Veteranët paralajmërojnë “vjeshtë të nxehtë”

0
588

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës do të duhej të bëjë matematikën mirë karshi kërkesave të veteranëve të luftës, në të kundërtën oborri i saj gjatë muajit tetor mund të jetë i mbushur me veteranë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu deklarojnë ish-guerilët e “pensionuar” të UÇK-së, të cilët kërkojnë që të ndryshohet Ligji për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së i miratuar në fund të vitit të kaluar.

Madje, kësaj radhe për dallim nga e kaluara, veteranët e UÇK-së do të protestojnë brenda oborrit të Qeverisë dhe paralajmërojnë atë se në rast sulmi ata do të kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë.

Mirëpo, udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Kryeministri, Faik Fazliu thotë se përfaqësuesit e veteranëve të luftës nuk do ta kenë mundësinë të protestojnë për faktin që brenda këtij viti qeveria do t’i ketë të gatshme dy ligjet që kanë të bëjnë më këtë kategori.

“Këtë vit pritet që Komisioni për verifikimin e luftëtarëve ta kryejë punën e vet, po ashtu edhe Komisioni tjetër i formuar nga qeveria për amendamentimin e ligjit. Nuk do të ketë ligj tjetër të veçantë por ligji ekzistues do të amendamentohet dhe të dyja komisionet brenda këtij viti do ta përfundojnë punën e tyre”, ka thënë Fazliu.

Ai nuk beson që do t’u lihet hapësirë shoqatave të dala nga lufta që të protestojnë, për faktin se kërkesat e tyre do të realizohen.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se pas paralajmërimit të tyre se do të protestojnë kanë marrë kërcënime të rënda që mos të dilet në protestë.

“Edhe përkundër kërcënimeve e shantazheve që po na bëhen, ne nuk do të heqim dorë deri në realizimin e kërkesave tona. Kemi kërcënime nga instanca të larta qeveritare nëpërmjet bashkëluftëtarëve tanë jashtë institucioneve, madje me kërcënime mjaftë të rënda, mirëpo ne jemi kërcënuar edhe nga Serbia, para lufte edhe gjatë lufte, por nuk jemi zmbrapsur aspak. Prandaj as këto kërcënime nuk do të na frikësojnë”, ka thënë Qeriqi.

Kësaj radhe sipas tij, ata janë të vendosur që të protestojnë brenda oborrit të qeverisë.

“Ne ende nuk kemi vendosur për datën, mirëpo në rast se na sulmojnë në do t’u kundërpërgjigjemi me të njëjtën mënyrë, nuk do të mund të na arrestojnë aq lehtë sepse ne do të vetëmbrohemi”, ka thënë Qeriqi, duke shtuar se kësaj radhe do të jenë më radikalë.

Ai ka thënë se nuk kanë dashur që asnjëherë të vijë një situatë e tillë, mirëpo siç është shprehur ai, ata (Qeveria) vetë e kanë sjellë një situatë të tillë dhe se nuk do të dorëzohen para akteve të tilla. Qeriqi ka thënë se gjendja e veteranëve të UÇK-së në vend vazhdon të mbetet e rëndë. Protestë në rast të mosndryshimit të ligjit nuk ka paralajmëruar vetëm Këshilli që drejtohet nga Qeriqi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli ka thënë se në rast se nuk përmbushen kërkesat e organizmit që ai përfaqëson, atëherë nuk mund të përjashtohen protestat.

“Ne jemi duke pritur në muajin shtator, siç jemi marrë vesh edhe me kryeministrin,edhe me deputetët dhe disa prej ministrave, që ligji të kthehet në Kuvend për ndryshim në bazë të kërkesave që ne i kemi bërë: përfshirja e beneficioneve për veteranët dhe përmirësimi i periudhës kohore për dëshmorët e kombit. Ne kemi marrë premtimet që do të bëhet amendamentimi i ligjit aktual që është në fuqi dhe jemi duke e pritur këtë gjë”, ka thënë Xhemajli.

Ai ka thënë se do të presin deri në muajin shtator dhe nëse diçka nuk fillohet të bëhet me kërkesat tyre, atëherë në muajin shtator do të marrin masa të cilat i kemi në kuadër të programit dhe statusit të organizatës, duke mos përjashtuar edhe protestat, demonstratat e format e tjera.

Ndryshe, veteranët e UÇK-së konsiderojnë se Projektligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre i miratuar në lexim të dytë vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës duhet të pësojë ndryshime.

Ata kërkojnë përfshirjen e beneficioneve për veteranët e UÇK-së në kuadër të ligjit të miratuar. Ky projektligj është miratuar më 8 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi prej 1 janari të këtij viti.

 

Nga, Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu