Veteranët e UÇK-së në mjerim

0
557

rishtinë, 30 dhjetor – Veteranët e luftës së UÇK-së festojnë ditën e tyre pa trajtim institucional, ndërkohë që shumica prej tyre jetojnë në kushte të mjerueshme. Kështu ka thënë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, i cili ka treguar për gjendjen e veteranëve dhe familjeve të tyre, për të cilat ka thënë se jetojnë në një gjendje shumë të rëndë.

“Unë do të lidhesha fillimisht me gjendjen e varrezave të dëshmorëve në Polac, ku ishim tani në përvjetorin e 15 të 41 bashkëluftëtarëve të mi që kanë rënë ditën e plagosjes sime dhe fatkeqësisht po të shkoni dhe t’i shihni se në çfarë gjendje janë ato varreza, ku janë do të thotë ushtarët e celulave të para të UÇK-së dhe janë dëshmitarët aty, është një gjendje e mjerueshme janë ato varreza. Nëse flasim për veteranët e luftës, ku do që doni ju t’i vizitoni, unë personalisht do të iu dërgoj, veteranët e luftës janë në gjendje, një pjesë po e them shumë e madhe jetojnë pa punë, pa asistencë sociale, janë në gjendje shumë të rëndë ekonomike”, ka thënë Qeriqi, pwr Kosovapress.

Qeriqi ka shtuar se i ka vizituar shumë shpesh familjet e veteranëve dhe i viziton çdo ditë, derisa ka shtuar se janë të mllefosur për anashkalimin që po ua bën Qeveria e Kosovës. Ai ka paralajmëruar edhe protestë nëse nuk zgjidhen problemet e kësaj kategorie me ligj.

“Unë kam pas shumë takime me veteran dhe çdo ditë të paktën 5 deri në 6 i kam në zyrë që vinë për të diskutuar pikërisht për këtë problem. Edhe ata kanë kërkuar disa herë që ne të dalim në rrugë dhe të protestojmë, mirëpo gjithnjë unë kam tentuar që të presim… Unë thjesht po e them se e thash edhe më herët dhe prapë po më duhet ta përsëris, veteranët e luftës janë të traumatizuar, janë të dëshpëruar, janë të zhgënjyer me këto institucione dhe ata janë të gatshëm në çdo kohë që të dalin në rrugë, unë jam takuar në shumë vende me ta dhe janë në gjendje që çdo kohë të jenë pranë nesh dhe të protestojmë së bashku. Sa i përket protestave se si do të veprojmë, me siguri se edhe juve si mjete të informimit do të iu njoftojmë, mirëpo megjithatë protesta do të ketë, të paktën në vitin e ardhshëm, në janar të vitit të ardhshëm”, ka paralajmëruar Qeriqi.

Ai ka theksuar se kërkesa e veteranëve e vazhdueshme ka qenë miratimi i Ligjit për vlerat e luftës ku brenda atij ligji janë edhe beneficionet për veteranët. Sipas tij, po të miratohej ky ligj, veteranët do të përfitonin në bazë të kategorive që janë brenda atij ligji.

“Brenda ligjit janë beneficione do të thotë nëse veterani është i pa punë do të përfitoj 80 për qind të pagës minimale në Kosovë, nëse është i punësuar do të fitoj 40 për qind si veteran i luftës që do ta fitoj si veteran i luftës, 40 për qind të pagës minimale. Po ashtu, janë edhe disa beneficione tjera, janë do të thotë me kushte të barabarta përparësi punësimi, pastaj lirimet nga pagesat e shkollave për fëmijët e tyre, lirimi nga taksat komunale dhe taksat gjyqësore, kështu që janë disa lirime që bëhen brenda atij ligji, por fatkeqësisht 15 vjet, tash po hyjmë në vitin e 15 dhe në këtë drejtim për veteranët e luftës nuk ka asgjë”, ka deklaruar ai. Sipas Qeriqit, në vendin tonë janë rreth 15 mijë veteranë të cilët do të duhej të përfshiheshin me Ligjin për Vlerat e Luftës si dhe familjet e tyre. /KP/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu