Vetëvendosja, ezultati kryesor është lejimi i hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë

0
618

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm opozitar në vend që aksionin e sotshëm për dërgimin e doganierëve dhe policëve në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë e shef me mangesi dhe i duket shume i bute ndaj Bandave Serbe në veri të Kosovës.

Këtë, ata e arsyetojnë për faktin se u hoq reciprociteti, derisa ironizojnë me faktin që doganierët dhe policët u dërguan me helikopterë.

“Moslejimi i mallrave të Serbisë ka mundur të shërbente si armë e fortë e Kosovës për të ushtruar trysni mbi Serbinë për njohjen e Kosovës. Por Thaçi është ndikuar më shumë nga interesi ekonomik i Serbisë sesa nga interesi politik i Kosovës”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

“Pasoja vendimtare e ndërhyrjes së sotme nuk është shpërbërja e strukturave ilegale, armiqësore e kriminale të Beogradit dhe as sundimi i rendit dhe ligjit; rezultati kryesor është lejimi i hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë. Sapo filluan ta marrin veten prodhuesit vendës të cilët zunë hapësirat e plasimit të lëna pas tërheqjes së mallrave serbe, tash po ndodh e kundërta: vërshimi i mallrave të Serbisë në Kosovë”.

Këtë vendim Qeveria, sipas Vetëvendosjes, po mundohet ta shesë me vula doganore.

“Serbia kurrë nuk e ka pasë problem vulën doganore të Kosovës. Ajo është vula e dhjetorit të vitit 2008, ku nuk figuron shprehja “Republika e Kosovës”, por vetëm “Doganat e Kosovës”. Qëllimisht nëpër vula nuk e patën përmendur republikën për t’u dukur përshtatshëm para Serbisë”, thuhet në komunikatë.

“Kjo që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë nuk është reciprocitet. Përderisa mallrat serbe filluan të hyjnë sot, ato pak mallra të Kosovës do të pengohen të hyjnë, meqë nuk po pranohen targat e automjeteve si dhe dokumentet përcjellëse të mallrave me mbishkrime “Republika e Kosovës”. Serbia njohu vetëm vulat doganore pa republikë, por nuk njohu një sërë kushtesh tjera, pa të cilat qarkullimi i mallrave nga Kosova për në Serbi bëhet objektivisht i pamundur”, vazhdon komunikata.

Sipas kësaj lëvizje, pikërisht për këtë arsye, bllokimi i mallrave të Serbisë duhet të ketë arsye politike.

“Thaçi ndërhyrjen e tij po e quan sovranitet. Ai po e quan sovranitet vendosjen e disa doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31. Por këta doganierë po barten nëpër qiell me helikopterë të KFOR’it. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar se Qeveria nuk po e kontrollon tokën e Kosovës në veri, 40 km tokë prej urës së Ibrit e deri në Leposaviq”, thuhet në komunikatë.

Sipas Vetëvendosjes, ndonëse prania e një grupi doganierësh në pikat kufitare 1 dhe 31 është një hap i vogël në drejtimin e duhur, argument kryesor i sovranitetit është kontrolli i territorit në veri.

“Të gjitha udhët kryesore të veriut janë bllokuar dhe mbahen nën kontroll të strukturave të paligjshme dhe të armatosura të Serbisë. Aq shumë e kontrollon Serbia veriun saqë Qeveria nuk po mund t’i dërgojë disa doganierë atje nëpërmjet rrugëve. Vetë fakti që në agjendën politike të Thaçit nuk është zhbërja e strukturave të paligjshme të Beogradit, tregon se krejt çështja reduktohet në një qëllim: legalizimi i mallrave të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

“Moslejimi i mallrave të Serbisë ka mundur të shërbente si armë e fortë e Kosovës për të ushtruar trysni mbi Serbinë për njohjen e Kosovës. Por Thaçi është ndikuar më shumë nga interesi ekonomik i Serbisë sesa nga interesi politik i Kosovës. Ky është një shërbim i madh për Serbinë dhe i cili ia mundëson Beogradit që ta vazhdojë pa kurrfarë trysnie luftën kundër Kosovës”, përfundon komunikata.

Hiqet reciprociteti, hyjnë kamioni i parë nga Serbia në Kosovë

Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, nga sot lejohet importi i mallrave nga Serbia, çfarë shënon fundin e masave reciproke ndaj këtyre produkteve.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.

Ajo bëri të ditur se tashmë ka hyrë një kamion nga Serbia në Kosovë, ndërsa ende nuk ka pasur qarkullim nga Kosova në Serbi.

“Ne jemi në kontakt me bizneset vendore dhe pritet që sot apo nesër të kalojë kamioni i parë nga Kosova në Serbi, me ç’ rast do të shikohet funksionalizimi i marrëveshjes së arritur më 2 shtator në Bruksel”, tha Kusari Lila.

Mallrat serbe lejohen të hyjnë në Merdare

Autoritetet doganore në pikën kufitare në Merdarë kanë marrë urdhrin për lejimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar shefi i doganierëve në këtë pikë, Shkëlzen Osmanaj.

Gazetarët në terren njoftojnë se pavarësisht kësaj nuk ka ndonjë numër të madh të automjeteve që presin në këtë pikë kufitare, ndërsa deri tash është raportuar për hyrjen e vetëm një kamioni, ndërsa nuk është parë të shkojë në drejtim të Serbisë ndonjë kamion me prodhime kosovare.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, kishte thënë se nuk do të lejohet importi pa u lejuar edhe eksporti nga Serbia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu