Veteranët “në duar” të politikës

0
454

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot (e hënë) do të vendosë nëse do ta procedojë për në parlament Projektligjin për Veteranët e UÇK-së, të aprovuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Megjithatë, procedimi i këtij projektligji ka ngjallur dyshimet se kryeministri Hashim Thaçi e ka përshpejtuar miratimin e tij nga ana e qeverisë nga frika se meritat për këtë do t’i shkojnë kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Kjo, pasi ditë më parë përfaqësues të organizatave të veteranëve u takuan me Krasniqin dhe i kërkuan përshpejtim të këtij projektligji. Por kreu i veteranëve të UÇK-së, Muharem Xhemajli, thotë se përshpejtimi i projektligjit për veteranët është bërë për shkak të presioneve të tyre por jo edhe për të marrë meritat nga dikush.

“S’ka të bëjë asgjë me atë se kush duhet t’i marri meritat Krasniqi apo Thaçi. Është proces që është zhvilluar nga dhjetori i vitit që shkoi, ku ne i kemi dhënë afat qeverisë që deri më 10 mars ligji për veteranët duhet të jetë gati”, ka thënë Xhemajli. Ai ka thënë se pas takimit që e kanë pasur me kryeparlamentarin Krasniqi, Qeveria e ka proceduar projektligjin në kuvend, procedurë kjo e rregullt që duhet ndjekur.

“Këtu nuk ma merr mendja që ka ndonjë garë mes vete sepse kjo është procedurë. Po ashtu edhe ne jemi takuar me Krasniqin ku i kemi kërkuar përshpejtim të projektligjit pas procedimit të tij nga qeveria për në kuvend”, ka thënë Xhemajli.

Ai ka thënë se edhe nëse miratohet ky projektligj veteranët nuk do të kenë mundësi deri me 2015 t’i marrin beneficionet që u takojnë.

“Ky ligj është dashur të  kryhet shumë më herët, sepse është në interes të veteranëve. Ka mundur të miratohet edhe më shpejt, neve na intereson miratimi i ligjit por jo edhe dyshimet për kush do t’i marrë meritat. Interesi i veteranëve është të kryet sa më parë dhe ata t’i gëzojnë benefitet që u takojnë, sepse tashmë ata janë lodhur duke pritur”, ka thënë Xhemajli.

Edhe, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, pranon se pas takimit me Krasniqin dhe dakordimit që të mbahet një seancë e veçantë për veteranët, menjëherë Qeveria e Kosovës në një mbledhje të saj ka miratuar këtë projektligj dhe ka proceduar për në kuvend.

“Duke e parë qeveria që në peticionin dërguar kryeparlamentarit Jakup Krasniqi janë mbi njëmijë nënshkrime të veteranëve me gjendje të rëndë sociale dhe paralajmërimit të tyre për protesta, atëherë ajo ka lëvizur nga vendi”, ka thënë Qeriqi, duke shtuar se nuk është çudi që procedimin qeveria e ka bërë pasi që është vit zgjedhje dhe ta përdorë për fushatë elektorale ashtu si di dhe e ka zakon.

“Unë besoj që gjithherë Krasniqi, ka qenë politikani më i përgjegjshëm, por edhe kësaj radhe ai do ta realizojë kërkesën tonë sepse gjithherë i ka mbajtur premtimet brenda mundësive që i ka si kryeparlamentar”, shprehet Qeriqi, duke thënë se edhe kryesia e kuvendit do ta kuptojë rëndësinë e këtij projektligji dhe ta procedojë për në kuvend.

Citat: “Të bëhet një ligj meritor për veteranët, sepse janë ata më meritorët për lirinë e këtij vendi dhe deputetët besoj që do ta kenë parasysh këtë fakt”, ka thënë Qeriqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu