Veteranët e UÇK-së: Pritjeve u ka ardhur fundi

0
630

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë kërcënuar se nëse deri me 10 mars nuk miratohet Ligji për këtë kategori, institucionet e Kosovës do të kenë telashe, pasi veteranët nuk do të zgjedhin metoda për ta arritur qëllimin e tyre.

Gjatë një takimi me strukturat lokale dhe anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjakovë, kryetari i OVL UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë se tashmë ka ardhur fundi i pritjeve disavjeçare të veteranëve.

“U bën 15 vjet që nga përfundimi i luftës dhe askush nuk po e qanë kokën për ne. Ne do të presim deri me 10 mars, dhe nëse deri atëherë nuk bëhet amendamentimi i Ligjit për kategoritë e dala nga lufta dhe nuk zgjidhjet përfundimisht problemi i veteranëve të UÇK-së, ne konform statutit tonë, do t’i përdorimi të gjitha mënyrat për ta arritur këtë qëllim, duke filluar nga protesta, demonstratat, pa dëgjueshmëria qytetare, bllokimi i rrugëve e deri tek bllokimi i Parlamentit dhe Qeverisë”, ka thënë Xhemajli, ndërsa nuk i ka kursyer nga kritikat edhe ish – bashkëluftëtarët e vet, tashmë në poste udhëheqëse në Republikën e Kosovës.

“Sot në kuvendin e Kosovës janë mbi 30 ish-pjesëtarë të UÇK-së, me të cilët të gjithë ne një ditë kemi qenë bashkëluftëtarë. Sot, ata janë rehatuar nëpër karrige të buta dhe asnjëri prej tyre nuk mendon për hallet e problemet tona. Kjo nuk është mirë dhe ata zotërinj duhet ta dinë se në ato karrige janë ulur falë nesh, falë kontributit dhe votës sonë. Prandaj, ne ua rikujtojmë se aktivizimi politik i yni është një opsion i afërt, dhe siç i kemi dërguar ata dje, nesër mund ta dërgojmë dikë tjetër, por që kësaj radhe do të dërgojmë njerëz që dalin nga strukturat tona”, ka vazhduar Xhemajli, teksa klasën politike e ka akuzuar për servilizëm të tepruar karshi bashkësisë ndërkombëtare.

Xhemajli, ka kërkuar përkrahje nga të gjithë veteranët e luftës, sepse, siç ka thënë ai, vetëm të bashkuar do të jenë më të fuqishëm në kërkimin e të drejtave të tyre.

Ndryshe, në këtë takim është folur edhe për problem tjera të veteranëve të luftës së UÇK-së, duke filluar nga procesi i verifikimit të veteranëve e deri tek gjendja e rëndë ekonomike e sociale e shumë prej tyre.

“Është folur për mbi 60 mijë aplikacione, por në realitet nuk ka asnjë mundësi që UÇK-ja të ketë pasur më shumë se 20 mijë ushtarë, prandaj presim që ky proces i nisur të përfundojë shpejtë dhe ajo që është me rëndësi të jetë objektiv dhe fer”, ka thënë Xhemajli.

Nga ana tjetër, ish-luftëtarë të UÇK-së kanë shprehur vërejtjet dhe pakënaqësitë e veta me gjendjen e tyre, ndërsa kanë kërkuar nga OVL-ja që të distancohet nga njerëz që me veprime jo të mira që nga përfundimi i luftës e tutje i kanë qitur hije të keqe të gjithë luftëtarëve dhe UÇK-së në tërësi.

 

Nga: Artan Z Haraqia

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu