Vendosmëri për shtetësi

0
672

Kosova nuk mund të bëhet shtet normal nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, dhe as nga negociatat me Serbinë. Misionet ndërkombëtare në vendin tonë betonojnë defektet në sovranitet, ndërsa negociatat me Serbinë veç sa i legalizojnë ato. Çdo veprim i Qeverisë se Kosovës që bazohet në këtë logjikë politike është hap i bërjes se Kosovës me sovranitet dhe integitet. Të tilla ishin dy vendimet e Qeverisë përkitazi me veriun e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë se Kosovës për masa reciprociteti me Serbinë dhe marrjen nën kontroll të dy pikave doganore 1 dhe 31 është i vonë, por shumë i drejtë dhe i domosdoshëm. Efekti i këtyre vendime qeveritare varet shumë nga hapat e mëtutjeshëm që i bën Qeveria. Nëse Qeveria e Kosovës lëshon pe nga vendimet e saj dhe i vazhdon negociatat me Serbinë, këto vendime do të tjetërsohen. Tani eshte momenti i favorshëm që të veprohet shpejt dhe fuqishëm për të shtrirë sovranitetin në veri. Çdo hezitim, zvarritje dhe mosveprim ndan përfundimisht veriun nga Kosova.
Status quo-ja në veri e ka dëmtuar shumë Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik. Cenimi i sovranitetit dhe krimi i organizuar në njërën anë, dhe kontrabanda e mallrave serbe në anën tjetër, ia kanë pamundësuar Kosovës shansin për shtetndertim dhe zhvillim ekonomik. Kjo ka bërë që Kosova të renditet në nivelet më të ulëta të organizatave ndërkombëtare e vendëse që monitorojnë sundimin e ligjit, krimin e organizuar dhe dukurit tjera negative. Katrahura në veri ka ndikuar në masë të madhe që Kosova të mos ketë asnjë marreveshje kontraktuale me BE-në.
Policia e Kosovës ka treguar trimëri dhe profesionalizëm për të zbatuar vendimet e Qeverisë. Policët e Kosovës janë të gatshëm dhe të vendosur që të kryejnë çdo detyrë që iu jepet, madje të japin edhe jetën e tyre, ashtu siç bëri heroi Enver Zymberi vetëm e vetëm që të kemi shtet të njëmendtë. Edhe qytetarët janë më të gatshëm se kurrë që t’i dalin në ndihmë Policisë se Kosovës. Është vërejtur që shtetet mike të Kosovës përkrahin çdo veprim konkret të autoriteteve tona për ligjshmëri në vendin tonë. Kjo gatishmëri e të gjithëve kërkon strategji shtetërore që deri më tani po i mungon Kosovës.
Qeveria e Kosovës vendimet e veta për ligjshmëri në veri po i negocion me ndërkombëtarët, dhe si pasojë patëm tërheqjen nga veriu të njësive speciale ROSU dhe FIT. Tërheqja e njësive speciale nga veriu, që në fakt ishte marrëveshje në mes të komandantit të KFOR-it, Erhard Byhler dhe kryenegociatorit serb Borislav Stefanoviq, ishte një hap i gabuar i Qeverisë. Si pasojë e këtij hapi të gabuar të Qeverisë strukturat kriminale serbe pak orë më vonë e sulmuan pikat kufitare 1 duke e shkatërruar dhe djegur në tërësi atë. Sigurisht që KFOR-i dhe EULEX-si nuk e mbrojtën fare këtë pikë doganore. KFOR-i dhe EULEX-si nuk përbëjnë garanci për zbatimin e plotë të vendimeve të Qeverisë dhe mbrojtjen e pikave doganore në veri.
Konferenca për media e Thaçit që u mbajt pas sulmit të pikës doganore 1 nga serbët, ishte qesharake dhe joserioze. Thaçi në këtë konferencë për media tha se grupet kriminale serbë fatkeqësisht e dogjën pikën doganore 1. Kjo i bie që siguria e pikave doganore dhe stafit të tyre pas tërheqjes se policisë speciale nga veriu kanë qenë në mëshirën e fatit. Pra, sipas Thaçit fati ishte i keq dhe ndodhi ajo që ndodhi. Thaçi nuk duhet që të bëjë kompromise me askënd, sepse atdheu është në rrezik. Çdo kompromis i bërë është heqje dorë nga sovraniteti.
Situata në veri të vendit nuk është aspak e zakonshme, prandaj krerët e shtetit duhet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme. Serbia është duke bërë agresion në vendin tonë nëpërmjet strukturave paralele në veri. Duke e pasë parasysh këtë fakt nevojitet unifikim i të gjitha forcave politike dhe mobilizim i qytetarëve dhe resurseve shtetërore që kemi për ta zmbrapsur Serbinë. Veriu i vendit tonë pas ngjarjeve të fundit përnjëmend kurrë më s’do të jetë siç ka qenë për më shumë se një dekadë. Tash e tutje ose do të jetë shumë më mirë ose shumë më keq. Dhe si do të jetë kjo varet shumë nga puna e institucioneve dhe qytetarëve në përgjithësi.
Nuk janë vetëm pikat doganore problem i veriut, por edhe srukturat të armatosura rëndë të Serbisë në thëllesi të kufirit tonë. Policët specialë të Kosovës duhet të qëndronjnë në veri për një kohë të gjatë. Policia speciale duhet të fillojë menjëherë aksionin për luftimin dhe ndjekjen e grupeve kriminale atje. Për t’i realizuar këto aksione Policia e Kosovës ka nevojë për më shumë automjete të blinduara, sepse vetëm me dy autoblinda nuk mund të bëhet asgjë. Mungesa e kapaciteteve teknike policore rrezikon në masë të madhe jetën e policëve në aksion.
Krejt në fund, këtë shkrim dua ta përfundoj me një citim të Albin Kurtit përkitazi me ngjarjet e fundit në vend. “ Ne, së bashku me gjithë aktivistët dhe përkrahësit tanë jemi në një gjendje gatishmërie për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”.

Sokol Bylykbashi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu