Verifikohen 99 për qind e aplikacioneve

0
750

veteranet-640x330

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, deri më tani ka verifikuar 98.5 për qind të aplikacioneve.

Udhëheqësi i sekretariatit të këtij komisioni, Faik Fazliu, ka treguar për “Epokën e re” se nga 66 mijë e 300 individë sa kanë aplikuar për njohje të statusit të këtyre kategorive, vetëm 5 mijë prej tyre ende nuk u janë verifikuar aplikacionet. “Mund t’ju konfirmoj se rreth 99 për qind të aplikacioneve janë trajtuar deri më tani, që do të thotë se kanë mbetur vetëm edhe 5 mijë aplikacione pa u verifikuar. Jemi duke punuar intensivisht për të përfunduar këtë proces. Deri më tani kemi papërfunduar një brigadë të Zonës Operative të Drenicës, një pjesë të vogël të Zonës së Pashtrikut, përkatësisht aplikacionet e Operacionit Shigjeta dhe aplikacionet nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, ka thënë Fazliu, i cili është edhe drejtor i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së në Kryeministri.

Ai ka treguar se ky proces do të përfundojë më se largu deri më 20 janar. “Pasi i kemi përfunduar listat e verifikimit, ne ua kemi dhënë edhe një herë listat zonave për të shikuar se mos është bërë ndonjë gabim eventual. Në bazë të dinamikes që është duke u punuar, duke i llogaritur edhe pushimet e festave të fundvitit, presim që të gjitha listat të jenë të përfunduara dhe të nënshkruar prej të gjitha zonave më së largu deri më 15 apo 20 janar”, është shprehur Fazliu, duke shtuar se shifrat e deritashme të këtij procesi do t`i publikojnë së shpejti.

Udhëzimi administrativ për pensione, në janar

Faik Fazliu ka paralajmëruar se Udhëzimi Administrativ, me të cilin do të rregullohet mënyra e aplikimit të veteranëve të papunë për pensione, do të nxirret në fillim të janarit. Sipas tij, edhe buxheti për këto pensione është i paraparë. “Në buxhetin për vitin 2015 janë paraparë pensionet për veteranët e luftës së UÇK-së. Kështu që, nuk ka nevojë për asnjë shqetësim për buxhet. Nga janari i vitit të ardhshëm planifikohet të zbatohet çdo gjë që është e paraparë me ligj. Po ashtu, në fillim të janarit Qeveria e Kosovës do ta nxjerrë udhëzimin administrativ, i cili parasheh mënyrën se si duhet të aplikojnë veteranët e UÇK-së që nuk janë të punësuar për pensione”, ka deklaruar ai.

Fazliu nuk ka dashur të flasë për numrin e veteranëve të UÇK-së, me arsyetimin se numri përfundimtar i kësaj kategori do të dihet kur të publikohen listat përfundimtare. Kohë më parë, kur ish-ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka prezantuar verifikimin e 61 për qind të aplikacioneve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, kishte thënë se nga ky proces nuk do të dalin më shumë se 24 500 veteranë të UÇK-së. “Në qoftë se ky trend vazhdon, presim që deri në fund të procesit t’i kemi 24 mijë e 500 veteranë. Për mendimin tim, është një numër që edhe pas luftës e kemi pasur të evidentuar si të tillë”, pati deklaruar Çeku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu