Veteranët bojkotojnë Presidentin

0
703

 

 

 

 

Shoqatat e dala nga lufta kanë vendosur që në shenjë revolte t’i bojkotojnë të gjitha manifestimet, në të cilat është prezent edhe Presidenti i Kosovës. Ata të shtunën nuk ishin prezent në manifestimin “Epopeja e UÇK’së”. Por bojkoti nuk e shqetësoi Presidentin. Behgjet Ai bëri parakalimin e tij para ushtrisë.

Paralajmërimin që e bënë një ditë përpara, e jetësua. Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së kanë bojkotuar manifestimin qendror “Epopesë së UÇK-së”. Arsyeja e vetme e këtij bojkoti në këtë manifestim, ishte prezenca e Presidentit të Kosovës aty.

Këtë veprim OVL-UÇK-ja e bëri në shenjë revolet për pranin e presidentit Behgjet Pacolli, për të cilin ata thonë se nuk e njohin si president, pasi sipas tyre, ai duhet të japë sqarime për deklaratat e tij dhënë medieve ndërkombëtare. Drejtues të këtyre shoqatave bojkotin e kishin paralajmëruar dje, ndërsa Pacolli ishte i vendosur dhe mori pjesë në këtë manifestim që nisi me parakalimin e tij para pjesëtarëve të FSK-së.

Por një paralajmërim dhe veprim i tillë i veteranëve të luftës nuk i ka bërë shumë përshtypje presidentit. Gjatë ditës së premte, menjëherë pas njoftimit të OVL- UÇK-së, Presidenca nëpërmjet një kumtese për media, ka njoftuar se pavarësisht këtij paralajmërimi, presidenti Pacolli do të vizitojë të shtunën Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku organizohet ceremonia e parakalimit para Gardës së FSK-së. Dhe një vizitë e tillë ndodhi, edhe pse veteranët e luftës munguan. Presidenti Behgjet Pacolli dhe komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi, parakaluan para trupave të FSK-së, me rastin e fillimit të manifestimit treditor “Epopeja e UÇK-së”.

Me këtë rast, presidenti Pacolli ka thënë se themelet e shtetit tonë janë të forta, falë gjakut të dëshmorëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ndërsa tash duhet të punojmë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. “Jeta e një shteti të ri ka nevojë për simbole të forta, rreth tyre forcohet ndërgjegjja kombëtare, inspirimet e gjeneratës së re, ato shërbejnë si pyka referimi për klasën politike. Simbolit të lirisë sonë, Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe heronjve të tjerë Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Fehmi dhe Xhevë Lladrofci, e gjithë dëshmorët e tjerë të kombit kanë vendosur themelet e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, thotë se duke i llogaritur të gjitha kërkesat e organizatave të dala nga Lufta drejtuar presidentit Pacolli, ai dhe të tjerët kanë vendosur që të mos marrin pjesë në manifestim. “Kjo për arsye se Pacolli përveçse nuk është përgjigjur në kërkesat tona që të gjithë tashmë i dinë, atij i është dhënë mundësia edhe të marrë fjalën e të flasë për Luftën e UÇK-së, për dëshmorët, pa dhënë asgjë dhe pa bërë asgjë për lirinë e vendit”, vlerëson Jashari për Express.

Sipas Jasharit, nuk është ky i vetmi bojkot që organizatat e dala nga lufta do të bëjnë. “Derisa Pacolli nuk e sqaron të kaluarën e tij dhe pa u përgjigjur në pyetjet dhe kërkesat tona, ne jo vetëm që nuk do të marrim pjesë në manifestime, por as që do ta njohim atë për president”, tha i bindur përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari.

Përveç kësaj, Jashari thotë se, nëse Pacolli vazhdon të injorojë dhe të mos u përgjigjet kërkesave të parashtruara nga veteranët e luftës, këta të fundit do të marrin edhe masa të tjera. “Do të takohemi me kryesitë e përbashkëta të shoqatave, me këshillin drejtues dhe do të marrim një vendim për të cilin sigurisht që mediet do të jenë të informuara”, sqaron ai.

Kohë më parë, shoqatat e dala nga Lufta, përmes një letre të hapur drejtuar kryetarit, Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kërkuan që Behgjet Pacolli të japë sqarime para Kuvendit të Kosovës në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë publikuar edhe në mediat vendore.
Shoqatat e Luftës kërkuan që Pacolli të japë shpjegime edhe në lidhje me atë se cili është qëndrimi i tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çfarë ishte roli i tij në takimet me Millosheviqin gjatë kohës së luftës, por edhe për atë se çfarë iu sugjeroi Pacolli politikanëve shqiptarë në shtëpinë e tij në Hajvali, gjatë kohës së luftës, si zgjidhje të çështjes së Kosovës. Por, Pacolli nuk ka ofruar sqarime para Kuvendit të Kosovës, duke shtyrë në këtë mënyrë organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, që të shprehen kundër pjesëmarrjes së presidentit të sapozgjedhur të Kosovës në manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu