Veteranët e duan ligjin deri më 10 mars

0
658
Kryetari i OVLUÇK-së, Muharrem Xhemajli, e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për procedimin e Projektligjit për veteranët e UÇK-së në Kuvendin e Kosovës. Ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit t’i lënë anash dallimet politike dhe ta miratojnë sa më shpejt këtë projektligj.

“U bëj thirrje të gjitha partive politike, konkretisht deputetëve, të jenë unikë rreth këtij Projektligji në mënyrë që ta miratojnë sa më shpejt, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të veteranëve të UÇK-së. Shpresoj se deputetët do të jenë të arsyeshëm sa i përket Projektligjit për veteranët e UÇK-së. Edhe më herët kemi kërkuar nga deputetët ta miratojnë një projektligj. Në këtë drejtim OVLUÇK-ja nuk do të ndalet derisa ky Projektligj të bëhet ligj”, ka thënë Xhemajli për “Epokën e re”.
Xhemajli ka paralajmëruar edhe protesta në rast se Projektligji për veteranët e UÇK-së nuk miratohet deri më 10 mars të këtij viti. “Procedurat të cilat i ka Kuvendi nuk besoj se janë të pakalueshme. Nuk ka asnjë arsye që miratimi i këtij projektligji të shtyhet. Mjafton që Kryesia e Kuvendit të marrë vendim që Projektligjin për veteranët ta procedojë në seancën e radhës. Në rast se nuk kalon deri më 10 mars, do të mobilizohemi dhe nuk e përjashtojmë asnjë mundësi të cilat na japin statuti dhe programi i organizatës. Nuk i përjashtojmë protestat dhe format e tjera të shprehjes së pakënaqësisë”, është shprehur ai.
Xhemajli nuk beson se do të ketë nevojë që OVULUÇK-ja të organizojë protesta. “Shpresojmë se nuk do të ketë nevojë që OVLUÇK-ja të organizojë protesta sepse është në duart e deputetëve fati i veteranëve të UÇK-së. Në të gjitha partitë parlamentare shqiptare ka deputetë të cilët kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së dhe numri i tyre është i mjaftueshëm që ta miratojnë këtë projektligj”, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se deri më 10 mars mund të përfundojë suksesshëm kjo çështje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu