Veriu i Kosovës, plagosen 4 ushtarë të KFOR-it dhe 17 serbë

0
984

MITROVICE- Pas vendimit të forcave të KFOR-it për të larguar nga veriu të gjitha barrikadat e ngritura nga serbët, situata atje ështe tensionuar. Mesditën e sotme, grupe ekstremistësh serbë kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it me gurë, mjete të forta dhe armë. Si pasojë e këtyre të shtënave kanë mbetur të plagosur 4 ushtarë të KFOR-it. Në kundërpërgjigje, ushtarët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome, – raportojnë mediat kosovare. Në radhët e ekstremistëve serbë janë plagosur 17 persona.

DREJTUESIT E MITROVICES E POLICISE DISKUTOJNE PER MASAT E SIGURISE NE VERI
Ora 17:00-Drejtuesit e komunës së Mitrovicës dhe të Policisë së Kosovës në atë rajon diskutuan sot në një takim për bashkëpunimin dhe kërkesat e shqiptarëve në lagjet veriore të qytetit dhe të atyre nga fshatrat e komunave veriore, Zveçan dhe Leposaviç, për shtimin e masave të sigurisë me qëllim evitimin e incidenteve dhe krijimit të kushteve për lëvizje të lirë.

Sipas zyrës së shtypit të komunës, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, tha se prioritet është siguria e qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

Ai tha se Policia e ka vlerësuar gjendjen veç e veç për secilin mjedis e në veçanti për mjediset me popullatë të përzier, ku jetojnë edhe shqiptarët.
Sipas tij, është vlerësuar se mënyra e tashme e organizimit dhe angazhimit të Policisë në këto mjedise është më e mira dhe më efikase pasi njësitet për reagim janë në gjendje që të ndërhyjnë brenda një kohe shumë të shkurtër aty ku paraqitet nevoja.

PLAGOSEN 4 USHTARE TE KFOR
Ora 14:59 – Sërish të shtëna në veri të Kosovës. Sipas Radio Evropa e Lirë të shtënat janë regjistruar rreth orës 13:10 minuta në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës dhe kanë ardhur nga serbët e grumbulluar sërisht aty, ndërkohë që mediat kosovare raportojnë për disa të plagosur. Bëhet fjalë për 4 ushtarë të forcave paqeruajtëse, njëri prej të cilëve në gjendje më të rëndë.

Zëdhënësi i forcave paqeruajtëse Kai Gudenoge, ka sqaruar se forcat e KFOR janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës pë të shpërndarë tumat e serbëve, ndërsa kanë qëlluar edhe me plumba gome, për tu vetëmbrojtur. Në mesin e protestuesve ka pasur edhe një të plagosur.

Acarimi i situatës ka ardhur pas vendimit të KFOR-it për të larguar barrikadat e serbëve në veri. Po sot forcat e KFOR-it kanë arrestuar edhe 5 serbë të cilët i bënë rezistencë forcave të KFOR-it.

Zëdhënësi i forcave paqeruajtëse Kai Gudenoge ka deklaruar se “Ka pasur të shtëna nga armë të vogla zjarri, që kanë ardhur nga turma, nga serbët e mbledhur aty pranë tek porta 1”, ka thënë Gudenoge, duke shtuar se asnjë ushtar i KFOR-it nuk ka pësuar lëndime dhe sulmuesi ende nuk është identifikuar.

Pjesëtarët e kontigjentit amerikan të KFOR-it kanë thyer në mëngjes barrikadën në një rrugë alternative, e cila nga Jarinjë të çon në Serbinë qendrore.

SHKON NE 17 NUMRI I SERBEVE TE PLAGOSUR
Ora 16:02 – Sajti kosovar Kosovapress raporton se prej kundërpërgjigjes së forcave të KFOR-it ndaj ekstremistëve serbë, deri tani janë plagosur 17 serbë, ku 7 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Po sipas Kosovapress-it, grupet ekstremiste serbe kanë shkatërruar edhe dy makina të KFOR-it.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu