Vetëvendosja, “viktimë” e teneqeve të Krasniqit

0
957

Aksioni i së premtes i Komunës së Prishtinës për rrënimin e një pjese të objektit të ndërtuar së fundi nga kompania “Elkos”, pronë e deputeti nga radhët e AAK-së, Ramiz Kelmendi, ka bërë që ky i fundit “të marr zemër” dhe për problemin disavjeçar që e ka me Avni Krasniqin, të fajësojë “Vetëvendosjen”, pasi gjoja një anëtar i saj i paska kërkuar reket 250 mijë euro për këtë objekt. 

Ky i fundit, ish-pronar i tokës tani në pronësi të “Elkos”, mohon çdo lidhje të tij me “Vetëvendosjen”, por është i bindur se Ramiz Kelmendi i ka borxh dhe nuk ia ka paguar shumën e të hollave në tërësi, siç ka qenë kontrata, për çka edhe po i kërkon të holla. Kështu 250 mijë euro që po ia kërkon Avni Krasniqi, Kelmendi i quan “haraç” që po i vjen nga “Vetëvendosje”., Ramiz Kelmendit siq duket i pelqen që ketij problemi ti jap kahje poltike dhe te futet nen sqetullen e Ramush Haradinaj dhe AAK-së.
“Vetëvendosja”, por edhe vetë Avni Krasniqi, thonë se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e kësaj lëvizjeje dhe nuk ka të bëjë fare me të.

Problemi në mes të pronarit të “Elkos Grup” dhe pronarit të kompanisë “Shpeta Commerce” ka lindur më 2009. Në dhjetor të këtij viti Kelmendi e Krasniqi kishin bërë marrëveshje për shitblerjen e pronës, e cila ishte në emër të Avni Krasniqit, që e kishte hipotekuar gjatë një kredie të marrë në “Raifffeisen Bank”.

Pavarësisht që ishte e hipotekuar, Ramiz Kelmendi kishte vendosur ta blinte me çmim 17 mijë euro për një ari e që në total ishte 110 deri në 130 ari. Ata kishin bërë marrëveshjen, por Kelmendi nuk i kishte paguar të hollat përveç shumës fillestare prej 230 mijë euro, për një pjesë të tokës, mbi dhjetë ari që nuk kishte qenë pjesë e hipotekës.

Si rezultat i moskthimit të kredisë nga Krasniqi, banka ia kishte marrë tokën. Kështu, Kelmendi më nuk kishte punë me Krasniqin, por, siç thotë, paratë ia ka paguar bankës e cila tashmë u bë pronare e tokës. Megjithatë, Krasniqi thotë se paratë është dashur t’ia paguajë tij, ashtu siç ishin marrë vesh me kontratë.

“Ai paratë është dashur të m’i paguajë mua e jo të presë derisa banka të ma marrë atë tokë, ngase nuk kam arritur t’i kryej obligimet që kisha. Banka e ka marrë atë tokë dhe menjëherë si e ka marr banka ata e kanë marrë lejen e ndërtimit, e unë për këtë leje pata pritur dy vjet”, thotë Krasniqi, i cili pretendon se Ramiz Kelmendi jo vetëm 250 mijë, gjithsej i ka borxh 1 milion e 650 mijë euro.

“Nuk mund t’ia paguash dikujt paratë nëse tokën më nuk e ka në emër të vet. Është e vërtetë që toka dikur ka qenë e tij, por ka qenë e hipotekuar. Toka ka qenë e bankës dhe s’kam mundur t’ia paguaj paratë për një tokë që më nuk është e tij”, thotë Kelmendi, duke shtuar se Krasniqit ia ka paguar 230 mijë për një pjesë ballore që nuk ka qenë në hipotekë, por Krasniqi thotë se është dashur t’ia paguajë të tërën e jo vetëm atë pjesë.

Duke pretenduar se ka të drejtë, Avni Krasniqi e ka rrethuar hapësirën ballore prej mbi dhjetë ari që ia ka pamundësuar Kelmendit zhvillimin e biznesit.

“Ka dy muaj që ka përfunduar ai objekt dhe ne nuk mund të hyjmë për shkak se ai e ka rrethuar pjesën hyrëse”, thotë Kelmendi. Objekti i Kelmendit të premten është rrënuar pjesërisht për shkak se ka tejkaluar lejen e ndërtimit.

“Inspektorët nuk e kanë prishur atë rrethojë por kanë hyrë nga ana tjetër për shkak se Avni Krasniqi është njeri i tyre”, thotë Ramiz Kelmendi, duke e bazuar këtu bindjen se Krasniqi qenka i lidhur me “Vetëvendosjen”. Ai të premten publikisht pohoi se një anëtar i VV-së, duke aluduar në Avni Krasniqin, i ka kërkuar haraç 250 mijë euro.

Vetë Krasniqi mohon se ka të bëjë fare me “Vetëvendosjen”, se kurrë s’ka qenë pjesë e kësaj partie dhe kurrë nuk e ka mbështetur atë.

Për këtë rast si dhe për kërcënimet me mesazhe që thotë se i ka marrë, Kelmendi pohon se i ka lajmëruar organet e rendit duke zbuluar edhe përmbajtjen e mesazhit të para dhjetë ditëve: “Konsultohu me mikun çka të kom qu fjalë se përndryshe e din ti”.

Megjithatë Krasniqi mohon ta ketë kërcënuar, por insiston në borxhin që ia ka Kelmendi. “Nëse ka drejtësi në këtë vend, paratë do të më kthehen”, thotë Avni Krasniqi, i cili edhe shtëpinë e ka humbur në hipotekë.

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu