Veseli e Limaj prej kohësh në “luftë”

0
818

“Lufta” në mes njeriut më të mistershëm, ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, tash njeriu i dytë në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, ka zanafillë të hershme. Përplasja e Veslit dhe Limajt shihet si konflikt për pozicione se kush është më “bosi” në parti. Madje, vlerësohet se “kreatori” që ka dizajnuar gjithë “kurthin” për largimin e Limajt nga partia është vetë Veseli.

Berat Buzhala, është i vetmi deputet nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi që ka folur hapur për situatën e fundit të krijuar brenda kësaj partie pas thirrjeve publike të Fatmir Limajt, që në zgjedhjet lokale të votohet kundër PDK-së. Ai ka “zbuluar” se brenda PDK-së ka qenë një luftë mes Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt për pozitën e dytë.

Sipas tij, pozicionimi i ish-shefit të SHIK-ut, si nënkryetar i parë në PDK në një formë nuk i ka lënë vend Limajt në parti. Ai gjithashtu ka sqaruar se edhe pse Limaj para zgjedhjeve të fundit ka qenë nënkryetar i parë në PDK, realisht këtë fuqi e ka gëzuar Kadri Veseli, i cili zyrtarisht nuk ka qenë pjesë e PDK-së. Në anën tjetër, personat më kyçë të SHIK-ut kanë mohuar të ketë pasur përplasje apo ndonjë “luftë” për pozicione në mes shefit të tyre, Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt.

Ish-drejtori i përgjithshëm i SHIK-ut, Latif Gashi, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, i ka hedhur poshtë deklarimet e bashkëpartiakut të tij, duke thënë se nuk janë interesante deklaratat e Buzhalës, të cilat, tha ai, as që i bëjnë ndonjë përshtypje.

“Buzhala nuk i di raportet në mes Veselit dhe Limajt, sepse është një djalë i ri, madje edhe në politikë dhe mund të spekulojë. Por, nuk qëndrojnë ato çka ka thënë ai, pasi që raportet e Veselit dhe Limajt dhe gjithë anëtarëve të SHIK-ut kanë qenë gjithmonë të mira”, ka thënë Gashi, sipas të cilit, kyçja e njerëzve të SHIK-ut në politikë vetëm sa e ka pasuruar skenën politike.

E në anën tjetër, njeri nga njerëzit e afërt të Limajt, Endrit Shala as që ka dashur t’i komentojë deklarimet e Buzhalës.

Megjithëkëtë, analistët politikë thonë se çarjet e fundit në PDK kanë të bëjnë me një lufte në mes Veselit e Limajt.

“Është luftë interesash dhe parimesh në mes grupeve dhe individëve, të cilët institucionet i kanë kuptuar në vazhdimësi si organizma publiko-privat.

Prej themelimit të PDK-së e deri më sot në këtë parti është zhvilluar një luftë pozicionale në mes të rrymave të ndryshme, “të dala” nga lufta dhe rezistenca antiserbe në përgjithësi, ku vija operative e SHIK-ut, e cila tërë kohën i është përgjigjur drejtpërdrejt kryetarit të partisë, përfundimisht i ka larguar nga vendimmarrja qoftë në parti, qeveri, ndërmarrje publike, të gjitha kategoritë e idealistëve, profesionistëve dhe personaliteteve me integritet, të cilat nuk pajtoheshin me konceptin e tyre për koorporatizimin e shtetit”, ka thënë analisti Fadil Lepaja.

Madje, sipas tij, bizneset, kryesisht të pasluftës, plus ish-struktura e shërbimit informativ, tash përbëjnë kurrizin e sistemit të centralizuar të vendimmarrjes në PDK, dhe në shtet, dhe ky është model i ngjashëm me vendet e tjera postsocialiste si Rusia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria etj.

“Prandaj, deklarata e Beratit nuk është larg të vërtetës. Por, nëse e pranojmë një deklarim të tillë si të qëndrueshme, atëherë kjo i bie se edhe burgosja e Limajt ka qenë në funksion të kësaj lufte, pra të largimit të tij nga pushteti në parti, në qeveri dhe në strukturën e tyre informale, e jo për arsyet e dyshuara nga gjyqësia”, është shprehur ai.

Ndërkaq, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Nexhmedin Spahiu, konsideron se përplasjet e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, dhe Fatmir Limajt zënë fill qysh moti, në kohën kur Limaj ka qenë nënkryetar i parë i partisë, ndërkaq Veseli defakto ka qenë njeriu i dytë i PDK-së.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu