Veriu mes “luftës dhe paqes”

0
771

Nëse pala serbe refuzon që përfundimisht ta nënshkruajë marrëveshjen për komunat e veriut, atëherë qasja e Prishtinës në tri komunat e banuara me shumicë serbe, do të vështirësohet edhe më shumë, ndërsa i gjithë “mundi” i Qeverisë së Kosovës në dialog do të shkojë huq.

Në takimin e fundit në Bruksel, dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nuk arritën marrëveshje, ndërsa qëndrimet e tyre, sipas baroneshës Catherine Ashton, kanë qenë diametralisht të kundërta, veçanërisht për rolin që do të ketë Asociacioni i Komunave Serbe.

Analistët politikë parashikojnë “ditë të nxehta” nëse në takimin e ardhshëm Thaçi e Daçiq nuk do të arrijnë marrëveshje, e cila, pak a shumë cilësohet si fillim i ndryshimit të gjendjes në veri.

Analisti Nexhedin Spahiu thotë se nëse palët arrijnë marrëveshje, atëherë hapet një kapitull i ri, por nëse nuk bëhet kështu, atëherë Prishtina zyrtare duhet ta ushtrojë autoritetin në veri duke përdorur forcën, por, pa shkaktuar viktima.

“Nëse dështojnë negociatat, ajo që është e pritshme është që Policia e Kosovës, FSK-ja, në mbështetje edhe të fuqive aleate ta marrin kontrollin mbi rajonin e saj. Nëse Qeveria e Kosovës për këtë përgatitet mirë, kjo do të realizohet pa viktima, nëse përgatitet mesatarisht do të ketë bajagi viktima, dhe nëse nuk përgatit mirë do të ketë shumë viktima”, thotë ai.

Sipas tij, shtetet që e kanë përkrahur Kosovën do ta përkrahin edhe në hapin e saj për të vendosur rend dhe ligj në veri, duke e bërë këtë me forcë, në të kundërtën, siç thotë ai, Kosova duhet të heqë dorë nga veriu.

Veriu s’rregullohet me marrëveshje

Por, nga ana tjetër, Shpend Kursani nga Instituti KIPRED, thotë se nëse dështon marrëveshja e mundshme mes Prishtinës e Beogradit, gjendja në veri nuk do të bëhet më e rëndë se që është momentalisht.

“Nëse dështojnë negociatat, duhet të bindet Bashkimi Evropian që t’i bëjë presion Serbisë, t’i largojë strukturat e veta nga veriu, në mënyrë që të ruhet stabiliteti jo vetëm i Kosovës, por edhe ai rajonal, e që është në interesat e BE-së. Do të thotë kjo është mënyra që Kosova duhet ta përdorte”, thotë ai.

Sipas tij, pala kosovare duhet ta ketë të qatë konkretisht se si do ta integrojë veriun pa negociata me Serbinë, ndërsa thekson se veriu i vendit po vazhdon të “frymojë” si oazë e krimit të organizuar.

Pak a shumë kështu besojnë edhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët besojnë se çfarëdo që ndodh në Bruksel, situata në veri nuk do të përmirësohet.

“Ajo që po quhet normalizim, në fakt është normalizim ta themi mes politikanëve, elitave, por kurrsesi normalizim mes popullit shqiptar të Kosovës dhe kundrejt Serbisë, që do të duhej ndonjëherë të normalizoheshin por do të duheshin hapa të tjerë”, thotë deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Ai shprehet i bindur se veriu nuk mund të integrohet duke negociuar me Serbinë.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë në pika konkrete se si duhet të shtrohet sovraniteti në pjesën veriore të vendit. Para këtyre dy pikave, janë dy pika me rëndësi për shtetndërtimin e vendit, për forcimin e pozitave kundrejt Serbisë dhe për krijimin e kushteve për shtimin e sovranitetit. Këta janë dy hapa të rëndësishëm, e para është reciprociteti në fushën ekonomike me Serbinë dhe e dyta është ndalimi i negociatave me Serbinë”, thotë ai, duke shtuar se momentalisht Kosova e ka rastin historik që t’i vërë kushte Serbisë, mundësi të cilën, siç thotë ai, nuk do ta ketë më vonë.

Dështon marrëveshja, “topi” te KFOR-i

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, thotë se nëse dështon marrëveshja mes dy kryeministrave, atëherë vendosja e rendit dhe ligjit në veri duhet t’u lihet trupave të KFOR-it, të cilët, sipas tij, edhe janë përgjegjës për një gjë të tillë.

“Me marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës, është arritur marrëveshja që komplet aparati shtetëror, ai ushtarak dhe civil i Serbisë duhet të tërhiqet nga Kosova. Tani edhe zyrtarisht nga politikbërësit e Beogradit është pranuar që në veri ekzistojnë institucionet e sigurisë së Serbisë. Pra, në bazë të kësaj marrëveshjeje është konkludimi që KFOR-i duhet të merret me largimin e këtyre institucioneve, kurse institucionet e Kosovës duhet sa më shpejt te forcat ndërkombëtare, te KFOR-i dhe EULEX-i që ta menaxhojnë këtë situatë dhe ta zbatojnë marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës pa ndryshimin e asnjë pike dhe presje”, thotë ai.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri thekson se deri më tash nuk ka pasur vullnet nga KFOR-i për një gjë të tillë, prandaj, sipas tij, nëse pas një afati të caktuar KFOR-i nuk ndërmerr masa, atëherë këtë hap duhet ta ndërmarrin institucionet e vendit.

“Për momentin ne nuk e kemi atë fuqi të që intervenojmë, për këtë arsye po them që duhet një përgatitje e arsyeshme kohore. E nëse arrihet marrëveshje, strukturat duhet të tërhiqen me urdhër të regjimit të Beogradit, problemi do të jetë më i lehtë”, thekson Quni.

Për arritjen e marrëveshjes, dhe mundësinë e dështimit të saj, dy ditë më parë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë mbledhjes së rregullt të qeverisë ka thënë se ajo që nuk është arritur tash e pesëmbëdhjetë vjet, prej kur ka përfunduar lufta, duhet të arrihet tash, në mënyrë, që, siç ka thënë ai, të mos humbet mundësia që kanë të dy vendet.

“Kosova do ta ketë një sistem policor, një zinxhir komandues, policia do të funksionojë sipas ligjeve kosovare dhe një hierarkie nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, do të ndodhë shpërbërja e plotë e strukturave ilegale të sigurisë, ndërsa do të krijohen rrethana dhe kushte për lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave edhe në veri dhe, gradualisht do të shkohet drejt organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në veri”, ka thënë ai, duke pretenduar se kjo do të bëhet nëse arrihet marrëveshja me palën serbe.

Spahiu: Vetëvendosje mund ta marrë veriun!

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, beson se nëse dështojnë bisedimet, dhe Prishtina zyrtare nuk ka fuqi ta marrë veriun me forcë, atëherë bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje që të vijë në pushtet, dhe ajo më pas do ta ushtrojë sovranitetin, duke i dërguar atje forcat e rendit.

“Ma merr mendja që nëse nuk realizohet kjo marrëveshje, gjasat që fuqitë aleate ta ndihmojnë ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet do të jenë shumë të mëdha, në mënyrë që të realizohet kjo në mënyrën më radikale”, thotë ai.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu