Veterani britanik tejkalon traumat e shkaktuara nga masakrat e Kosovës

0
846

Londër, 26 mars   – Pamja e një varreze masive të mbushur me qindra trupa të familjeve të masakruara në luftën e Kosovës është vetëm njëri prej imazheve që nuk i shlyhen nga mendja Petar Doolanit, një 30-vjeçar veteran lufte nga Norfolku.

Ka parë me sytë e vet shokët duke vdekur në luftë, fëmijë të vegjël të vrarë dhe gra të shkatërruara nga dhunimi, transmeton “Koha Ditore” një shkrim të BBC-së. Gjithë këto krime gjenocidale i kanë shkaktuar atij zhvillimin e çrregullimit të stresit posttraumatik (PTSD). Kjo gjendje ia kishte vështirësuar  mundësinë të gjente një vend pune pas kthimit në vendlindjen e tij në Dereham, por veterani tani ka nisur ta marrë veten dhe po e rindërton jetën me ndihmën e “Combat Stress”, një organizatë humanitare që synon integrimin e ushtarëve të traumatizuar në shoqëri.

Doolan ka shërbyer në Regjimentin ushtarak irlandez nga viti 1999 deri më 2005. Ai kishte qëndruar në misione ushtarake në Kosovë, Sierra Leone, Irlandë Veriore dhe dy herë në Irak. Por në mënyrë të veçantë kujton një rast nga misioni i tij në Kosovë, kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Ishte ai incidenti që i solli trauma.

“Gjetëm një grua të moshuar duke qarë pranë trupit të pajetë të bijës së saj. E bija sapo kishte qëlluar veten në kokë. Ajo skenë më ka shkatërruar”, rrëfen Doolan.

Net të ankthshme

“Njëherë tjetër kemi gjetur një plakë që ishte dhunuar dhe vrarë dhe trupi i saj ishte gjuajtur në një humnerë”.

Doolani kishte zhveshur uniformën ushtarake në vitin 2005. Por, brenda shpirtit të tij po mishërohej një stres i madh. Ishte munduar ta fshihte prej miqve dhe familjes, me shpresë se do ta mposhtte të keqen përbrenda.

“Kur u ktheva nuk munda t’i tregoja gruas sime, Rachel. Kam fjetur për dy vjet me radhë në kanape. Zgjohesha natën duke bërtitur”, shpalos ai ankthet e netëve. “U mundova ta fshihja, sepse mendoja se njerëzit do të thoshin se je i dobët. Por në fund u dorëzova kur gjithçka nisi të shfaqej hapur”.

Shumë veteranë kanë telashe mendore kur kthehen nga vatrat e luftës, por mundohen të fshehin gjendjen e tyre, për shkak se kurimi i stresit pastraumatik do t’i stigamizonte ata para shoqërisë.

Një anketim i kryer nga “Combat Strees” ka treguar se mbi tetëdhjetë për qind e veteranëve dhe e ushtarëve që kanë probleme mendore hezitojnë t’i shprehin ato nga frika se nuk do të pranohen mirë në shoqëri. Madje ka shumë prej tyre që thonë se turpërohen t’u dëshmojnë familjeve të tyre për problemet që kanë.

Në vitin 2006, arriti në fazën kur më nuk mund të fshihej dhe i kaloi dhjetë muaj duke fjetur nën tavolinën e bukës në kuzhinë. Ai i ka gjuajtur të gjitha medaljet, edhe një të dalluar që iu dha për shpëtimin e një ushtari të plagosur në një sulm në Irak. Vetëm pasi u tregoi familjes dhe miqve të ngushtë nisi ta kuronte stresin.

Rilindje

Duke qenë se mjeku i tij i kishte rekomanduar të bashkëpunonte me “Combat Stress”, ai shpresonte se jeta e tij do ta rimerrte të mbarën. Dhe kështu doli. Ai tani është kthyer në Doolanin e mëhershëm. Ndihet se ka rilindur.

“’Combat Stress’ realisht na ka shpëtuar jetën. Trajtimi dhe seancat e tyre më kanë ndihmuar ta nxjerr jashtë stresin dhe të bashkohem me njerëzit e mi. Kurrë nuk do t’iu dalë atyre hakut”.

Në muajin maj Doolan do të diplomojë në menaxhim biznesi në Universitetin e East Anglia. Megjithatë, e pranon se ende po e ndjek stigma e PTSD-së.

Ka aplikuar në tetëmbëdhjetë vende për punësim dhe ka bërë pesë intervista. I ka kryer me sukses edhe testet psikologjike. Ai në shumë provime ka marrë nota më të larta se kolegët e tij, por kur vjen puna te punësimi, punëdhënësit druajnë në momentin kur e kuptojnë se ai vuan nga çrregullimi i stresit pastraumatik.

“Kjo ta këput shpirtin. Tash jam i gatshëm të punoj diku edhe pa pagë. Jam shumë i motivuar. Jam goxha i aftë të punoj. Kam ndjekur 98 për qind të ligjëratave, por prapë kjo dreq stigme”.

“Combat Stress” ka nisur një projekt për heqjen e stigmës shoqërore ndaj atyre që vuajnë për shkak të tmerreve të përjetuara gjatë luftërave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu