe dhe tek Qendra Historike e Prizrenit. Janë këta këshilla në këto zona, është mënyra se si përzgjidhen ato dhe kompetencat që do t’i kenë këta këshilla”, tha Aliu.

Aliu tha se është antikushtetuese që përzgjedhjen e një anëtari tek këshilli, ta bëjë Kisha Ortodokse serbe, pasi që anëtari i përzgjedhur nga kisha, sipas tij përfaqëson kishën, vendimet dhe qëndrimet e saj në kuadër të këtij këshilli.

Sipas tij në këto këshilla, të cilët do të ketë ndikime të drejtpërdrejta tek qytetarët e fshatit Hoçë, apo në këshillat, apo në anëtarët e këshillit, që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë mbi qendrën historike të Prizrenit, i përcaktojnë bashkësitë fetare, është drejtpërdrejtë ndërhyrje e kishës apo institucionit fetar në çështjet e shtetit. Megjithëse Gjykata Kushtetuese, përpiqet që kompetencën e këtij këshilli ta quajë kompetencë konsultative, Aliu pohon se kjo nuk mund të quhet kompetencë konsultative, kur dihet qartë se këshilli në raport me Komunën, mund të mos lejojë apo jap pëlqim, për një vendim të caktuar dhe se Komuna, nuk mund të merr vendim pa pëlqimin e këtij këshilli.

Sipas Aliut, nëse kisha ka të drejtë të ndikojë në vendimet, që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, atëherë kjo është plotësisht në kundërshtim me rregullat botërore të trashëgimisë. Aliu, më tej theksoi se rregullat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, janë shumë të qarta dhe se këto rregulla dhe këto vendime, nuk duhet të ndikohen nga institucionet fetare. Po ashtu ai tha se institucionet fetare dhe këshilli i fshatit, nuk mund dhe nuk duhet të kenë kompetencë në fushën e planifikimit hapësinor dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sepse këto janë kompetenca që i takojnë shtetit. Mirëpo ky vendim i Gjykatës, sipas tij ka ardhur si rezultat i presionit të bërë nga Hashim Thaçi dhe Piter Faith, mbi Gjykatën Kushtetuese.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, duke e pasur përvojën nga procedimi i ligjit, se si është proceduar deri në fund. Pra duke ditur se ligji është votuar me letrat, ku secili deputet i ka pas dhe i është përcaktuar për cilin amandament voton, dhe për cilin kundër, dhe duke e parë procesin e amandamentimit nën presionin e Piter Feith dhe Hashim Thaçit, unë kam shumë të drejtë të besoj, se edhe Gjykata Kushtetuese ka qenë nën këtë presion dhe ky vendim ka qenë, si rezultat i këtij presioni dhe respektivisht i ndikimit politik”, tha Aliu.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje pohon se do t’i përkrahë qytetarët e Prizrenit dhe OJQ-të, të cilat kanë deklaruar se nuk do t’i binden këtij ligji dhe pasi që ata sipas Vetëvendosjes kanë të drejtë për këtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu