“Vetëvendosje”, jashtë dialogut

0
713

Albini

Përveç kërkesës së LDK-së, që posti i kryeministrit t’i takojë Isa Mustafës, partitë e Bllokut paszgjedhor, VLAN, do të gjenden edhe para një vendimi tjetër të vështirë, atë të ndryshimit të pikës pesë të Marrëveshjes  “LAN-Vetëvendosje”, ku çështja e dialogut me Serbinë i është lënë në “duar” të partisë së Albin Kurtit.

Analistët politikë vlerësojnë se subjektet e Bllokut në ditët e ardhshme do të gjenden edhe para një presioni për ta ndryshuar Marrëveshjen, që ka të bëjë me përfshirjen e “Vetëvendosjes” në Qeverinë e ardhshme dhe sidomos në udhëheqjen e dialogut.

Por, nuk janë vetëm analistët politikë ata të cilët vlerësojnë se Blloku do të obligohet që të ndryshojë pothuajse gjithë Marrëveshjen, por edhe ambasadori anglez në Kosovë, Ian Cliff, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se duhet ridefinim i Marrëveshje së partive të Bllokut.

Ai ka thënë se nuk pajtohet me pikën e Marrëveshjes së Bllokut, ku çështja e dialogut i është lënë që ta udhëheqë Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ka deklaruar se nuk do të bisedojë me Qeverinë serbe, por vetëm me serbët lokalë të Kosovë.

Sipas tij, një parti politike që kundërshton në themel dialogun me Serbinë, nuk duhet të jetë në krye të këtij dialogu.

“Sinqerisht, nëse nuk ka vazhdim të dialogut Beograd-Prishtinë, atëherë siguria e këtij rajoni do të ndërmarrë hapa të mëdhenj prapa, siç kemi parë pasojat në të kaluarën”, ka thënë Cliff.

Deklaratën e ambasadorit britanik e kanë përforcuar edhe më shumë analistët politikë, të cilët vlerësojnë se partitë e Bllokut do të obligohen që ta ndryshojnë marrëveshjen e arritur muaj më parë, jo vetëm në çështjen e postit të kryeministrit, por në pikën ku çështja e dialogut i është lënë në udhëheqje partisë së Kurtit.

Madje, jo vetëm kaq, por edhe deklarimi i “Listës Serbe” se nuk do të hyjë në një Qeveri, ku pjesë e ekzekutivit do të jetë “Vetëvendosje” do ta detyrojë Bllokun që ta lërë jashtë Qeverisë, Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Azem Vllasi, njohës i zhvillimeve politike, thotë se pas lëvizjes së fundit të Bllokut rreth postit të kryeparlamentarit do të ketë edhe lëvizje të tjera brenda Bllokut.

“Të huajt në asnjë mënyrë nuk e duan ta shohin ‘Vetëvendosjen’ pjesë të Qeverisë së ardhshme, sepse nuk dëshirojnë t’i rrezikojnë dy çështje, që imperativisht do t’i shtrojë Qeveria e ardhshme dhe Kuvendi i ri, sikur është vazhdimi i dialogut dhe krijimi i Gjykatës Ndërkombëtare për procesionin e krimeve të supozuara të luftës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Blloku LAN do të gjendet para një zgjidhjeje, ose “Vetëvendosjen” ose “Listën Serbe”, e cila ka bërë të qartë qëndrimin e saj se nuk do të jetë pjesë e një Qeverie, ku pjesë e saj do të jetë partia e Albin Kurtit.

“Dihet se Blloku me më dëshirë do ta merrte ‘Vetëvendosjen’, por do t’iu imponohet që ta marrin në Qeverinë e ardhshme ‘Listën Serbe’. Të gjendur para një situatë të tillë, nëse LVV-ja mbetet jashtë pushtetit, atëherë nuk është e sigurt se do t’ia japë votat LAN-it për ta krijuar Qeverinë”, ka sqaruar Vllasi.

Por, zyrtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje” janë të sigurt se nuk do të ketë ndryshim të Marrëveshjes së VLAN-it të pikës së pestë, ku flitet për procesin e dialogut.

“Vetëvendosje e ka pasur parakusht udhëheqjen e dialogut dhe ka marrë tre muaj që kjo marrëveshje të pranohet dhe të finalizohet. Andaj, nuk mund të ndërrohet”, ka thënë për “Zërin”, Dardan Mulliqaj, sekretar në Lëvizjen “Vetëvendosje”. Sipas tij, pika e 5-të e Marrëveshjes së 10 shtatorit e specifikon qartë se dialogu është përgjegjësi e Qeverisë dhe kjo Qeveri do ta emërojë drejtuesin e dialogut nga radhët e “Vetëvendosjes”.

Pra, ai ka rikujtuar se kjo pikë ka qenë njëri nga parimet të cilin kjo Lëvizje e ka pasur parakusht për ta nënshkruar marrëveshjen. Në anën  tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se mund të ketë ndryshim të të gjitha pikave të marrëveshjes së Bllokut VLAN.

“Posa të kthehet Mustafa, liderët politikë do të takohen dhe do të diskutojë jo vetëm rreth postit të kryeministrit, por sigurisht se ngjarjet e fundit do të imponojnë një marrëveshje tjetër. Sigurisht se do t’i diskutojnë pikat e marrëveshjes edhe ato parimore, edhe ato që janë të precizuara në marrëveshje”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, nuk ka asnjë arsyeje që “Vetëvendosje” të mos jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme dhe nuk duhet të ndiqet logjika përjashtuese.

 

Nga: Lumturije Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu