Veseli zbulon organizimin e SHIK-ut

0
706

Për herë të parë, udhëheqësi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka zbuluar përbërjen organizative të këtij shërbimi, që, sipas tij, ka funksionuar që nga 1999-ta e deri në qershor të 2008-ës.

Në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor të njohur si “Bllaca 2”, Veseli ka thënë se vetë ka qenë në krye të këtij shërbimi derisa zëvendës ka thënë se ka pasur Ilmi Reqizën, e drejtor gjeneral ka thënë se ka qenë Latif Gashi.

Katër drejtoritë të cilat kanë qenë në kuadër të SHIK-ut, sipas tij, janë udhëhequr nga Ilmi Ramadani, Fatmir Xhelili, Fadil Demaku dhe Ferat Shala.

Tërë ky shërbim, sipas tij, ka vepruar sipas rregullores së brendshme. Veseli ka pohuar se SHIK-u asnjëherë nuk ka numëruar më shumë se 92 pjesëtarë përfshirë edhe stafin teknik që ka shërbyer.

Por ai ka vazhduar të mbajë sekret listën e personave që kanë shërbyer në SHIK me gjithë insistimin e prokurores së rastit, Emma Rizato, dhe kryetarit të kolegjit të gjyqtarëve, Toren Tomasen.

Por palët në gjykatë, Kadri Veseli është munduar t’i bindë se asnjëri nga të akuzuarit në procesin gjyqësor “Bllaca 2” nuk ka qenë pjesëtar i SHIK-ut.

Të akuzuarit për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen e Adem Salihajt e Ismet Arifit: Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka, sipas Kadri Veselit, nuk kanë qenë pjesë e këtij shërbimi, i cili ishte themeluar në kuadër të qeverisë së përkohshme.

SHIK-u, sipas tij, është formuar me nënshkrim të ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, ish-përfaqësuesit nga radhët e UÇK-së tash kryeministri Hashim Thaçi, me nënshkrimin e akademikut Rexhep Qosja dhe me nënshkrimet e Veton Surroit e Blerim Shalës. Ndonëse Qeveria e Përkohshme, SHIK-u, ndërkaq si organizatë ka vazhduar veprimtarinë deri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“SHIK ka qenë institucion informativo-gjurmues dhe ka pasur për detyrë të analizojë dhe të mbledhë informacione në interes të mbrojtjes së sigurisë nacionale të vendit.

SHIK-u nuk ka pasur forcë ekzekutive dhe ka funksionuar sipas një draft-ligji”, ka sqaruar Veseli, i cili gjatë të mërkurës ka qëndruar në këmbë për rreth gjashtë orë ku është marrë në pyetje nga prokurorja e rastit dhe mbrojtësit e të akuzuarve, të cilët akuzohen pas deklarimeve publike të Nazim Bllacës i vetëquajtur pjesëtar i SHIK-ut.

Nazim Bllaca në deklarimet e tij ka përmendur edhe tashmë deputetin e Kuvendit të Kosovës Azem Sylën, si pjesëtar me fuqi të madhe në SHIK, por shefi i këtij shërbimi ka mohuar se Syla ka qenë ndonjëherë pjesëtar i SHIK-ut.

“Azem Syla kurrë nuk ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe nuk ka pasur nevojë të jetë pjesë e këtij shërbimi, ai ka qenë më meritori për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Veseli.

As Nazim Bllaca, sipas tij, kurrë nuk ka qenë pjesëtar i SHIK-ut e madje nuk ka kryer asnjë detyrë të kërkuar nga ky shërbim.

Veselit i është kërkuar që në gjykatë të flasë me ton më të lartë për shkak të mungesës së zërimit, por ka thënë që një gjë të tillë nuk mund ta bëjë, ani pse i ka dalë zëri që është person i vështirë.

Ndonëse në cilësinë e palës së dëmtuar në këtë rast, ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Adem Salihaj, ka thënë se asnjëherë nuk është takuar me pjesëtarë të SHIK-ut, Veseli ka thënë se e ka njohur atë në cilësinë e politikanit dhe njëri nga agjentët e SHIK-ut, sipas tij, është takuar disa herë me Salihajn sikurse që është takuar edhe me përfaqësuesit politikë të qyteteve të tjera.

Por Salihaj, sipas tij, asnjëherë nuk ka qenë i kërcënuar nga SHIK-u.

Insistimi i prokurores ka bërë që Veselit të tregojë që ai agjent është inxhinier me profesion dhe është rreth moshës 40 vjeçare, por në mënyrë kategorike ka refuzuar të tregojë publikisht emrin e tij duke u thirrur në manipulimet e mundshme që mund të bëhen.

Pas disa pyetjeve për të marrë përgjigjen e njëjtë, Kadri Veseli është bindur që emrin e atij agjenti ta shkruajë në letër dhe si të tillë emrin t’ia tregojë prokurores së rastit, por jo edhe të bëjë publik emrin e agjentit.

Për hirë të mosmanipulimeve ai nuk ka ofruar edhe listën me emra të të gjithë pjesëtarëve por ka refuzuar në të njëjtën kohë të tregojë edhe nofkat e tyre eventuale.

Nëntëdhjetedy pjesëtarët e SHIK-ut, sipas Veselit, janë përzgjedhur pas rekomandimeve dhe jo me ndonjë konkurs. Secili para se të nisë punën, sipas tij, është marrë në pyetje nga vetë ai por asnjëri, sipas tij, zyrtarisht nuk ka pasur armë.

“Asnjë njeri nuk ka mundur të jetë pjesë e shërbimit pa miratimin tim. Asnjë njeri nuk është pranuar para se të takohet në zyrë me mua. Takimet kanë zgjatur nga 1 deri në dy orë”, ka thënë Veseli i cili ndryshe nga Bllaca që ka thënë se kurrë s’kanë mbajtur trajnime përgatitore, ai ka pohuar se secili pjesëtar i SHIK-ut ka qenë në trajnim tremujor në Kosovë e së paku në tri shtete jashtë vendit.

Kadri Veseli pas gjashtë orësh të marrjes në pyetje, ka pohuar se Kosovës në këtë kohë nuk i duhet asgjë më shumë përveç një shtet ligjor, derisa ka shfaqur gatishmërinë e tij për kontribut në këtë drejtim.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu