Veteranët humbin durimin!

0
780

Në Projektbuxhetin e vitit 2014 Qeveria e Kosovës ka ndarë 292 milionë euro për kategoritë sociale, përshirë këtu edhe invalidët e luftës dhe ish- të burgosurit politikë, por nuk janë specifikuar veteranët e Luftës së UÇK-së.

Mospërfshirja e ish-guerilëve në buxhetin e vitit të ardhshëm ka revoltuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët kanë paralajmëruar revoltë kundër qeverisë.

Kreu i veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, për këtë anashkalim ka akuzuar ministrin e FSK-së, Agim Çekun, duke thënë se ky është i vetmi fajtor për mosverifikimin e veteranëve të luftës. Ai tha se qeveria mund të justifikohet se nuk ka ndarë mjete për veteranët, sepse nuk ka përfunduar procesi i verifikimit.“Prandaj kjo nuk ka justifikim. Mosverifikimi i veteranëve është papërgjegjësi totale e kreut të komisionit, Agim Çekut dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Xhemajli.

“Realisht Agim Çeku ka përgjegjësi morale, institucionale dhe ligjore që ta bëjë këtë verifikim, ndonëse ishte vetëm në fund të luftës i përfshirë në të, madje në strukturat udhëheqëse të UÇK-së ka pasur pozita të larta, prandaj obligimi i tij moral është i pashmangshëm për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Xhemajli.

Nga ana tjetër Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se janë në organizim e sipër që të kërkojnë nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa që t’i kërkojë Qeverisë ndryshimin e këtij projektbuxheti, me qëllim që të ndajë mjete për veteranët e luftës.

“Ne do të shikojmë a do të ndahet ky buxhet apo jo, në rast se nuk do të ndahen mjete për vitin 2014, atëherë nuk ka rrugë tjetër pos radikalizmit të veteranëve, sepse janë shtjerrë të gjitha rrugët tjera për t’i përmbushur kërkesat e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë Qeriqi.

Humbi durimi

Ai u ka bërë thirrje veteranëve të luftës që të rrinë gati dhe t’u bashkëngjitën në mënyrë masive në protestë.

“Ua kisha dhënë një mesazh veteranëve që ta duan vetveten edhe ta kërkojnë të drejtën e tyre, mos ta duan Xhevdetin e as dikë tjetër, por kur është puna për të dashur vetveten dhe të drejtat e tyre së bashku do t’i kërkojmë ato”, ka thënë Qeriqi.

Ndërkohë njëri nga pinjollët e parë të UÇK-së, Rexhep Selimi ka thënë se ka gabuar kush ka pritur që Qeveria e Kosovës në projektbuxhetin e vitit 2014 të fusë edhe benificionet për veteranët e luftës. Ai ka thënë se mospërfshirja e veteranëve në këtë buxhet nuk ka qenë e pritshme duke e ditur edhe vullnetin edhe qasjen e kësaj qeverie për këtë çështje. “Po e them se po të ishte në qeveri edhe vitin e ardhshëm kjo qeveri prapë nuk do t’i përfshinte veteranët në buxhet, madje deri në vitin 2017”, ka thënë Selimi. Sipas tij, qeveria ka për qëllim prolongimin e kësaj çështjeje e assesi ta zgjidhë atë.

“Deri në 2017 nuk pritet që të ketë verifikim, kjo për faktin se edhe komisioni i formuar për këtë çështje ka qenë i dedikuar që të prolongojë situata. Po ta bënin para zgjedhjeve këtë problem do të reflektohej në zgjedhje”, ka thënë Selimi. Ai u ka sugjeruar veteranëve të mos shpresojnë tek kjo qeveri sepse nuk ka ndërmend t’ua zgjidhë këtë çështje. Ndërkohë, kreu i veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemjali ka thënë se janë duke e shikuar mundësinë që të futen në një listë zgjedhore të kryesuar nga veteranët e UÇK-së.

“Përmes kësaj liste ne do të synojmë që të futemi në Kuvendin e Kosovës dhe përmes Kuvendit t’i zgjidhim problemet e veteranëve”, ka thënë Xhamajli. Mirëpo, një gjë të tillë nuk e mbështet Xhevdet Qeriqi. Ai konsideron se individualisht secili mund të futet në politikë, por se sipas tij, në rast se organizata e veteranëve pretendon me një listë zgjedhore do të ishte një gabim shumë i madh.

“Për mua është gabim i madh përbërja e një liste të tillë, kjo pasi që do të dëmtoheshin në masën më të madhe vlerat e luftës dhe veteranët e Çuftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne edhe ashtu kemi shumë veteranë edhe në Parlamentin e Kosovës dhe i kemi edhe dy parti politike që thirrën në vlerat e luftës edhe nuk kemi pasur diçka ndryshim. Unë këtë e shoh si një përfitim personal të atyre njerëzve, por nuk do të ketë ndryshim për veteranët”, ka thënë Qeriqi.

Verifikimi nuk u vonua për çështje politike

Kryetari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Çeku, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar Komisioni do të takohet të mërkurën më 11 dhjetor.

“Ka arsye se pse janë vonuar punët e Komisionit. Arsyet janë të natyrës praktike e jo të ndonjë natyre tjetër. Shtyrjet e deritanishme të punës nuk kanë fare të bëjnë me ndonjë agjendë nga politika”, ka thënë Çeku.

Komisioni për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë, ka më tepër se pesë muaj që nuk është mbledhur. Anëtarët e tjerë të Komisionit, në deklarimet e tyre në media, e kanë kritikuar kryetarin Agim Çeku, i cili, sipas tyre, po e ngadalëson procesin që do të nxirrte shifrën e saktë të pjesëmarrësve direkt në luftë.

Mbi 57 mijë persona kanë aplikuar për t’iu njohur statusi i veteranit të UÇK-së. Shumica e figurave të rëndësishme të UÇK-së, në prononcimet e tyre në media kanë theksuar se ky numër nuk është real, sepse në fund të luftës në Kosovë është raportuar se UÇK-ja i ka pasur 20 mijë pjesëtarë, e që është trefishi i numrit të atyre që pretendojnë njohjen e statusit të veteranit

 

Nga: Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu