Vetëvendosje: Assos, një firmë fantome me 2 punëtorë

0
770

Prishtinë, 2 qershor – Lëvizja Vetëvendosje shfaqet të jetë e vendosur për ta kundërshtuar privatizimin e PTK-së. Përfaqësues të kësaj lëvizjeje, të dielën, nëpërmjet një aksioni e kanë vendosur një pankarte para objektit qendror të PTK-së me të dhënat krahasues midis PTK-së dhe kompanisë së përzgjedhur për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike, “Assos Capital”.
Për “Assos Capital”, ata thonë të jetë një firmë fantome, e regjistruar së fundi, qëllimi i së cilës shërben si mbulesë për paratë e pista të korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Paratë e pista vijnë prej bandave të kriminalizuar, të drejtuara nga Hashim Thaçi”, ka thënë aktivisti i VV-së, Zgjim Hyseni.
Gjatë prononcimit për media, Hyseni ka numruar të dhëna, të cilat sipas tij, flasin për  përparësinë që ka PTK në performancë biznesi, qoftë në vlerë asetesh në krahasim me AXOS:
AXOS i ka 2 punëtorë ndërsa PTK  i ka 3349 punëtorë.
AXOS ka asete në vlerë prej 155 mijë eurosh, ndërkaq shuma e aseteve të PTK-së arrin shifrën e 200 milionë eurosh.
AXOS nuk dihet të ketë ndonjë klient në fushën e telekomunikimit, por PTK i ka 1 milion e 200 mijë klientë.
AXOS nuk ka shpërndarë fare dividendë, PTK i ka dhënë shtetit të Kosovës dividendë në vlerë prej 55 milionë euro.
AXOS-it nuk i dihen të ardhurat vjetore, PTK i ka ato në shumën prej 165 milionëve.
AXOS është themeluar më 25 korrik 2012, PTK është themeluar më 21 dhjetor 1959.
Gjithë këto të dhëna flasin për një dallim shumë të madh midis PTK-së dhe AXOS. PTK është larg përpara kësaj kompanie qoftë në performancë biznesi, qoftë në vlerë asetesh,  po ashtu edhe në shkallë profesionalizimi në fushën përkatëse. Por, krejt kjo logjikë përmbyset kur kuptojmë së është AXOS që e ka blerë PTK-në. Ndodh zakonisht përgjatë procesit që njihet si centralizim i kapitalit që kompania më e madhe, përmes mundësive më të mëdha konkurruese, ta fusë nën sqetull të voglën. Asnjë racionalitet, asnjë logjikë ekonomike nuk e shpjegon këtë transaksion absurd.
Shpjegimi megjithatë qëndron diku tjetër. AXOS, sipas Hysenit, është një kompani fantome që po paraqitet si mbulesë për paratë e pista të korrupsionit e krimit të organizuar të bandave që udhëhiqen nga kryeministri Thaçi. Jo rastësisht as ish ministri Beqaj dhe as Kryeministri Thaçi nuk u përgjigjen kurrë se të kujt janë realisht paratë e fondit investiv AXOS. Si për ta vërtetuar gjithë këtë proces të shpronësimit grabitqar, kuptojmë se paratë për shitjen e PTK-së vijnë prej ishujve Cayman. Ky vend njihet si parajsë fiskale, ku nuk paguhet kurrfarë tatimi për paratë e investuara, por çfarë është më e rëndësishme, nuk kërkohet kurrfarë llogarie për prejardhjen e parasë, pikërisht siç i nevojitet pushtetit kriminal të PDK-së.
Secili subjekt politik që do të qeverisë nesër, nëse ka për qëllim ose jo mbrojtjen e interesit publik, do të matet me veprimet që (s)do të ndërmarrë lidhur me këtë shpronësim që po i bëhet popullit të Kosovës. Ekzistojnë të gjitha mundësitë argumentuese, nga ato ekonomike si dëmtim i interesit publik, deri tek shkeljet ligjore për ta kthyer mbrapsht këtë proces. Ne në Lëvizjen  Vetëvendosje! jemi të vendosur për ta bërë këtë, përfundoi Hyseni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu