Vetëvendosje “ecën” e vetme!

0
736

Lëvizja “Vetëvendosje”, apriori nuk pranon që të lidhë koalicion me asnjë parti politike, pavarësisht preferencave të LDK-së dhe “Nismës për Kosovë”, të cilat konsiderojnë se me “Vetëvendosjen më shumë gjëra i bashkojnë sesa i ndajnë”.

Lëvizja që drejtohet nga Albin Kurti, është e fokusuar të garojnë në zgjedhje me konceptin autokton politik, të elaboruar në programin e saj dhe në alternativën qeverisëse, ndërsa pas zgjedhjeve e shikon mundësinë e koalicionit.

Erzen Vraniqi ka thënë se për “Vetëvendosjen” është e rëndësishme fitorja e konceptit e jo pushteti me çdo kusht. “Së këndejmi nuk bëjmë kalkulime politike për koalicione”, ka thënë Vraniqi, sipas të cilit, çfarëdo koalicioni i mundshëm vjen në konsideratë me fitoren e Lëvizjes “Vetëvendosje” si forca e parë.

“Koalicioni me partitë e tjera vjen në konsideratë vetëm në rast se kemi përputhshmëri programore dhe besim të ndërsjellë me ndonjë subjekt. Këto parime vlejnë për të gjithë”, ka thënë Vraniqi.

Derisa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, e përjashton mundësinë e një koalicioni me PDK-në, duke thënë se si orientim kanë një qeverisje me duar të pastra, e sipas tij, në këtë rast ata përjashtohen si mundësi. Isa Mustafa ka thënë se do të takohet me Albin Kurtin të bisedojnë, meqë, sipas tij, ka gjëra që i ofrojnë bashkë e ka edhe që i ndajnë.

“Orientimi ynë që të qeverisim me duar të pastra, t’i kemi njerëzit të cilët nuk e kanë asnjë aferë gjyqësore, që nuk kanë afera inkriminuese, sepse nuk mundemi të themi se do bëjmë qeveri me duar të pastra kur në Kuvend kemi njerëz që kanë probleme me ligjin. Më së shumti ka nga PDK-ja, prandaj kjo do të jetë një nga arsyet që ne të zgjedhim një partner tjetër. Megjithatë do të vendos Këshilli i partisë”, ka thënë ai.

Pas Isa Mustafës, i cili shprehu interesim për bashkëpunim me lëvizjen “Vetëvendosje” nuk ka ndenjur duarkryq edhe partia e re “Nisma për Kosovën”, e cila ka vënë në dukje se preferon partneritetin me lëvizjen e Albin Kurtit.

Kryetari i Këshillit Kombëtar i “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, tha se më së lehti e kanë partneritetin me Lëvizjen “Vetëvendosje”. Sipas, tij, përparësia e “Vetëvendosjes”, është, mosmarrja pjesë e tyre, siç u shpreh, në keqqeverisje.

“Ndoshta një përparësi e subjektit politik Vetëvendosje është, si të themi, më i lehtë për t’u bashkëpunuar në të ardhmen, për faktin që nuk e ka pjesën në keqqeverisje as tani e as në të kaluarën”, tha Krasniqi.

Për analistin Xhavit Shala, historia e koalicioneve në Kosovë deri më tani nuk ka pasur koalicione programore por më shumë koalicione për t’i siguruar numrat për të qeverisur dhe për të pasur më shumë dikastere në qeveri.

“Vërtet do ishte mirë që të krijohen koalicione parazgjedhore që e lehtësojnë votuesin që të pozicionohet se kë do ta votojë në zgjedhje. Marrëveshjet për koalicione të bëhen publike duke përcaktuar edhe personat apo kandidatët që do marrin pozitat e larta në institucionet e vendit”, ka thënë Shala. Sipas tij, edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë koalicione programore sipas programeve të partive politike, të majta apo të djathta.

 

Nga: Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu